Lufta në Ukrainë, Kosova ta formojë fondin nga diaspora

Opinione

Lufta në Ukrainë, Kosova ta formojë fondin nga diaspora

Ismail Muçiqi Nga Ismail Muçiqi Më 26 shkurt 2022 Në ora: 00:30
FSK

Ajo çka po ndodh në Ukrainë është alarm për të gjithë ne shqiptarët e Kosovës dhe të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoninë Veriore.

Ka ardhur koha që më në fund të zgjohet nga gjumi vetëdija kombëtare dhe përgjegjësia e njerëzve, të cilët qëndrojnë në krye të institucioneve të shtetit të Kosovës dhe më gjerë. Siguria globale dhe rendi botëror po atakohen nga politika revizioniste të ideologjisë staliniste, të cilën tani po e përdor Vladimir Putini (ngjashëm si Hitleri) në luftën e Dytë Botërore. 

Është iluzion dhe naivitet për kohën të mendosh se do t'i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, apo deri tek njohja e ndërsjelltë në mes dy shteteve. Është e pabesueshme që Republika e Kosovës të krijojë marrëdhënie miqësore me Serbinë, e cila i ka duart e përgjakura.

Rrethanat e tanishme politike po e vërtetojnë ndikimin rus në destabilizimin e Ballkanit. Pas agresionit rus në Ukrainë, kur shtetet perëndimore bashkë me Amerikën dhe NATO-në u rreshtuan kundër agresionit rus, duke aplikuar sanksione të ndryshme kundër Rusisë, Serbia është në pritje për të përfituar nga zhvillimet në frontin e luftës ndërmjet Aleancës së NATO-së dhe Rusisë. 

Pretendimet territoriale të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi janë projekte, të cilat paraqesin ëndrrën shekullore për Serbinë e madhe. Kjo u vërtetua edhe mbrëmë kur rrymat nacionaliste serbe në Mal të Zi, duke i përdorur flamujt e Rusisë u tubuan dje në qytetet e Malit të Zi për ta përkrahur agresionin rus në Ukrainë. 
Rusia përmes agjenturave serbo-ruse po vepron në Bosnje për shkatërrimin e kësaj Republike me qëllim që Republikën e serbëve të Bosnjës t'ia bashkojë Serbisë. Si mund t'i besohet Serbisë, e cila politikën shtetërore e ndërton kisha katolike, Akademia e Shkencave institucione këto të cilat i kanë hartuar elaboratet kundër popujve dhe shteteve përreth. 

Prandaj, ka ardhur koha që më në fund shqiptarët të vetëdijësohen dhe të mendojnë për të ardhmen e tyre. Serbisë nuk i besohet edhe nëse detyrohet që formalisht të nënshkruajë pranimin e shtetit të Kosovës. Në momentin kur rrethanat krijohen në favor të saj, ajo do të jetë në gjendje ta pushtojë ajo vazhdimisht do të ketë pretendime për ta pushtuar Kosovën. Këtë e vërtetoi para dy dite edhe kryepeshkopi i Kishës serbe në Beograd, i cili tha “se me bekimin e Zotit ka ardhur koha ta rikthejmë Kosovën nën sovranitetin e Serbisë”?!

Rruga e vetme për t'u përballur me sfidat, të cilat janë të paparashikueshme të cilat mund të përballet Kosova, është uniteti i faktorit shqiptar gjithandej.

Moratoriumi dhe bashkimi i partive politike rreth ndërtimit të ruajtjes së sovranitetit të shtetit. është më së e nevojshme që lënda mbrojtja dhe siguria të aplikohet në plan programet e sistemit të arsimit që nga klasa e 10 e shkollës së mesme.

Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes, përmes Akademive të policisë dhe ushtrisë të rrisin numrin e kadetëve të shkolluar, të cilët do të jenë në gjendje të marrin përgjegjësi të reja në institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë. Në rrethanat e krijuara, të cilat po e kërcënojnë sigurinë globale lind ideja që Kosova ta formojë fondin nga diaspora, mekanizëm ky i cili do të mundësojë forcimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës si dhe pajisjen me armatim modern që e kërkon nevoja. 

Vetëm kështu kur Kosova arrin të bëhet rival i vërtet, Serbia do të zmbrapset nga aspiratat e saj për zgjerimin e territoreve.

Prandaj, në fund po theksojmë se sa më parë që politika dhe institucionet e shtetit të Kosovës e kuptojnë këtë do të jemi më të qetë dhe do të shtohet shpresa për të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat