O Hisen Berisha: Rugova e shpalli pavarësinë, jo Hashim Thaçi!

Opinione

O Hisen Berisha: Rugova e shpalli pavarësinë, jo Hashim Thaçi!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 11 shkurt 2022 Në ora: 21:34
Hisen Berisha

Respektin që e fitoi në luftë, kryesisht në betejën e Koshares, ish komandanti Hisen Berisha po e venit në paqe. Jo pse është futur në skenën politike, venitja e tij filloi me inkuadrimin e tij në PDK, në partinë rivale të bindjeve të tija, të cilat Berisha gjithnjë i ka potencuar si rugoviane.

Veprimet e tija bien ndesh me rugovizmin, të cilën e mbron me fanatizëm në daljet e tija publike. Për më tepër z. Berisha ka theksuar disa herë se “jam me rugovist se vet Rugova”, deklarata të cilat do të besoheshin nëse veprimet e tija s’do të ishin këto që janë.

Inkuadrimi i tij në PDK, ishte hapi i parë i gabuar i Hisen Berishës, karshi deklaratave të tija, këtu diçka nuk shkon, s’mund të jesh edhe rugovist edhe thaçist. Nihilizimi i tij arriti majat së fundi kur mënjanoi Rugovën, rolin e tij të pazëvendësueshëm si arkitekt i pavarësisë, duke ia m’veshur meritat Hashim Thaçit si “njeriu që e shpalli pavarësinë”. Sa injorant duhet të jetë dikush të thotë një deklaratë të tillë, akoma edhe më injorant janë ata që e besojnë.

Pavarësia është vazhdimësi e shumë gjeneratave, me Rugovën si arkitekt të saj përmes diplomacisë brilante dhe të paarritshme të tij. Krejt liderët e mëdhenj të botës të cilët janë faktorët kryesorë që ndihmuan shpalljen e pavarësisë në çdo vizitë në vendin tonë kanë përmendur Rugovën si njeriu që i bindi që ta ndihmonin Kosovën.

Me kalimin e kohës, roli i Rugovës vetëm lartësohet edhe për ata që nuk e kanë vlerësuar, besa edhe për rata që e shpallën tradhtar, për ironi njeriu që e quante vetën më rugovist se Rugova kujtohet të thotë se Hashimi e shpalli pavarësinë, turp i madh për një person si Hisen Berisha për të cilin qytetarët e vendit pa dallim partie kanë pasur respekt.

Ky njeri që në vend se të vazhdonte të qëndronte ashtu siç ishte del krejtësisht kontrast me atë që thoshte më herët, duke ngre dyshime për sinqeritetin e tij. A thua cili është Hisen Berisha i vërtetë, ai që e quante vetën Rugovist apo ky që tani lartëson figurën e Thaçit mbi atë të Rugovës, s’mund të jesh edhe rugovist edhe thaçist, janë kontradikta me njëra tjetrën.

Deklaratat e tij nuk janë parimore, mbase janë të ndikuar nga ego për të pasur më shumë peshë në PDK, në partinë të cilën njerëzit e saj e shpallën Rugovën tradhtar, e të cilin Berisha e mbron me fanatizëm.

Të thuash se Hashimi e ka shpallur pavarësinë s’ka më turp për një person, aq më tepër për një njeri me peshë të madhe në skenën politike, pikërisht për shkak të kontributit të tij të madh në luftë.

Hisen Berisha duhet të sqarojë se a ishte kjo deklaratë huqje e tij apo vërtetë e mendon, nëse është kjo e dyta duhet menduar se cili është Hisen Berisha i vërtetë, rugovist apo thaçist, s’mund të jetë edhe ashtu edhe kështu. Më vjen keq të shoh se si degradohet në paqe një hero i luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat