Kuvendi i munguar në kuvendin e burrave

Opinione

Kuvendi i munguar në kuvendin e burrave

Nga: Gjon Marku Më: 21 prill 2022 Në ora: 20:32
Gjon Marku

Për Margaret Haslluk (Hasluck) “vetëqeverisja e malësorëve shqiptarë kishte shkuar shumë përpara drejt demokracisë së njëmendtë në kuptimin anglo-sankson. Ndonëse në rrugë parake, kjo ishte qeverisje  e njëmendtë e popullit, për popullin”

Viset malore, e në rend të parë Mirdita, mbetën vende të pashkelura nga këmba e ushtrisë pushtuese osmane. Në mungesë të një institucioni civil shtetëror, Mirdita gëzoi gjatë kohës së sundimit obskurantist osman, një autonomi krahinore në formë vetëqeverisëse, me element koheziv të dymbëdhjetë bajrakëve, nën një flamur të vetëm, i cili ishte flamuri i Gjergj Kastriotit. Falë kësaj vetëdije dhe autonomie politike, shoqërore, Mirdita u bë qendra kryesore e qëndresës së katolicizmit, e jo vetëm katolicizmit por dhe e vetë identitetit kombëtar e për këtë një ndër faktorët kryesorë janë kuvendet e mbajtura herë pas here në këtë trevë heroike. Mirdita në këtë mënyrë mënjanoi gabimet që po bëheshin në trevat rreth saj, që po hynin dhunshëm në vazhdën e islamizimit e të laramanizimit, dhe përcaktoi saktësisht vetëkzistencën në doktrinën katolike, në pozicionin e saj të luftës së vazhdueshme dhe të pandërprerë për komb dhe fe. Në këtë kohë nuk duhet harruar dhe lënë mënjanë fakti se feja dhe kombi, si të thuash janë dy terma që mbulojnë të njejtin koncept, dhe përbëjnë dy shtylla të forta të qëndresës dhe  mbajtjes fort  në identitetin tonë.

Është institucioni i kuvendit që ka bërë që ky popull t’i përballojë të gjitha furtunat e historisë por nderi e kërkon deri në atë cak ku mund të arrijë forca e tij mendore. Për nderin shqiptarët janë gati të flijojnë jo vetëm veten por edhe familjen, dhe ky  qëndrim i pashoq shkrihej në ndjenjën e dinjitetit e të drejtësisë, aq shumë të përhapur e ngulitur ndër këto vise nëpërmjet ligjesh të gdhendura mjeshtërisht në Kanun.

Kuvendet ishin një institucion tradicional qeverisës i trashëguar ndër breza, vendimet e të cilëve nuk mund të merreshin nëpër këmbë nga askush, pasi kushdo që i cënonte ato, kishte të bënte me Unitetin Krahinor të Mirditës.

Kuvendi i burrave gëzonte një privilegj të jashtëzakonshëm, dhe ishte institucioni më i lartë vendosës dhe vendimet e tij pastaj ishin të pakundërshtueshme.

Me të drejtë mund të thuhet se ato kishin qenë ashta e vetëdijes, ndërgjegjes, identitetit kombëtar.

E ky kanun përbën një sistem vlerash që merr jetë e bën të mbijetojë në mënyrë proverbiale një shoqëri pa shtet por që funksionon më mirë se cilido prej tyre. “Një vepër unikale me frymë humaniste e periudhës së Rilindjes Europiane në gjuhën shqipe, e cila, megjithëse e përfolur së bëshku me autorin e saj (dhe vazhdon të përflitet), është  vlerësuar nga studiuesit seriozë, vendas dhe të huaj, si një “vepër monumetale” thekson Prof. Aleks Buda, apo “Kontribut në thesarin e kulturës botërore” siç pohon Schvverin.  Kjo kushtetutë vërtet i ka themelet herët që kur princi Lekë i vendosi ato ndër kuvende, por kuvendet e mëpastajme janë si një gurrë që i kanë ushqyer në mënyrë të pandërprerë. Ata nuk kanë lënë të zhbëhen e zhduken ato norma por kanë mundur të jenë faktori kryesor që kjo trevë të mos nënshtrohet,  asimilohet, e tjetërsohet.

Kuvendet kishin qenë institucioni i kahershëm ku ishin vendosur e sanksionuar ligjet dhe e drejta zakonore shqiptare. E kjo kushtetutë  monumentale, pra Kanuni nuk le asnjë mëdyshje, nuk njeh skllav, nuk njeh bujkrobër, aty nuk ekziston urrejtja për popuj të tjerë e as për fe të tjera.

Hahn thotë se “Fuqia supreme është në dorë të popullit, i cili i zbaton  me rastin e mbledhjeve të veta që quhen Kuvende”. (1)

Hekuard nënvizon se shqiptarët s’i kanë përdorur kurrë armët në kuvend sepse ata thonë “është arsyeja e jo forca ajo që duhet të rregullojë çështjet e vendit”.2  Kuvendi ishte e kundërta e pushtetit të unit e të hunit.  E në këto kuvende në parim, zgjidhja e çështjeve kryesore bëhet duke u dëgjuar mbarë populli e duke marrë vendim së bëshku. Një burrë për shtëpi. “Kuvendi kishte qenë vendi i pleqnimit të çështjeve më të rëndësishme të kohës... si paraprijësi i parlamentarizmit bashkëkohor.”  Etikën dhe rregullat e këtyre kuvendeve janë për t’i pasur zili edhe në kohët e sotme, sidomos përsa i përket barazisë në kuvend e po aq e rëndësishme dhe e patjetërsueshme ishte etika në kuvendet e burrave. “Në kuvend kur flet njeri të tjerët janë të detyruar të dëgjojnë e të heshtin”, thuhet në kushtetutën e dalë prej kuvendeve pra në Kanun vendimet merren sipas parimit “shumica then pakicën.”

Vetëqeverisja e Mirditës i ka themelet pikërisht këtu në kuvendin e burrave në urtinë dhe në maturinë e vendimeve të marra në kuvend. Me të drejtë Hekuard e quan Mirditën “Një lloj republike aristokrate, kapidani nuk mund të marrë asnjë vendim pa pleqninë e bajrakëve të mbledhur në kuvend.”

Është arsyeja e jo forca  ajo që i rregullon çështjet në kuvendin e burrave.

Sipas Petër Bartël, mbetet me u pa nëse në këto male krahasuar me gjendjen përpara pushtimit të vendit “kemi të bëjmë me një kthim mbrapa, në një fazë më të hershme të zhvillimit.”

Kuvendet, sidomos ato para pushtimit turk, kishin bërë të mundur të vendoseshin dhe sanksionoheshin ato ligje, ai sistem dhe ajo tërësi parimesh, të cilat ishin përvetësuar ashtu siç ishin pak nga pak e ditë për ditë prej të gjithëve duke u bërë pjesë e jetesës dhe e mbijetesës, e qëndresës dhe e vetëqeverisjes.

Për Kanunin e Lekë Dukagjinit, që vinte prej mugëtirave të mesjetës së hershme, disa studiues i çojnë rrënjët e tij te Kodi i Justinianit e më tej, te ilirët e në kohët e para të krishtera ashtu siç dalin kuvendet pararendëse, dhe votra ku gatuhej ai për t’u trashëguar ndër breza si kodi i jetesës e mbijetesës dhe vetëekzistencës  mbeteshin kullat e trevës së Mirditës me banorët e saj trima, luftëtar, liridashës, punëtor, të besës, burrërorë,  të ndershëm, mikpritës, të zgjuar e të papërkulur. 

Të gjitha kuvendet kanë si kryefjalë të tyre kryesisht luftën për çlirimin prej osmanëve, me përjashtim të kuvendit të vitit 1862, i cili vjen pas luftës së Krimesë dhe kuvendit të vitit 1880, ku u vendos të shkohet në ndihmë të Hotit, Grudës dhe Kelmendit, që Fuqitë e Mëdha ia jepnin Malit të Zi. (Pa bërë fjalë për kuvendin e Blinishtit 1944, i cili është i një natyre tjetër.)

Natyrshëm Mirdita është qendra kryesore e qëndresës dhe mbi të gjitha qendër e vetëqeverisur.

Të gjitha këto kuvende kanë vendime të qarta dhe kërkojnë mbështetje dhe përkrahje materiale dhe të Fuqive të Mëdha Perëndimore, por shpesh, për të mos thënë gjithnjë, kjo mungonte. Në raste sporadike, herë-herë Austria duke pasur dhe të drejtën e protektoratit të kultit dhe të mbrojtjes mbi katolikët, ndihmonte Mirditën dhe lidhjet e besëlidhura të saj.

Të gjitha këto kuvende të Mirditës patën një jehonë dhe pjesëmarrje më të gjerë sidomos të krerëve të Veriut.

Patën një rëndësi të veçantë sepse:

Së pari, në të gjitha kuvendet e mbajtura në Mirditë në këtë periudhë parësore është çështja kombëtare shqiptare dhe ndërkombëtarizimi i kësaj çështjeje në rajon dhe kontinent.

Së dyti ato u kthyen në vende ku u përcaktuan qartë qëndrimet antiosmane dhe u vendos që të vijohej lufta e paepur deri në çlirimin e atdheut.

Së treti,këto kuvende vihen në një linjë me të gjitha lëvizjet kombëtare, të cilat kanë çuar në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 .

Së katërti, kuvendet krahinore të Mirditës, u bënë shkak që kjo trevë të mbetet një ndër vatrat kryesore të qëndresës dhe luftës për liri dhe pavarësi kombëtare.

Së pesti,  kuvendet u bënë shkak i një paraprirje të një shteti të pavarur.

Së gjashti, këto kuvende që për dekada  të tëra u lanë disi në harresë për vetë veçantitë dhe kohën kur u mblodhën, përcaktuan drejt, orientuan në mënyrë të plotë dhe qartë forcat që dispononin në përputhje me ngjarjet historike në vend dhe ato ballkanike.

Së shtati, këto kuvende janë ndër faktorët parësorë që treva e Mirditës mbeti e lirë dhe e pavarur.

Së teti, të gjitha vendet e mbajtjes së këtyre kuvendeve dhe vetë Mirdita si një e tërë kanë të bëjnë me një qëndrim të prerë që në formë të organizuar të përballoheshin  trysnitë e ashpra  otomanoislamike.

Së nënti, vetë kuvendet ishin ashti më thelbësor e më jetik i Mirditës. Ato përbëjnë një vlerë tonën identitare të papërsëritshme. Në to u vendos gurthemeli i gjithë mënyrës së jetesës dhe funksionimit ndërshoqëror, ndërnjerëzor e familjar.

Në  kuvendet e burrave pleqnimi i çështjeve ka të bëjë me ato çështje që në një kohë  kur vendi ndodhej në një rrugë pa krye të gjendej gjithnjë rruga e duhur.

Në kuvendet e Mirditës të kësaj periudhe shfaqet individualiteti shqiptar, i kristalizuar prej shekujsh, që sanksiononte dhe shprehte një ide të vetën dhe të pa tjetërsueshme  çlirimin kombëtar dhe formimin e një shteti të mirëfilltë shqiptar.

Kuvendet ishin forma më e lartë e organizimit politik e shoqëror, ku u krijua dhe bërthama e kancelarisë shtetërore. Vendimet dhe memorandumet të vërtetuara dhe nga vulat dhe firmat e autoriteteve drejtuese vendore, apo më gjerë; si dhe raportet e krijuara me  kancelaritë europjane tregojnë për madhështinë dhe peshën  e autoriteteve shtetërore vetëqeverisëse sipas vendimeve në Kuvend.

Nga dokumentet dhe kërkesat e krerëve të kuvendeve  vemë re se këto kuvende e paraqisnin veten në plan të barabartë me shtetet, me princat dhe me mbretëritë perëndimore me të cilat zhvillonin takime dypalëshe e shumpalëshe, jo në pozitat e nënshtrimit. Natyrisht shumë prej kuvendeve ne i njohim nëpërmjet korrespondencave me kancelaritë europiane pa mundur të shfrytëzohen dokumentacionet bazë të arkivave të tyre, kjo për vetë faktin se  ato u mbajtën në kushtet e pushtimit, në kushtet e një lufte të pandërprerë për çlirim dhe shumë prej këtyre dokumenteve humbën dhe u shkatërruan.

Vetë tradita vetëqeverisëse e trashëguar ndër breza në Mirditë, kishte organin më të lartë politik e vendimmarrës, Kuvendin.

Mirditasit e ruajtën flamurin kombëtar dhe nuk pranuan që në ekspeditat ushtarake  të radhiteshin, pas ndonjë flamuri  tjetër.

Mirdita është njëra ndër trevat që nuk iu nënshtrua pushtuesit e mbeti e pavarur, me një popull që krijoi dhe ruajti një traditë të mirëfilltë dhe pastërtisht shqiptare. Mirdita vjen e tillë:

- Trevë që përherë ka qenë e lirë e panënshtruar dhe se këtë liri e ka mbrojtur me sakrifica të mëdha.

- Krahinë indipendente, pavarësi të cilën e ka fituar falë mosnënshtrimit, luftës së paepur për atdhe, fe, gjuhë e flamur. 

- Krahinë me institucione të hershme fetare katolike, të kthyera në çerdhe të dijes, kulturës dhe atdhetarizmit qysh herët, kur në portën e Abacisë së vjetër të Ndërfanës u gdhend për herë të parë në mbishkrimin epigrafik të Gëziqit togfjalëshi  “Kombit të denjë”.

- Trevë me një kompaktësi të çuditshme, gjithnjë unike e bashkuar, në luftë për atdhe, përherë e orientuar në përputhje me interesat mbarëkombëtare.

-Trevë ku mikpritja dhe besa është traditë e kjo më së miri vjen nëpërmjet relatorëve të huaj, të cilët nuk hezitojnë të shkruajnë se në Mirditë shtëpia është e mikut dhe e zotit.

-Treva ku toleranca ka vend të spikatur. Aq sa Hekardi vlerëson se Mirdita është “një lloj republike aristokratike: kapidani nuk mund të marrë asnjë vendim pa pleqnimin e pleqve dhe të bajraktarëve të mbledhur në kuvend”

“Çfardo fjalë e punë me e vue dera e Gjomarkut, po s’i nejtën a s’e pëlqyen  krent e dheut, s’ngul e s’xen vend”.

  • Treva ku qëndresa për mosislamizim, mostjetërsim në gjuhë dhe identitet kombëtar, është si askund tjetër dhe ishte aq heroike, aq sublime, vetmohuese, e pse jo dhe aq e shkëlqyer dhe aq serioze sa veç në Mirditë.

Një ndër faktorët më të rëndësishëm janë kuvendet e organizuara në këtë territor, disa prej të cilëve të mëdha ose ndërkrahinorë e gjithëshqiptare, e disa të tjerë krahinorë. Pra nëse bëjmë fjalë për njërën ndër qendrat më të rëndësishme të qëndresës, ndër të paktat treva vetëqeverisëse dhe të panënshtruara, faktori kryesor mbetet mënyra e organizimit të banorëve dhe parësore kuvendet, të cilat kanë sanksionuar, kanë vendosur dhe u kanë qëndruar besnikë vendimeve të marra në to.

Vendimet e miratuara në kuvend , duheshin respektuar me doemos.

Kanuni i Lekë Dukagjinit  në (Nye i Njëqindekatërdhjetwtët “Burrat e Malevet të Shqypnisë në kuvend” shkruhet:

“ 1106.  Kuvendi asht nji bashkim fisit a fisesh me Krenë, Pleq, Sterpleq e Vogjli a Djelmni të dheut, që kan qëllim me rrahë ndonji çashtje a me lidhë ndonji besë.

1107.  Kuvendet bahen pjesnisht  a edhe përgjithësisht.

1108 Kuvende të pjesshme janë ato të kuvendeve, në të cilat marrin pjesë Pleq, Sterpleq, e Vogjlija e njij katundi.

1109. Të pjesshme thirren edhe ato kuvende, në të cilat bashkohen të gjithë Pleq e Sterpleq e Vogjlija e Fiseve të ndryshme, qi sundohen prej njij Kreut.

1110. Kuvende të përgjithshme janë ato, në të cilat bashkohen Pleq, Sterpleq, Vogjli me Krenë e me derë të Gjomarkut.

Ndërsa në Nye i Njëqindekatërdhjetwnandët ku flitet për “Vende Kuvendesh” shkruhet:    

1112 Bashkime kuvendesh mbahen a ndër oborre Kishash, a ndër rrënime të vjetra faltoresh, a në zemër të vendit.

  1. Mirdita në Shën  Pal a në  Grykë t’Oroshit
  2. Lura  tu Kisha  në katund të vjetër
  3. Thkella  tu kroni i Fikut në Perlat.....”

                                              Pjesë nga; “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Shtëpia botuese “ Kuvendi” , 1999, f. 99-100.

Që prej vitit 1570 kur u themelua Lidhja e Madhe e Mirditës, e deri në vitin 1912, në Mirditë janë mbajtur e janë organizuar dhjetra kuvende të mëdha, aq sa me të drejtë në historiografinë shqiptare kjo trevë pa frikë mund të quhet trevë e kuvendeve të burrave.

Nëse ne trajtojmë kuvendet kryesore të Mirditës, ka pasur dhjetëra kuvende të tjera, të cilat kanë ndikuar dhe kanë përcaktuar jo vetëm të drejtën vetëqeverisëse të kësaj krahine e vetme për nga lloji i vet, por dhe kanë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e së drejtës dokësore dhe zakonore të kësaj treve.

Institucioni i kuvendit ka qenë institucioni mbi të cilin nuk mund të dilte askush, jashtë tij dhe nuk mund të vendosej për asgjë. Ishte ky institucion që vendoste dhe sanksiononte gjithçka, duke mundësuar jo vetëm mbijetesën e kësaj bashkësie krahinore, por dhe të gjitha zakonet, ligjet, traditat që zinin fill aty ku fjala merrte peshë dhe kthehej në ligj.Janë këto kuvende që e bënin Mirditën “një krahinë ma me rëndësi në të gjithë Shqipërinë”,   siç pohon Dom Ndoc Nikaj.

Sot ndodhemi përballë një civilizimi të rremë ku në parlament dëgjohen britma, thirrje, fyerje, sharje derisa zëri i parlamentarëve zë e fiket po sharjet e fyerjet nuk fiken e nuk sosen. A thua se nuk e dinë se fjala vret si rrufeja ajo fyesja e pa vërteta. Veshur në luks deputetët e shitur e mendjelehtë dalldisen, harbojnë, harbojnë. Modelin e epërm mashkullor mundohen ta shprehin ne mesazhet e tyre të pista.

 Si budallenj, ashtu dhe harbutë, me sy të picërruem e me zë kërcënonjës me ndërgjegjen në mungësw, deputetët ngjajnë më një mizëri hajdutësh. Aty zijejnë gjithë epshet, dëshirat, përpjekjet dhe qëllimet kobndjellëse. Për popullin leçisin moral. Ndërsa populli ah, varfëri, frikw dhe vetmi e hidhur, i torturuar dhe i varfër, me fytyrë njeriu të ofendojnë, të torturojnë, të hedhin në varfëri. Të të godas me vuajtje dhe me mundime. Rënkimet njerëzore dëgjohen përunjësisht, veshëmprehur, zemërlëshuar shfaqet e verteta tronditëse në fjalët pa fre plot britma, për një qëllim të panjohur. Fjalët e tyre s’e fshehin dot të vwrtetën. E me njerëzit e varfër zgërdhihet koha shtrigë.

 Ah e qeshura e tyre, dhëmbët që të fusin frikën edhe kur qeshin jo më kur skërmiten. Një vështrim i ligët si vështrim meduze. Te drejtuesi i shtetit sheh mashtruesin e pabesw. Sa dhemb shpresa e thinjur në këtë kohë nën kthetrat e stuhive. Udhën na ka zënë e s’na shohin Zotat.

Me zëmër i varfëri sheh përmes verbimit, natëzezën në lajmet e rreme në udhëkryqet e fatëkeqësive të veta. Ani ruaje fjalën mërmërit edhe pse vërejtur është ëndrra.

Ç’është kjo pjellë e keqe që ngjitet deri në atë tempull të shenjtë pyet veten por përgjigje nuk ka e s’ka nga kush ta ketë. Vetëm zoti në na ktheftë përgjigje, mërmërit.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat