Albin Kurti i gabuar, Naim Miftari e Idriz Morina duke e argumentuar

Opinione

Albin Kurti i gabuar, Naim Miftari e Idriz Morina duke e argumentuar

Nga: Rexhep TORTE Më: 23 mars 2022 Në ora: 15:37
Rexhep Torte

Kryeministri Albin Kurti për dy ditë bëri dy gabime për të cilat duhet tu shpjegojë votuesve dhe tërë shqiptarëve, a janë gabime protokollare apo janë gabime të këshilltarëve të tij.

Unë me shkrimet e mia kam qenë mbështetësi pa kompromis i Kryeministrit Albin Kurti, edhe pse asnjëherë nuk e kam takuar, por e kam njohur vetëm nëpërmjet aktiviteteve të tij, si aktivist, si lider politik dhe si kryeministër.

Mbështetja ime ka qenë e bazuar në bindjen time se me ardhjen e Qeverisë së Albin Kurtit erdhi një ndryshim i ri pozitiv dhe një shpresë e re.

Por ky ndryshim dhe kjo shpresë e re nuk mund të realizohen pa nxjerrjen para drejtësisë dhe ligjit tradhtarët, vëllavrasësit dhe të korruptuarit milionerë në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti , më datë 21 mars 2022, dha një deklaratë të gabuar dhe të paqartë lidhur me krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke thënë se “Në Hagë ndodhen udhëheqësit e UÇK-së që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Ma datë 22 mars 2022, në UEB faqen e “Bota Sot” në lajme , patëm rastin të lexojmë edhe informacionin me titull;” Kryeministri Albin Kurti priti në takim historianin Oliver Jens Shmit, të cilin informoi për të arriturat, përmbushjen e programit qeveritar dhe sfidat për të ardhmen”.

Oliver Jens Shmit është profesor i historisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Vjenë, por është një historian antishqiptar i dëshmuar.

O kryeministër Albin Kurti, të qenurit Kryeministër i Kosovës në këto kohë të vështira për Kosovën, do të thotë, e para, deklaratat që i jepni për ish eprorët e UÇK-së , duhet të jenë reale, të vërteta dhe me emër e mbiemër, sa që të dihet e vërteta dhe të rritet vetëdija e çdo shqiptari, sepse të zezës duhet t’i thuhet e zezë dhe të bardhës e bardhë.

Naim Miftari, ish epror i lartë i UÇK-së dhe ish agjent i SHIK-ut, në UEB faqen e “Bota Sot” të datës 21 mars 2022, në rubrikën lajme-politika, botoi informatën me titull, “Naim Miftari me deklaratë të fortë për disa të akuzuar në Hagë: I eliminuan krerët e luftës , disa i vranë pas shpine, e disa i qitën në prita serbe”.

Naim Miftari thekson se, “në Hagë gjenden hajnat e fondeve të luftës dhe keqpërdoruesit më të mëdhenj të emblemës së UÇK-së. Është e vërtetë se disa luftëtarë të lirisë janë në burgun e Hagës pa faj. Së paku dy persona që janë të akuzuar në Hagë i kam takuar vetë disa herë gjatë luftës në beteja të ndryshme në tërë Kosovën, por disa të akuzuar tjerë që janë aty, janë vetëm profiterë multimilionerë të luftës, janë hajna të fondeve të luftës , janë keqpërdoruesit më të mëdhenj të emblemës së shenjtë të UÇK-së, janë njerëz që e tradhtuan dhe e demobilizuan UÇK-në ( S’ju duheshin më UÇK-ja) dhe janë keqpërdorësit më të tmerrshëm të luftës për liri.

Disa prej tyre që janë në Hagë , luftën më të madhe e kishin qysh me u pasuruar. Ata ia pastruan rrugën vendit duke i eliminuar krerët kryesorë të luftës, disa prej tyre i vranë pas shpine, e disa të tjerë i kanë qitur në prita serbe. Disa prej tyre “rrezikun” më të madh që e kanë pasur është zhvillu në betejat e ndryshme të Kamasutrës nëpër hotelet Evropiane dhe të Tiranës, beteja me dashnoret e tyre të shumta dhe herë me gratë e tyre. Lufta e tyre ishte qysh me u pasuruar e me u bë përçarje dhe duke ia pastruar rrugën vetit për pushtetin pas luftës., disa duke i vra pas shpine dhe disa duke i hedhur në pritat e milicisë dhe ushtrisë serbe, e disa duke i hedhur përmes UDB-së nëpër burgje serbe” thotë Naim Miftari.

Idriz Morina, kryeredaktor në “Bota Sot” në UEB faqen e “Bota Sot”, në rubrikën e lajmeve të datës 22 mars 2022, botoi tekstin me titull, “ Mashtruesi Shmit, nderohet nga “paganët” si idhull. Ai duhet përjashtuar nga Akademia urgjentisht”.

Idriz Morina në këtë reagim të tij ndaj historianit anti shqiptar Oliver Shmit, ndërmjet tjerash thotë se, “në emër të këtyre cilësimeve alla Shmit, “Shqiptarë turq’, “Shqiptarët myslimanë”. Si u bë që ky në dy raste të ndryshme, i valëvit furishëm, tezat, në të cilat është inkompetentë, ndërsa aty ku është kompetentë, e djallos në tërësi. Çfarë po kërkon të promovojë ‘mashtruesi’ shkencor Oliver Shmit?!

Pse vjen pikërisht në këtë kohë, kur Serbia duket se mund të paguajë rëndë për agjendën e saj proruse? Na vjen një historian perëndimor, që me shumë gjasë i paguar nga shoqëritë sekrete serbe, deformon çdo histori shqiptare nga fundi i Mesjetës e deri më sot.

Shmit përpiqet ta shkatërrojë figurën historike të Skënderbeut, në emër të çmitizimit, dhe të detyrës së historianit, ai përdor paturpësisht teori psikanalitike për ta damkosur, dhe për ta demonizuar figurën e kryeheroit kombëtar të shqiptarëve.

Ky historian evropian me metodologji jo shkencore e lufton qenësinë shqiptare dhe gjithnjë me veladonin e “historianit” akademik.

Flet sikur me kompetencë prej gjuhëtari, por si historian heziton dhe madje nuk e pranon vazhdimësinë iliro-shqiptare dhe dardano -shqiptare.

Ai metodologjinë shkencore e shfrytëzon për të thurë teza abstrakte, qartësisht jo shkencore.

Pse të nderohet nga Qeveria një demiurg filosllav.

E habitshme është se si u prit nga kryeministri Albin Kurti, për tu nderuar menjëherë.

I njëjti që nën diktatin e krimit politik, të pikëpamjeve pseudoshkencore në mbështetje të pseudo historianëve shqiptarë, që i valojnë flamujt sllavë, serbë, malazezë e grekë, fshihen prapa tij, duke u paraqitur si autoritete shkencore. Po këta me një grup shërbyesish të tjerë të teorive pansllaviste dhe filogreke, e zgjodhën edhe anëtar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Shmit i ka tezat raciste se shqiptarët në Kosovë nuk janë shqiptarët e kërkuar, por një përzierje nga ajo që solli e la pas Perandoria Osmane në bashkëjetesë me një pjesë të shqiptarëve.

Shmit i bën psikanalizë figurës së Skënderbeut , duke e shpallur realisht si të marrë, që i “motivuar” nga hakmarrja për babain, lufton me Perandorinë Osmane më të fuqishme të kohës duke marrë në qafë një popull të tërë.

Në emër të këtyre cilësorëve alla Shmit, ‘shqiptarë turq’, ‘shqiptarë mysliman’, në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Londrës dhe në të tjera, shqiptarët i kanë humbur më shumë se 100 mijë kilometra katrorë, i kanë humbur më shumë se 5 milionë shqiptarë, të vrarë, të dëbuar me miliona, dhe të asimiluar po me miliona, pasi duhet llogaritje e veçantë demografike e të asimiluarve, dhe të dëbuarve, një numër që së bashku sot, mund të arrijë në mbi 30 milionë.

Shqiptarët, ADN-ja e tyre gjendet dominuese në popujt fqinjë, serbë, malazez, grek, sllavomaqedonas e madje bullgar”, thuhet në fund të shkrimit të Idriz Morinës.

E tërë kjo tregon sa i pavëmendshëm është treguar kryeministri Albin Kurti me deklaratën e tij lidhur me eprorët e UÇK-së, dhe lidhur me pritjen që ia ka bërë këtij historian antishqiptar pro serb dhe filogrek.

E tërë kjo tregon çfarë akademikësh të papërgjegjshëm kemi që e njollosin Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës duke e nderuar dhe pranuar një historian të këtillë antishqiptar.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me vite ka rënë në një gjumë të rëndë dimëror, ani se paguhet majmë nga taksapaguesit e Kosovës.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, nuk u angazhua fare që së bashku me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Shqipërisë, të organizojë të përgatisin një projekt për të botuar në gjuhë të huaja një libër me titull “Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve në shekullin e 20-të”, si përgjigje të librit që e botoi Serbia para dy viteve me titull “Gjenocidi shqiptar ndaj serbëve në shekullin e 20-të” i mbushur fund e krye me gënjeshtra e të pavërteta. Turp, turp, turp.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat