Rasti i ambasadorit Martin Berishaj, duhet të sqarohet sa më para nga ana e MPJD-së..!?

Opinione

Rasti i ambasadorit Martin Berishaj, duhet të sqarohet sa më para nga ana e MPJD-së..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 24 prill 2022 Në ora: 19:04
Rexhep Elezaj

Rasti i përfolur në mediat sllovene (Planet-TV) para ca ditësh dhe i komentuar në mediat në Kosovë, për shkak të ndikimit negativ që mund të ketë në imazhin e Kosovës në qarqet diplomatike ndërkombëtare, dyshimi se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, paskësh qenë i involvuar në një aferë financiare në Slloveni, duhet të sqarohet sa më para që është e mundur nga ana e MPJD-së !

Por, nëse eventualisht ky dyshim rezulton si i vërtetë, se z. Berishaj paska qenë i kyçur në këtë aferë financiare, pa dyshim se do ishte ky skandali më i madh i ndodhur në diplomacinë e Kosovës, për të cilin ministrja Gërvalla-Schwarz dhe zyrtarë tjerë në MPJD do duhej të jepnin dorëheqje të parevokueshme, ndërsa ambasadori ynë do duhej të përgjigjej para organeve të drejtësisë !

Kur e themi këtë konstatim, se në rastin më të keq dhe kushtimisht del se ambasadori Berishaj paskësh qenë pjesë e kësaj afere korruptive, pra se ministrja dhe zyrtarë të MPJD duhet të japin dorëheqje, ne, gjithmonë i kemi parasysh përcaktimet dhe synimet tona nacionale, që si shoqëri dhe si shteti më i ri në Evropë, sa më para të bëhemi pjesë integrale e BE-së dhe e popujve të civilizuar të Evropës. Pra, dihet se intencë kryesore e jona është të bëhemi qenie e plotë e shoqërisë evropiane, aty ku normat kushtetuese, morale dhe ligjore janë mbi çdo vlerë tjetër, ku ato norma janë të shenjta dhe të paprekshme, pa marrë parasysh se për kënd bëhet fjalë.

Dhe, këto vlera dhe norma ligjore askush nuk i njeh më mirë se sa ministrja Gërvalla-Schwarz, e cila ka jetuar në Gjermani për gati 30 vite, në një shtet ligjor siç është Gjermania, ku askush nuk është mbi ligjin, ku të gjithë janë të barabartë para normave ligjore, dhe, ku askush nuk gëzon privilegje në punë apo diku tjetër për shkak të posteve zyrtare që mbanë. Pra, synojmë të bëhemi pjesë e një shoqërie ku secili qytetar ka obligime dhe përgjegjësi njësoi para ligjit, qofshin në pyetje sukseset apo dështimet, ku për një shkelje krejtësisht të vogël ligjore pason ndëshkimi i pashmangshëm, kuptohet sipas peshës së veprës penale si dhe dëmeve që ai, ose ajo, ia kanë sjellë shtetit dhe shoqërisë.

Prandaj, derisa në Kosovë vazhdon të shkelet Kushtetuta çdo ditë si dhe ligjet primare-bazike të shtetit, madje nga vetë ata të cilët janë të obliguar me ligj që t’i mbrojnë ato, siç janë ministrat, deputetet, kryetarët e komunave, zyrtarët shtetëror, gjykatësit dhe zyrtarët policorë, etj., siç ka ndodhur në 20 vitet e fundit, dhe askush të mos dënohet për hajni, korrupsion, uzurpime pronash shtetërore dhe private, për manipulime me tenderë si dhe përfitime të paligjshme në ekonomi, bujqësi dhe turizëm, etj., pra ku shteti dhe shoqëria vidhet para syve të popullit dhe shoqërisë, për të cilat veprime kundërligjore në Kosovë flitet dhe shkruhet çdo ditë me bujë, dhe askush të mos gjendet para drejtësisë deri më sot, hiç këtu disa raste të “peshqve” të vegjël, e që, nëse gjithë kjo maskaradë vazhdon të ndodhë edhe në të ardhmen, atëherë deklarimet verbale të politikanëve dhe udhëheqësve shtetërorë, se gjoja “po punojmë” me të gjitha forcat dhe mjetet për t’u bërë Kosova pjesë e BE-së dhe shoqërive ku sundon ligji (Rule of Low) si dhe morali njerëzor, ky anëtarësim i Kosovës në BE kurrë nuk do ndodhë, përderisa në shoqërinë kosovare dhunohen ligjet brutalisht me logjike e hajnisë individuale dhe kolektive..!?

Andaj, pa reforma rrënjësore në drejtësi si dhe respektim rigoroz të ligjeve, me të cilat mbrohen interesat e shtetit dhe popullit, para atyre personale dhe familjare, është plotësisht absurde të flitet për liberalizim të vizave, ose për integrim të shpejtë të Kosovës në BE dhe botën demokratike perëndimore, ku vlerë kryesore është morali i pastër si dhe edukata individuale dhe kolektive e njeriut, ku ai përbën shtyllën kryesore dhe ndërtuese të saj..!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat