Mosdalja masive në votime, ndëshkoi spektrin politik në Luginën e Preshevës

Opinione

Mosdalja masive në votime, ndëshkoi spektrin politik në Luginën e Preshevës

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 7 prill 2022 Në ora: 09:58
Nexhmedin Saqipi

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve, në Beograd, tashmë i ka dhënë rezultatet preliminare nga të cilat shihet qartë se asnjëra nga Listat shqiptare, nuk ka arritur të siguroj të paktën një ulëse në Parlamentin Republikan.

Dy Listat shqiptare: Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës kanë arritur të siguroj 8500 vota kurse Alternativa Demokratike Shqiptare 3500 vota, së bashku mezi kanë arritur të sigurojnë 12 mijë vota, nga 26 mijë sish sa i kishin me një Listë para dy vjetësh.

Secila nga Listat i ka pasur të rreshtuara tri parti, dmth 6 parti, të cilat me këto vota veçe veçnuk kanë arritur të sigurojnë deputet, duke akuzuar njëra - tjetrën për sabotazh, intriga dhe obstruksione.

Mosuniteti

E vërteta qëndron në atë se spektri politik shqiptar ishte i përçarë dhe mosunik. Pavarësisht arritjes së një uniteti nga Tirana, partitë e shkelën atë duke vepruar kokë më vete, çka solli edhe këtë dështim.

Tani pas humbjes së sigurt partitë politike akuzojnë njëra tjetërn për mosangazhim të sinqertë gjatë procesit të votimit. Kërkimi i dorëheqjes së ndonjë kryetari të partisë për këtë humbje të madhe, nuk i zgjidh problemet në Luginë. Meqenëse në vendet me demokraci të zhvilluar dorëheqjet janë normale, ama me rastin tonë ato janë të dëmshme, por jo shumë të rrezikshme ngase disa liderë partiakëjanë mësuar me humbje gjatë karrierës së tyre politike.

Nuk duhet harruar se në këtë zvogëlim të votave, gjithashtu, ka ndikuar largimi i të rinjve nga vendi, pastaj pasivizimi i adresave dhe mbi të gjitha ndasitë partiake dhe biografia e keqe e disa politikanëve e mbushur me nepotizëm, familjarizim dhe lokalizëm. Në këtë drejtim, ka pasur edhe vërejtje rreth publicitetit të Listave me pamje luksoze, me pano e imponime nga Kosova se kush duhet të shkoj deputet në Beograd. Vula e të gjitha këtyre marifetllëqeve lidhet me shkeljen e Marrëveshjes së Unitetit, e cila do të ketë pasoja edhe në të ardhmen me qeverisjet lokale.

Pasojat

Po të ish dëgjuar zëri i shoqërisë civile para dy vitesh, që të krijohet një unitet mes subjekteve politike, qoftë për zgjedhjet në nivel lokal dhe atë rajonal, nuk do të kishte ardhur deri te kjo humbje të procesit zgjedhor, që nuk do të kaloj pa pasoja në të ardhmen.

Në këtë drejtim elektorati shqiptar nuk ka faj në humbjen e zgjedhjeve, jo pse nuk iu është përgjigjur masovisht daljes në votime, por pse është vetëdijesuar se në këtë nivel zgjedhor ka më shumë interes material se sa politik.

Komoditeti

Elektorati shqiptar gjithmonë ka treguar një kulturë të lartë votimi, qoftë gjatë Referendumit, qoftë edhe gjatë zgjedhjeve lokale dhe parlamentare këto dekadat e fundit. Por, kësaj radhe është mosdalja masive në votim, është një ndëshkim ndaj spektrit politik, që ai të mbushet mend ose do të mësohet me humbje të tilla edhe në të ardhmen. Kjo i bie që skenës politike i duhen reforma me politikanë adekuat e me përvojë, jo aso që janë mësuar të bëjnë luks dhe komoditet me pushtetet lokale dhe parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat