“Rreziku” Anglo-Amerikan për…. Berishën

Opinione

“Rreziku” Anglo-Amerikan për…. Berishën

Pirro Prifti Nga Pirro Prifti Më 26 korrik 2022 Në ora: 11:32
Sali Berisha

Kanë kaluar shumë vite që nga viti 1982 kur diktatori Enver Hoxha botoi librin me kujtime `Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë`.

Çuditërisht sot pas 40 vitesh përsëri ky `rrezik anglo-amerikan` ka kapur Berishën, dhe nuk se është rastësi. Gjithmonë ky rrezik qenka i pranishëm tek udhëheqësit me natyrë diktatoriale të cilët në një farë mënyre me politikat e tyre bien ndesh me politikën gjeo-politike të anglo-amerikanëve. Deri më sot, të gjithë diktatorët dhe shtetet që kanë kundërshtuar gjeopolitikën anglo-amerikane, e kanë humbur betejën.

Cilësimi `non gratta` i ish presidentit dhe ish kryeministrit Berisha edhe nga anglezët pas `non-gratta` të SHBA mbetet një ogur i keq për të ardhmen e politikanit më të përfolur shqiptar.

Po ato faktorë për të cilat shkroi diktatori Enver Hoxha në librin e tij të kujtimeve me shtatë kapituj ku mbizotërojnë akuzat kundër anglo-amerikanëve dhe dështimet e tyre ndaj Shqipërisë komuniste të asaj kohe ku `pasqyrohet dështimi i përpjekjeve të imperialistëve anglezë për të krijuar një qeveri reaksionare në mërgim rreth Zogut, si dhe për të shpëtuar nga demaskimi e shpartallimi reaksionin e brendshëm në vend; premtimet e rreme për ndihma e armë, të cilat kurrë nuk u plotësuan; demaskimi i veprimtarisë së tyre agjenturore, si dhe i veprimeve të tjera armiqësore kundër popullit shqiptar dne Lëvizjes ANÇ`, - po këto faktorë mbizotërojnë në apologjinë e Berishës me të vetmin ndryshim se Berisha ka patur një flirt shumë të bukur me SHBA-në e Rajersonit dhe kryeministrat anglezë të kohës së tij, por djallëzitë e fshehta gjatë flirtit tani po japin paasojat e tyre në drejtim të ish-komunistit të vendosur të asaj kohe dhe të demokratit radikalist të kohës sonë.

Akuzat e anglo-amerikanëve ndaj Berishes janë ato për korrupsion ai vetë dhe familja e tij. Megjithë përpjekjet e Berishës për tu shfajësuar herë duke akuzuar Blinken me një pretendim për ta hedhur në gjyq në Francë, e herë duke i dërguar letër sekretarit të punëve të brëndëshme të Mbretërisë së Bashkuar për të publikuar akuzat që i kanë ngritur, nuk do të pinë ujë.

Sidoqoftë për këtë problem më kujtohet thënia e një plaku nga Vlora në kohën e Diktaturës, kur bisedonim për ngjarjet politike në Shqipëri veçanërisht për (vetë)vrasjen e Mehmet Shehut, plaku pas çdo pyetje i përgjigjej me një pyetje kuptimplotë:… `ç`thotë inglizi? Shikoni dhe veproni sipas përgjigjeve që jep inglizi për ngjarjet. Mos dëgjoni të tjerët`…. Dhe mesa duket paska patur të drejte. Fuqia Anglo amerikane në ditët e sotme akoma është më e forta dhe ajo drejton botën.

Anglo-amerikanët kanë patur dhe kanë sistemin demokratik më real dhe më të përshtatshëm në kohët kur jetojmë, dhe kjo tip demokracia u është servirur të gjithë botës së ditëve të sotme me hir apo me pahir. Është e vërtetë se sistemi kapitalist nuk është sistemi i përkryer, por nuk ka system tjetër më të mirë. Sistemi komunist dështoi, dhe sistemi kinez i variantit të komunizmit: `një vend dy sisteme` që ka patur sukses në Kinë duhet parë në periudhën afat gjatë se sa do të mbijetojë. Lenini u shpreh për sistemin komunist dhe atë kapitalist se.. `sistemi më i mirë do të jetë ai që ka rentabilitetin më të mirë`.

Këto filosofi të marksizëm leninizmit ka zbatuar dhe Berisha gjatë qëndrimit të tij në pushtet dhe për fat të keq nuk u adaptua me kapitalizmin e vertetë dhe demokracinë e vertetë, por zbatoi metoda të sistemit komunist në sistemin e ri ku hyri Shqipëria. Këto metoda të vjetra i shkaktuan dështimin në drejtimin e tij si udhëheqës i vëndit. Ai akoma edhe sot e kësaj dite zbaton taktikat enveriste për të sulmuar kundërshtarin kur thotë se nuk ka opozitar por ka armik?! Dhe se ashtu siç insistonte diktatori Enver Hoxha kur spjegonte se.. `armikun duhet ta sulmosh në çdo drejtim dhe në çdo veprim të tij edhe kur bën mirë edhe kur bën keq…`. Këtë taktikë radikaliste ka ndjekur Berisha gjatë kësaj kohe: o me mua o kundër meje.

Kjo ka shkaktuar konfliktet e mëdha në Shqipëri pas viteve `90, ku Partitë kanë qëndruar në llogore në vënd që të bashkëpunonin, dhe kanë hedhur e pritur akuza monstruoze kundër njëra tjetrës.

Kjo bëhej edhe për shkak që të mbulonin korrupsionin me të cilin pasuroheshin në fshehtësi. Por këto afera nëse në Shqipëri nuk janë dënuar deri tani, nuk u kanë shpëtuar anglo-amerikanëve kur bëhet fjalë kur këto afera kanë penguar diplomacinë e tyre.

Shpresojmë që akuzat e anglo-amerikanëve të jenë të sakta, sepse sa për drejtësinë shqiptare, përfshi dhe Vettingun, apo dhe prokurorët e SPAK-ut, Shqipëria nuk mund të dalë dot nga bataku i korrupsionit, mitmarrjes, rushfetit, dhe i tangërllëqeve fshatareske në politikën shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat