Përplasjet që ngadhnjejnë dritë

Opinione

Përplasjet që ngadhnjejnë dritë

Nga: Asllan Osmanaj Më: 27 gusht 2022 Në ora: 19:34
Tahir Bezhani

Jeta rreh me përplasje që askush nuk i planifikon. Udhëtimi  në sekonda, minuta, ditë… paragjykohet i gjatë. Gjithë kjo arkitekturë frymore shëmbëllen e shkurtër në dy krahecjet. Shëmbëllimi mbetet shëmbëllim. Objektiviteti përcakton kufinjtë. Të jetës së lindur e shuar pa asnjë zhurmë, pa asnjë shenjë. Të jetës së budallenjëve, idiotëve, psikopatëve. Kjo është fatkeqësia e kësaj kategorie dhe që nuk e hasim rrallë. Ende më e lemeritshme është ajo që përfaqëson shpirtvogëlakët zuzarë të errësirës. Saqë as dheu më i përgërë nuk ua prenon as hirin. Po përmasat e jetës nuk paskan skaje. Në fundoret e saj ndodhka që të ketë shkallë të ylberta drejt diellnajës. Se deri në ç’lartësi do e përcaktojë koha. Ajo që dihet e përcakton fakti se kur hiri kthehet në valse shprese , terrinat si qelbësira të netëve kanë ngordhur. Mes këtyre përplasjeve të egra, lum ai që pozicionohet në kahin e duhur e pa aspak ndrojtje.

Krijuesi i disa gjinive Tahir Bezhani, vjen para lexuesve me librin më të ri “Valset e hirit” si me një kurorë aurolash fisnikërie. Përsosmërisë artistike nuk ia ka gjetur kush fundin. Këtë s’mund ta themi as për Tahirin. Veç qartazi del në pah, se nga libri në libër, ngjitet në shkallët e mësipërme. Kjo na kënaqë! Stdudimi, hulumtimi, thellimi i përjetimeve meditive, aftësia për të nxjerrur në dritë të vyerat dhe thjeshtësia e maturisë natyrale e kanë bërë më të çiltër, më të përgjegjshëm, më kuvendor e njerëzor. Dhe duke u përcaktuar bashkërendimin vendor të secilës kategori të rrugëtimit bashkohor. Tahiri i skalit dukuritë e jetës nëpërmjet artit të vështrimit të tij: ku lulet rikthejnë jetën, shpirtkeqi fundoset dhe psikopati ngutësohet si simbol vigjilence nga terri. Përfundimi për këtë burim rrjedh nga motive i tij me shprehjen: “Shpirti jeton në prehër të shpesës”. Lëngatat shekullore i përcakton me tezat e të kundërtave që sythojnë  / u zvogëluam, u rritëm/, / ramë e u ngritëm/. Po dhimbjen për dritën nuk e përballon. Ndaj pisket me revoltë për dashuri përkujdesjeje… u shpërndamë nëpër botë, nuk nihemi mes veti. Duke parafrazuar se vetëm në rrënjë garantohen pipat e mostjetërsimit e vazhdimësia e gjakut. Në vargjet e tij gëlon vendlindja, trojet zanafilljane të shndritura nga artësia e lotëve mallëngjyes. Besoj se s’ka poet që nuk i don fëmijtë (madje edhe ata pa lidhje afrie), por dashuria e Bezhanit, me formën e shprehjes sikur i mbështjell ata mes harkut të dashurisë së çeliktë nga nëntoka deri në hapësirat qiellore. Tek e puthte të birin gjatë e gjatë, e lehtë e pa e zgjuar e vet gëzohej e lumturohej si fëmijë.

Pavarësisht, grepacimit të ndonjë përplasjeje organike Tahiri nuk është vetëm poet i egërsisë përcaktuese. Përkundrazi, ai përjeton, kujteson e vlerëson edhe ndjenjat e holla të dashurisë; si të realizuara edhe të mbetura peng si dritë kujtimi me një urim pa lamtumirë. Ku dashuroi me zemër e pa dëshmi. Kështu ndodh me miken e vjetër, ku donte një shi puthjesh, kur ajo qante me lotin e zhuritur. Ku mbetën të ngrirë para heshtjes së hores së qelbur.

Jeta shqiptare kurrë s’ka kaluar orë pa përplasje të reja. Që pa përthithur emocionet pararendëse ngarkohet me të tjera të reja. Duke qënë të ngarkuar, ndodh diçka që të mbingarkon. Kjo peshë e skajshme shkakton shpërthimin e Bezhanit. Këto përplasje të çuditshme të natyrës stilistike të tij ndodhin brënda një poezie, brënda një vargu. Ku godet, vret e kthjellohet me mirësi reflektive. Duke u hedhur tek fillesat e shpirtrave të paepur shprehet, se hirin tim as kripa e as loti nuk e tretin …

U përpoqa të shpalos  një sintezë etiko-filozofike të këtyre poezive pa shumë referenca. Vetëm që lexuesve të mos u zbeh kërshërinë për të shijuar kënaqësitë që përcjell libri. Sado i vëjnë prita, çdo shkrum i zënë buzët, çdo dhimbje që ja kthejnë eshtrat në hi, shpirti poetik i Tahir Bezhanit ngjitet e ngjitet, ngjitet lart. Ku shfaq edhe një veti të karakterit individual. Si ajo e zbutjes së revanshit të egër hakëmarrës duke i hedhur në humnerë keqëbërësit e kombit, kur thotë: “Vdekatarëve nuk u kërkohet gjykimi…”! Shënjestra e tij shënjon njollat e errta si këmbrrahje fundosjeje dhe për të tjerët ngjitje horizontesh të dobishme.

Edhe pse ka shkruar në disa gjini del qartazi lidhja e fuqishme e T. Bezhanit me vargun (poezinë). /Mos ik vargu im, shprushe shpirtin, se ngroh zemrën, edhe në acar! Merreni me kënaqësi librin edhe pse në fillesat pamore nuk ngjan shumë me paraqitjet klasike të poezisë ; pa strofat, metrikë as muzikalitet. Po menjëherë bindeni se tonet e brendshme apo të jashtëm, në çdo regjistër krijojnë një harmoni ritmi e temporitmi me një ndiesi ndjenje të fuqishme e përthithjeje që të pushton shpejt e tërësisht. Kjo është risia e stilit poetik të Tahir Bezhanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat