Hilet ndaj UÇK-së, të padrejta!

Opinione

Hilet ndaj UÇK-së, të padrejta!

Nga: Ramazan Bekteshi Më: 1 prill 2022 Në ora: 19:51
Ramazan Bekteshi

Ekziston një përshtypje e gabuar e mbjellë nga armiqtë tanë por edhe nga vetë ne tani një kohë të gjate se UÇK-ja është ‘fajtore’, për çdo gjë, ‘fajtore’ në luftë e ‘fajtore’ në paqe, derisa akronimin e saj të shkëlqyeshëm e baltosën individë nga brenda e jashtë, dhe tani padrejtësisht e nximë të gjithë kolektivisht, herë me heshtje e herë me shpifje, padrejtësisht.

Në përvjetorin e 23-të të fushatës ajrore të NATO-s më 24 mars, vërshuan shumë falënderime të përcjella me imazhe nga lufta, por shumë pak u përmend UÇK-ja që është një nga shkaktaret që e përshpejtoi bombardimin por edhe lufta e saj heroike. Dhe kjo mu duk shumë e padrejtë dhe neveritëse kur të merret parasysh sa luftë e pabarabartë ishte me aq sakrifica të luftëtarëve e me aq shumë viktima në mesin e tyre shumë fëmijë. Këto imazhe dhe harresa e UÇK-së në këtë përvjetor më sollën ‘flashbacks’ (rikthim të kujtimeve të mia) për një epope të lavdishme që aq shpejtë e harruam e që ky ishte edhe shkasi për ketë shkrim për UÇK-në që jo vetëm që heshtëm turpshëm por disa që s’e ndihmuan atë në asnjë formë edhe shpifën ndaj saj, pra UÇK sipas disave është se:

Na qenka ‘fajtore’ pse FARKU dhe UÇK s’u bashkuan kurrë, ‘fajtore’ pse Bukoshi luante lojë të dyfishtë, gjoja se i afërt me Rugovën por realisht më me shumë afërsi me Rogneristat e Tiranës, herë fillikat vetëm me Isën dhe me Fondin e tyre shumë të përfolur, 3%-shin.

Pra, UÇK na qenka ‘fajtore’ pse iu përgjigj kushtrimit, ‘fajtore’ pse nuk e nënshkroi marrëveshjen e Rambujesë, dhe serish ‘fajtore’ pse e nënshkroi.

UÇK na qenka ‘fajtore’ pse vetëm më të guximshmit iu bashkuan kushtrimit të atdheut edhe pse në numër të vogël, ‘fajtore’ pse ‘ushtria’ e madhe e Bllacës s’i kapte armët por e braktiste vendin.

Pra, UÇK na qenka ‘fajtore’ pse ishte e guximshme, pse e vuri Kosovën në hartën e botes së bashku me Lëvizjen rugoviste, ajo është ‘fajtore’ pse ishte tmerr e skëterrë për armikun.

UÇK n’a qenka ‘fajtore’ pse prijësi i saj, Adem Jashari me familje beri aktin me sublim të vetëflijimit për pavarësi, një sakrificë unike në botën moderne, dhe një afirmim që pushtoi dhe shokoi botën me Masakrat më të tmerrshme kundër njerëzimit që nga Lufta e II-të Botërore, pas Prekazit si ajo e 1. Reçakut, 2. Izbicës, 3. Kleçkës, 4. Korishës, 5. Krushës se Madhe 6. Mejës, 7. Qyshkut 8. Suharekës 9. Abrisë së Epërme 10. Dubravës e tjera.

Pra UÇK na është ‘fajtore’ pse i identifikoi dhe i Luftoi tradhtarët e spiunët e vendit njëlloj si pushtuesin. Ajo është ‘fajtore’ sepse nëpër fusha të minuara nëpër radhët e armikut infiltrohej me thasë me armë e me municion mbi shpinë, pa mbathje adekuate, pa bukë e pa ujë.

Se, UÇK-ja na qenka ‘fajtore’ për 40.000 ‘luftëtarët’ mashtrues që për çdo muaj ia thithin buxhetin Kosovës me vite.

UÇK nuk ka faj se ne radhët e saja u infiltruan edhe profiterë lufte, u infiltruan individë që në vend të luftës qëronin hesape me kundërshtarë politik apo rival të nëntokës, që në momente harronin luftën, dhe disa që luftën e përdorën për hakmarrje/gjakmarrje në kundërshtim të kanunit dhe kodit të pajtimit të Anton Çettes.

UÇK nuk ka faj se disa individë në emër të luftës përdorën dredhitë, i shpallën tradhtare luftëtarët e ditës se parë përmes komunikatave.

Pas çlirimit, krahu i luftës dhe krahu i Lëvizjes paqësore kishin kundërshtime irracionale, secila palë deshi ta merrte primatin si shpëtimtarë të vendit, por realiteti ishte ndryshe, te dy palët ishin kontribuuese, Lëvizja e Rugovës, që i qëndroi maratonit të mundimshëm nën okupim, dhe UÇK-ja, që me guxim ishte e rrufeshme në sprintin final të pavarësisë. Të dyja së bashku me NATO-n dhe SHBA-në e sollën lirinë.

Por, më vonë të dyja këto (PDK e LDK) derisa filluan të shijojnë pushtetin, bashkëpunuan njëra me tjetrën në mënyrë të sinkronizuar, jo për hallin e luftëtarëve, atyre që i lanë gjymtyrët nëpër fushëbeteja, atyre që kishin nevojë për shërim jashtë, që edhe sot e kësaj dite i mbajnë plumbat dhe pjesë të granatave në trupin e tyre, sepse pushtetarët përparësi u jepnin politikanëve të pasur, pleqve për shërim jashtë me para të taksapaguesve, si rasti me (Mustafën dhe Bukoshin), duke i lënë nën mëshirën e fatit rastet urgjente të luftëtarëve të lirisë, duke i harruar jetimët që baballarët e tyre u flijuan për këtë tokë, kush s’u kujdes për shëndetin mental të luftëtarëve, andaj edhe një numër i tyre i konsiderueshëm përfunduan në dëshpërim e një numër jo i vogel bënë vetëvrasje.

Fatkeqësisht, disa luftëtarë të denjë, komandantë, trima, që zhvilluan shumë beteja të ashpra dhe fituan luftën, por dështuan keq në paqe. Disa nga ata menduan se Kosova u kishte borxh për të bëmat e tyre, disa, jo të gjithë, privatizuan toka gati falas, disa morën ryshfet për kurdisje të shitjeve të aseteve më të vlefshme të Kosovës për pak para, dhe disa të tjerë menaxhuan autostradat tona e që 1 km i kushtoi Kosovës 16 milion, derisa e njëjta në vendet fqinje kushtoi vetëm 6 milion nga i njëjti ndërtues. Këto, nuk mund t’i faturohen UÇK-së sepse ajo pas lufte u çarmatos. Nëse individë nga radhët e UÇK-së janë të involvuar në këto veprime, përgjegjësia është individuale dhe kurrsesi jo kolektive.

Edhe krijimi i Gjykatës Speciale është i padrejtë, sepse aty në përgjithësi gjykohen ata që luftuan për liri kundër një agresori, dhe bashkësia ndërkombëtare jo vetëm që e barazoi agresorin me viktimën por edhe e tejkaloi, duke i lëne kriminelët e luftës të lirë, ata që shkaktuan masakra të papara, bilës disa kriminelë lufte janë edhe në pushtet si Vuçiq e Daçiq derisa luftëtarë të lirisë si Jakup Krasniqi me shoke gjykohen padrejtësisht në Hagë. Dhe për këtë, fajtore nuk është vetëm bashkësia ndërkombëtare por edhe politikanët tanë që vetë e votuan këtë gjykatë të njëanshme.

Komplimente për qeverinë Kurti që Gjykatën Speciale e quan të padrejtë, nuk e votoi, dhe se ata që dergjen padrejtësisht në burg i quan luftëtarë të lirisë dhe kujdeset për mbrojtjen e tyre, çka është një hap i denjë, edhe pse ndonjë prej tyre s’ka nevojë për ndihmë financiare. Është e dinjitetshme për të gjithë ne dhe mediat mos të paragjykojmë për ata qe janë në Hagë, sepse ata të gjithë janë të pafajshëm derisa gjykata nuk merr vendim ndryshe. Le të shpresojmë, se ata do ti kthehen Kosovës dhe familjeve të tyre ballëlartë, duke e pastruar emrin e UÇK-së që misioni i saj i vetëm ishte lufta për liri dhe çlirimi i vendit nga një okupator barabar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat