Kandiq në Prishtinë, a duhet t’i ruajmë dhe respektojmë miqtë tanë?

Opinione

Kandiq në Prishtinë, a duhet t’i ruajmë dhe respektojmë miqtë tanë?

Ismail Muçiqi Nga Ismail Muçiqi Më 20 prill 2022 Në ora: 22:43
Natasha Kandiq në Prishtinë

Një nga figurat më humane dhe më njerëzore, e cila nuk u ndal asnjëherë kundër Millosheviqit dhe politikës gjenocidiale të Serbisë padyshim ishte Natasha Kandiq Drejtoreshë e Institutit për të Drejtën Humanitare në Beograd.

Kjo humaniste ishte zëdhënësja më e denjë në mbrojtjen e të Drejtës Humanitare dhe në krahë të popullit të Kosovës dhe kundër politikës hegjemoniste serbe. Natasha Kandiq që nga mbarimi i luftës të vitit 1999 hartoi një mori raportesh nga krimet e luftës në Bosnje dhe Kosovë të cilat i kishin shkaktuar forcat ushtarake dhe paramilitare të serbisë. Kjo asnjëherë nuk u ndal për të thënë të vërtetën për numrin e viktimave e civilëve të pafajshëm, të cilët u vranë gjithandej Kosovës vetëm se ishin shqiptarë.

Raportet e saj i shërbyen i drejtpërdrejtë Prokurorisë Speciale në Gjykatën e Hagës kundër Millosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kontributi i Natasha Kandiqit për të zbardhur të vërtetën, se kush ishte agresori dhe kush e mbrojti pragun e shtëpisë është shumë dimensional dhe meritor jo vetëm për Kosovën, por fjala e saj ka peshë të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare deri tek institucionet e Organizatës të Kombeve të bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Duhet theksuar se Natasha Kandiq përpos raporteve të shumta të cilat që nga pas lufta në Kosovë i ka plasuar gjithandej në Bashkimin Evropian në organizatat ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ajo vitin që shkoi botoi edhe librin “Drejtësia për Viktimat e Luftës”.

Veprimtaria humane dhe pozicionimi i saj karshi agresorit dhe viktimës janë arma më e fortë dhe argumenti më i besueshëm, i cili ka bërë jehonë në gjithë botën demokratike. Kjo humaniste në asnjë moment nuk e ka kursyer Millosheviqin dhe politikën e serbisë edhe pse kjo është një qytetare e shtetit serbë. Prandaj, Natasha Kandiq në raport me zhvillimet dhe ngjarjet që i ndodhën Kosovës gjatë luftës e këndej ishte Ambasadorja më e denjë në krahë të Kosovës dhe të viktimave civile të luftës.

Në fund po theksojmë se populli i Kosovës dhe institucionet e shtetit, pa asnjë hezitim duhet çmuar dhe respektuar punën dhe veprimtarinë humane të Natasha Kandiq, e cila nuk u ndal asnjëherë për t'i thënë të vërtetën duke e mbrojtur të drejtën themelore për ekzistencën e popullit shqiptar dhe luftën e drejtë për liri dhe pavarësi. Prandaj, ne që jemi dëshmitarë të ngjarjeve më tragjike që i ndodhën popullit të Kosovës gjatë luftës e vlerësojmë shumë kontributin e zonjës Natasha Kandiq, e cila në vazhdimësi e dënoi politikën gjenocidiale të Millosheviqit dhe Qeverisë në Beograd, duke hartuar raporte kredibile për organizatat dhe institucionet ndërkombëtare të cilat mirën me të drejtat humane dhe njerëzore kundër serbisë.

Kjo zonjë meriton pritje të ngrohtë respekt dhe mirëseardhje gjithmonë në Republikën e Kosovës. Vetëm kështu ruhen dhe respektohen miqtë e vërtetë të këtij vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat