Ekonomia shqiptare në udhëkryqin e pasojave të luftës

Opinione

Ekonomia shqiptare në udhëkryqin e pasojave të luftës

Nga: Kolindo Vjerdha Më: 1 mars 2022 Në ora: 17:07
Kolindo Vjerdha

Situata globale paraqitet e tensionuar që nga rreziku i një lufte me përmasa të gjera e deri te rreziku i një krize apo hendeku ekonomik të pashmangshëm. Shqipëria si një shtet me një ekonomi të brishtë preket drejtpërdrejt nga zhvillimi apo precipitimi i kësaj lufte.

Rusia është vendi kryesor nga ku importojmë drithëra, pasi 75% të furnizimit me grurë e sigurojmë prej andej. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin e kaluar ne kemi blerë nga Rusia mbi 15 miliardë lekë mallra, ndërkohë që i kemi shitur vetëm 11.6 milionë lekë produkte, duke dëshmuar për një deficit të thellë tregtar.

Në vitin 2021 kemi importuar nga Rusia 6.3 miliardë lekë ushqime, pije dhe duhan, nga të cilat 4.9 miliardë lekë janë vetëm drithëra, pasi në vitin e kaluar importuam mbi 148 mijë tonë drithëra.

Në vend të dytë renditen importet e lëndëve djegëse dhe energjia elektrike me 4.1 miliardë lekë, për të vijuar, me materiale ndërtimi dhe metale me 2 miliardë lekë.

Produktet kimike dhe plastike vijojnë me poshtë me 1.7 miliardë lekë, 505 milionë lekë importet e prodhimit të drurit e letrës, 138 milionë lekë makineri e pjesë këmbimi dhe në fund 20.1 milionë lekë tekstile e këpucë të blera nga Rusia në 2021.

Kjo tablo tregon qartë se produktet e shportës rrezikohen të preken të parat nga një rritje e çmimeve. Së fundmi në treg konstatohet një rritje e çmimit të miellit që variom me 5-6 lek dhe kjo padyshim do të pasohet nga produkte të tjera.

Qeveria shqiptare duhet të marrë një plan të qartë masash që kjo situatë të rëndojë sa më pak në xhepat e qytetarëve. Një ndërhyrje imediate do të ishte mbështetja produktit vendas dhe gjetja e tregjeve të reja alternative. Nga ana tjetër shtresat me të ardhura të ulëta janë më të rrezikuarat ta ndjejnë më shumë këtë situatë. Reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, pasi duhet të paraprijë një agravim të situatës, ku më pas do të ishte shumë vonë. Kriza ekonomike dhe rritja e çmimeve është pasoja e pashmangshme e kësaj lufte me të cilën do të përballemi.

Nëse në planin e sigurisë mund të jemi "komod" nga të qënurit pjesë e NATO, në planin ekonomik nuk jemi aspak, aq më shumë kur dimë brishtësinë e financave tona. Plani emergjent duhet të jetë rendi i ditës në diskursin publik e politik nëse duan realisht të mbrojnë qytetarët e këtij vendi. Arena globale është një kostum shumë i gjerë për shpatullat tona, prandaj të ulim sytë e të përkushtohemi më shumë në sigurinë ekonomike të familjeve shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat