Vdekshmëria në komunën e Prizrenit (2019-2021)

Opinione

Vdekshmëria në komunën e Prizrenit (2019-2021)

Nga: Faik Miftari Më: 14 prill 2022 Në ora: 20:30
Faik Miftari

Në këtë vështrim do të prezantoj statistikat e  vdekshmërisë në komunën e Prizrenit gjatë tri viteve të fundit(2019-2021), e cila ka shënuar  rritje në një masë të madhe, të pa shënuar gjer tani sa i përket personave të vdekur në komunën e Prizrenit.

Gjatë vitit 2019 në komunën e Prizrenit gjithsejtë kanë vdekur 874 persona(464 të gjinisë mashkullore dhe 410 të gjinisë femërore) prej të cilëve  në qytet kanë vdekur 638 persona(320 të gjinisë mashkullore dhe 318 të gjinisë femërore), ndërsa në fshatrat që gravitojnë në komunë e Prizrenit kanë vdekur 236 persona(144 të gjinisë mashkullore dhe 92 të gjinisë femërore).

Këto regjistrat  e të vdekurve kryesisht janë të komunitetit mysliman, dhe se kësaj duhet shtuar edhe numrin e personave të vdekur të komunitetit katolik dhe ortodoks të komunës së Prizrenit, të cilat shënime për momentin nuk i kam, por   nuk janë në  numër të madh,  rreth 2% të numrit të lartcekur, dhe i cili në një masë të vogël shtesë  rrit numrin e personave të vdekur. Pasi që nuk i kam të dhënat në dispozicion, atëherë do të përqendrohem vetëm në regjistrat e personave të vdekur  që i kam pas në dispozicion gjatë shkrimit të këtij vështrimi.

Gjatë vitit 2020 në komunën e Prizrenit gjithsejtë kanë vdekur 1502 persona (841 të gjinisë mashkullore dhe 661 të gjinisë femërore) nga të cilët në qytet kanë vdekur 896 persona(495 të gjinisë mashkullore dhe 401 të gjinisë femërore), ndërsa në fshatra kanë vdekur 606 persona(346 të gjinisë mashkullore dhe 260 të gjinisë femërore).

Edhe pse në suaza normale duke marrë parasysh se edhe në Kosovë po rritet numri i personave të moshuar ndërsa po zvogëlohet numri i personave të rinj, për shkak të uljes së natalitetit dhe emigrimit të jashtëzakonshëm të rinjve drejt vendeve të Perëndimit, ka qenë e pritshme edhe rritja e mortalitetit, me një rritje prej rreth 10-15 %, dhe do të ishte e pritshme që gjatë vitit 2020 të arrijë  numri i  personave të vdekur rreth  950-1000 në komunën e Prizrenit.

Porse rritja enorme e numrit të vdekjeve gjatë vitit 2020 prej 72% në krahasim me vitin paraprak 2019 është jashtëzakonisht shqetësues dhe alarmues, pasi kemi  628 persona të vdekur më shumë se në një vit më parë. Gjatë vitit 2020 ka dominuar pandemia e korona virusit e cila si e tillë për pasojë ka shkaktuar  numër të madh të vdekjeve, por duhet shikuar dhe hulumtuar edhe shkaqet tjera të cilët kanë  kanë kontribuar kësaj rritje enorme të personave të vdekur në komunën e Prizrenit. Kjo mbetet për hulumtim të mëtutjeshëm ekspertëve të fushës së statistikave që përcjellin  natalitetin dhe mortalitetin në Republikën e Kosovës.

Gjatë vitit 2021 në komunën e Prizrenit gjithsejtë kanë vdekur 1474 persona (800 të gjinisë mashkullore dhe 674 të gjinisë femërore), nga të cilët  në qytet kanë vdekur  778 persona(429 të gjinisë mashkullore dhe 349 të gjinisë femërore), ndërsa në fshatra kanë vdekur 696 persona(371 të gjinisë mashkullore dhe 325 të gjinisë femërore).

Ky trend i rritjes së personave të vdekur në komunën e Prizrenit ka vazhduar edhe gjatë vitit 2021, edhe pse këtu kemi një ulje të vogël të personave të vdekur prej 2% (28 persona më pak), prapëseprapë në krahasim me vitin 2019 kemi një rritje enorme prej 70 % të personave të vdekur. Për dallim nga viti 2020 kur ishte  pandemia në kulminacion, gjatë vitit 2021 pandemia ka shënuar oscilime të kohëpaskohshme, si pasojë e së cilës ka pas rrënje të numrit të vdekurve e shkaktuar nga  korona virusi COVID-19.

Gjatë vitit 2021 ka filluar faza e vaksinimit të popullatës kundër korona virusit COVID-19, me ç’rast sipas shënimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, gjegjësisht të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjer tani janë vaksinuar rreth 50% të numrit të popullatës së Kosovës, dhe atë  me dy doza të vaksinimit  rreth 820.000 persona dhe me dozën e tretë përforcuese 100.000 persona. Duhet theksuar se një numër i konsideruar i personave të vdekur gjatë vitit 2021 ka qenë edhe si pasojë e efekteve anësore të shfaqura të cilët kanë shkaktuar vaksinat tek një numër i caktuar të personave të vaksinuar.

Tani jemi në vitin 2022, edhe pse numri i rasteve të personave të prekur dhe të vdekur nga pandemia e korona virusit  është ulur në një masë të madhe, prapëseprapë trendi i numrit të personave të vdekur vazhdon. Shpresoj se në rast se nuk do të zvogëlohet numri personave të vdekur gjatë vitit 2022, bile të mbetet në parametrat e shënuara të vdekjeve gjatë vitit  2020 dhe 2021,  porse jam skeptik dhe frikësohem se ky numër do të shënoj rritje të mëtutjeshme të personave të vdekur në krahasim me vitet 2020 dhe 2021, si pasojë tani edhe të  efekteve anësore të shfaqura  e të  shkaktuara nga vaksinimi.

P.S. Statistikat e personave të vdekur në komunën  e Prizrenit gjatë 3 viteve, 2019-2021 janë të arkivit të zyrës së Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren.

 

          14.04.2022                                                              Av. Faik MIFTARI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat