Lulzim Basha është imperativ i kohës

Opinione

Lulzim Basha është imperativ i kohës

Nga: Skënder Kapiti Më: 28 gusht 2022 Në ora: 13:01
Skënder Kapiti

Duhet çmontuar sistemi i korrupsionit në Shqipëri, në mënyrë që të clirohen liria, demokracia, ligji, patriotizmi, vlerat, shteti dhe morali.

Është detyrë e intelektualizmit dhe e intelektualëve pozitivist dhe të guximshëm që të mbështesin cdo nismë politike ndryshimi që premton ndryshim dhe progres në të mirën e përgjithshme kombëtare kundër pandryshueshmërisë dhe kundër krimit,hajdutërisë e korrupsionit të cilat i bëjnë dëme shumë të mëdha shtetit dhe shoqërisë. Intelektualët dhe akademikët indiferentë e të korruptuar, dhe ata frikacakë e servilë të pushtetit e të parasë janë bashkëfajtorë dhe shoqërisht të dëmshëm njëlloj si politika e media e korruptuar dhe mercenare.

Tani shqiptarët duhet të shpallin “non grata” edhe ata që mbështesin të shpallurit “non grata” nga SHBA; duhet të shpalin non grata edhe ishkomunistët e ishsigurimsat e shtetit, duhet të shpallin “non grata” edhe korrupsionin dhe bartësit dhe mbështetësit e tij.

Pra, shqiptarët duhet të bëjnë atë që po bëjnë dhe që po kërkojnë SHBA dhe BE. Si është e mundur që jo pak intelektualë dhe që pretendojne e rrahin gjoksin dhe përbetohen si kampionë proamerikanizmi, si ka mundësi që këta dalin kundër SHBA-ve pse ajo shpall non grata Sali Berishën. Kjo nuk është gjë tjetër vetëm pafytyrësi dhe hipokrizi, por edhe si një borxh që ata i detyrohen të shpallurit non grata, ashtu siç bëjnë e veprojnë edhe mediat e mediatikët që e zënë ekranin duke promovuar Berishën si kryetar të PD-së kur gjykata nuk e njeh si të tillë por as nuk e njohin as ndërkombëtarët; mediat të cilat promovojnë mashtrime e manipulime politike në mbështetje të politikës së korrupsionit me të cilën mediat nuk është vështirë për të konstatuar ortakërinë e tyre me korrupsionin politik.

Pra, shqiptarët duhet të bëjnë atë që po bën Lulzim Basha jo vëtëm me PD-në, por me tërë politikën shqiptare i cili është domosdoshmërisht dhe imperativi i kohës për ndryshim.Shqiptarët nuk duhet të bien e as të mbeten pre e politikës së vjetër, e cila e konsideeron herezi mendimin dhe politikën e re dhe ndryshe nga ajo e tyrja.

Unë gjithmonë kam kërkuar nga PD që të mos lejonte nga radhët e saj që të kishte kandidatë e deputetë, qeveritarë e kuvendarë lokalë ishkomunistë dhe as sigurimsa shteti. Kjo më kushtoi shtrenjtë sepse po nuk ishe i tillë: me trashëgimi komuniste dhe me dosje spiuni në PD nuk bëje dot karrierë politike. Nuk bëje karrierë politike, por survejoheshe dhe të imponohej edhe largimi nga PD po të mos kishe dakordësi të plotë me atë që thoshte, mendonte e dëshironte Berisha. Unë gjithmonë kam kritikuar manipulimin dhe josinqeritetin e lidershipit të PD-së ndaj desidencës antikomuniste. Dhe e dija se një ditë do plaste kupa dhe në PD do vinte ndryshimi.

Dhe për këtë triumf të lirisë së mendimit dhe të konkurencës së lirë në PD ka meritën e madhe se këtë e bëri vetëm Lulzim Basha, te i cili kam pasur besimin që kur ai erdhi në krye të PD-së, pavarësisht se e kishte shumë të vështirë një ndëmarrje të tillë politike.

Duke e parë lidershipi i vjetër i PD-së ,si dhe tërë politika e vjetër faktin se Basha ishte kërcënim për ta, atëhere ata të tre Berisha, Rama e Meta u bënë bashkë kundër Bashës, duke angazhuar të gjitha energjitë negative si paranë, shpifjet,korrupsionin, mediat dhe gënjeshtrat e mashtrimet gjithfarëshe kundër Bashës.

Prandaj them me të drejtë se Basha është imperativ i kohës, domosdoshmërisht.

Shqiptarët kanë për aleat strategjik dhe jetik SHBA-të.Kjo për faktin se janë SHBA-të, ato të cilat kanë mbështetur shqiptarët, dhe janë SHBA-të ato që kanë garatuar sigurinë dhe ekzistencën e Shqipërisë, dhe janë po SHBA-të ato prej të cilave është sot edhe shteti i ri shqiptar i Kosovës.

Këtë e dinë të gjithë shqiptarët.

Në Shqipëri duke qenë se vetë shqiptarët për mungesë tradite demokracie dhe mospërvoje të shtetit ligjor, dhe prandaj SHBA-të janë vendimtare edhe në përmbysjen e komunizmit, për vendosjen e demokracisë si dhe sot për shtetndërtimin modern e ligjor të Shqipërisë, për antarësimin e Shqipërisë në NATO, për reformën e Veting-ut në drejtësi dhe për “non grata”, për sanksione të politikanëve shqiptarë të cilët janë zhytur në korrupsion , që mbrojnë korrupsionin dhe që pengojnë demokracinë dhe funksionimin e ligjit, si me rastin e ishkryeministrit , ishpresidentit dhe ishkryetarit të PD-së Sali Berisha. Në këto kushte ishKryetari Lulzim Basha ndërmori veprimin e duhur, atë të përjashtimit të deputetit Sali Berisha nga Grupi parlamentar i PD-së pas shpalljes së tij “non grata”, me argumentimin e duhur se nuk mundet që PD-ja, si partia më proamerikane në Shqiperi te kishte një deputet të shpallur non grata nga aleati strategjik, SHBA.

Pas kësaj Berisha filloi një fushatë anti Basha për të maskuar antiamerikanizmin e tij , duke organizuar ato që ai i quan foltore. Atij kundër Bashës dhe kundër SHBA-ve iu bashkuan disa deputetë të PD-së, si dhe ishdeputetë e ishfunksionarë të PD-së, dhe jo vetëm ata por tërë llumi korruptiv i politikës së vjetër, dhe ata të tjerët të shpallur non grata së bashku me mediat dhe oligarkët e korrupsionit.

Pra, opinion publik shqiptar duke parë këtë gjëndje, populli demokrat duhet të shpallë “non grata”, të padëshirueshëm dhe t’i dëbojë nga politika edhe ata deputetë e politikanë të cilët janë kundër SHBA-ve, që janë kundër ndëshkimit dhe avokatë të korrupsionit. Antarësia dhe elektorati i PD-së duhet të distancohet nga korrupsioni dhe nga antiamerikanizmi i foltoristëve dhe duhet ta mbështesë Bashën në rrugën drejt ringritjes dhe konsolidimit të PD- së; duhet ta mbështesë Bashën për Veting-un, për ndarjen e PD-së nga tranzicioni,për dekomunistifikimin, dekriminalizimin,duhet ta mbështesë në luftën kundër korrupsionit dhe për vënien në funksionim të demokracisë dhe të shtetit ligjor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat