Pedofilia - sekreti i një fëmijërie të shkatërruar

Opinione

Pedofilia - sekreti i një fëmijërie të shkatërruar

Nga: Agim Arifi Më: 3 shtator 2022 Në ora: 07:06
Agim Arifi

Termi më i përdorur për abuzimin seksual të fëmijëve është pedofilia. Pedofilia nënkupton një çrregullim të zgjedhjes seksuale, në të cilën një person i percepton fëmijët para adoleshencës si emocionues seksualisht. Pedofilia është një çrregullim psikologjik që, ndoshta, te shumica e pedofilëve nuk kthehet kurrë në akt konkret. Abuzimi seksual i fëmijëve është forma më e vështirë e abuzimit sepse zakonisht përfshin forma të tjera të abuzimit, si abuzimin fizik dhe emocional. Abuzimi seksual i fëmiut është i mbështjellur me fshehtësi, e cila mbetet thellë e zhytur në shpirtin e fëmijës, duke lënë pasoja të përherëshme psikofizike dhe sociale në zhvillimin e tij të mëtejshëm. Abuzimi seksual i fëmijëve më së shpeshti ndodh brenda familjes dhe në shumicën e rasteve dhunues janë meshkujt (babai, njerku, vëllai, kushëriri, etj.). Megjithatë, abuzimi mund të ndodhë edhe jashtë shtëpisë, dhe abuzues të mundshëm janë trajnerët (e sporteve të ndryshëm), fqinjët, mësuesit, kriminelët......

Pedofilia e ka origjinën nga fjalët greke payós - fëmijë dhe filéó - dashuri, puthje dhe përfaqëson prirjen e sëmuar seksuale, d.m.th. një çrregullim seksual ndaj fëmijëve të seksit të njëjtë ose të kundërt. Abuzimi seksual i fëmijëve (pedofilia) përkufizohet si një marrëdhënie ndërvepruese midis një fëmije nën moshën 14 vjeç dhe një të rrituri, në të cilën fëmija është një objekt kënaqësie seksuale ose një objekt për përmbushjen e nevojave seksuale të të rriturit. Pedofilia është një orientim seksual, një preferencë jo e natyrshme seksuale ndaj djemve, ose në përgjithësi ndaj fëmijëve të njëjtit seks ose të kundërt, vepër e sanksionuar penalisht.

Abuzimi seksual përfshin një sërë veprimesh të ndryshme ndaj një fëmije, të cilat mund të ndryshojnë në intensitet dhe frekuencë. Ato mund të përfshijnë kontakt fizik (gjenital ose oral), në disa raste me përdorimin e forcës, ose mund të jenë pa kontakt fizik, të tilla si ekspozimi i një fëmije ndaj materialeve pornografike, bërja e aludimeve dhe komenteve seksuale, si dhe formave tjera.

Sot, ekspertët përgjithësisht pajtohen se afërsisht një nga tre deri në katër gra dhe një në gjashtë burra kanë përjetuar një formë të abuzimit seksual si fëmijë. Besohet se shumica e fëmijëve janë abuzuar nga persona të njohur, ndërsa një numër më i vogël i abuzimeve seksuale të raportuara janë kryer nga persona të panjohur ndaj viktimave. Shumë raste mbeten të pazbuluara, më shpesh kur dhunuesi njihet me fëmijën. Vlerësohet se vetëm rreth 10% e rasteve të abuzimit seksual zbulohen, dhe një përqindje akoma më e vogël ndiqen penalisht dhe dhunuesit dënohen. Nga numri total i veprave penale seksuale ndaj fëmijëve, të regjistruara llogaritet se 25-30% e tyre kryhen nga pedofilë.

Shkaqet e sakta të pedofilisë nuk dihen. Ka të dhëna se ky çrregullim është më i shpeshtë në disa familje, por nuk dihet me siguri nëse kjo është për shkak të gjenetikës apo sjelljes së mësuar. Shumica e njerëzve me prirje pedofilike janë heteroseksualë dhe shumë janë të martuar dhe kanë fëmijë. Edhe pse pedofilët konsiderohen kryesisht meshkuj, ka edhe pedofile femra. Ata janë abuzuar më shpesh vetë në fëmijëri.

Pedofilët zakonisht nuk janë të dhunshëm në marrëdhëniet me fëmijët, por gradualisht i afrohen fëmijës dhe fitojnë besimin e fëmijës dhe familjes së tij. Ata në njëfarë mënyre e "joshin" gradualisht viktimën e tyre. Shumë shpesh, përmes strategjive të para-zhvilluara dhe afatgjata, ata mbledhin të dhëna për fëmijën dhe kështu gradualisht bëhen pjesë e jetës së fëmijës. Njohja me fëmijët shpesh bëhet nëpërmjet internetit, i cili është një mjet veçanërisht i përshtatshëm që e bën më të lehtë për pedofilët takimin dhe marrjen e informacionit nga një fëmijë. Pas kësaj, ata fillojnë të reduktojnë rezervën e fëmijës për seksualitetin duke i ofruar fëmijës lojëra dhe aktivitete që përfshijnë zhveshjen, duke filluar të bëjnë komente seksuale ose duke i treguar fëmijës materiale pornografike. Kështu nisin abuzimin.

Një numër i madh pedofilësh iu drejtohen familjeve që janë të varfra, prindërve që janë të mbingarkuar, nënat vetëushqyese që mirëpresin mbështetjen, familjeve në të cilat është e pranishme sëmundja dhe familjeve në të cilat, për këto ose disa arsye të tjera, kujdesi ndaj fëmijëve është neglizhuar ose fëmijët janë braktisur apo lënë fatit të tyre. Më pas pedofili vjen si një shpëtimtar që ofron ndihmë ose mbështetje, lë përshtypjen e një personi të sjellshëm, me qëllime të mira, gjithmonë i gatshëm për të ndërhyrë dhe për të ndihmuar. Nëse viktima është e familjes së varfër, për shembull, pedofili do ta ofrojë atë me lodra të shtrenjta, celularë; nëse ajo është e vetmuar, pedofili do të paraqitet si mik. Në shumicën e rasteve, personi është i vëmendshëm ndaj fëmijës, luan dhe ka shumë mirëkuptim për fëmijën, sillet në mënyrë miqësore, mund të ofrojë një lloj ndihme ose parash dhe në të njëjtën kohë përpiqet të zbulojë sekretet e familjes ose të fëmijës. Kur një pedofil fiton besimin e fëmijës në këtë mënyrë, e bën më të lehtë që të mbajë të fshehtë sjelljen e tij abuzive, ndonjëherë duke e shantazhuar dhe frikësuar fëmijën.

Si reagojnë fëmijët

Reagimet e fëmijës manifestohen në nivelin emocional, fizik, të sjelljes, në nivelin e seksualitetit, funksionimit social, kognitiv dhe neurobiologjik etj., dhe varen nga një sërë faktorësh, si mosha e zhvillimit të fëmijës, marrëdhënia me dhunuesin, kohëzgjatjen dhe intensitetin e abuzimit, ose nivelin e funksionimit të fëmijës përpara abuzimit, ndjeshmërinë dhe qëndrueshmërinë e fëmijës, marrëdhëniet me figurat primare dhe dinamikën e familjes etj. Duke marrë parasysh këtë, reagimet e fëmijëve mund të jenë shumë të ndryshme, kështu që disa fëmijë nuk shfaqin pasoja negative të dukshme, ose i shfaqin ato dobët, ndërsa të tjerët mund të kenë pasoja të gjera dhe afatgjata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat