E drejta antikushtetuese e asociacionit, të ketë mundësi të propozimit të amendamenteve apo të ligjeve

Opinione

E drejta antikushtetuese e asociacionit, të ketë mundësi të propozimit të amendamenteve apo të ligjeve

Nga: Prof.Dr.Mazllum Baraliu Më: 11 shtator 2022 Në ora: 20:12
Autori prof.Dr.Mazllum Baraliu

IV. Asociacioni i komunave me popullsi shumicë serbe në Kosovë, sipas marrëveshjes së dytë të parimeve të vitit 2015, të lidhur në Bruksel në mes të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë.

Kjo marrëveshje (e dytë) për kinse parimet, në të vërtetë qëllim dhe objektiv kryesor të saj si duket, ka pasur përthellimin dhe begatimin e mëtejme të saj me kompetenca dhe autorizime shtesë të asociacionit të komunave me popullsi shumicë serbe.

Ad.1. pikërisht në pikën e parë të saj, marrëveshja e konfiguron juridikisht dhe esencialisht asociacionin ashtu siç ishte paraparë më parë (në vitin 2013) me marrëveshjen e parë dhe me vonë të konfirmuar përmes ratifikimit - me Ligjin mbi ratifikimin e marrëveshjes së parë, por edhe siç thuhet: “të bazuar në ligjet e Kosovës”.

Ad.2.Përmes pikës së dytë të marrëveshjes, asociacionit i njihet KARAKTERI I VEQANTË .Mirëpo në gjuhën angleze - DISTINCT CHARACTER - DON TË THOTË JO TË VEQANTË, POR TË DALLUAR, që më tutje mbase do të thotë se kemi të bëjmë me një asociacion me ingerenca dhe kompetenca ekzekutive. Rrjedhimisht nuk kemi të bëjmë me një OJQ., siç pretendonin qeveritë e papërgjegjshme në të kaluarën, duke dashur të kamuflojnë apo më saktë të fshehin nën rrogoz gabimet e tyre të pafalshme 0ndërlidhur me nënshkrimin dhe pranimin për aplikim të këtyre dy marrëveshjeve, POR kemi të bëjmë me një organizëm TË NATYRËS DHE TIPAREVE TË VEQANTA -VETËQEVERISËS të mirëfilltë dhe ndryshe nga asociacionet e tjera, duke inkorporuar këtu edhe atë të TË TANISHMIN të komunave të Kosovës, që është një OJQ ORDINARE.

Nocioni DEKRET si në shqip edhe në anglisht nuk korrespondon këtu fare me nocionin apo emërtimin e aktit juridik si STATUT, siç na është servuar padrejtësisht nga përfaqësuesit e Kosovës në këtë çështje dhe për hirë të së vërtetës, pakë më poshtë në këtë pikë të marrëveshjes, na reflektohet edhe nocioni a termi STATUT. Sidoqoftë loja terminologjike edhe në këtë marrëveshje, sikurse edhe në atë të parën – për asociacionin, është një lojë malicioze e dëmshme, e pahijshme që të ndodhë dhe të pranohet - në transaksionet kinse diplomatike ndërkombëtare dhe mbi të gjitha është një marrëveshje e dëmshme, turpshme dhe e papranueshme.

.Shqyrtime përkitazimore sa iu përket disave nga objektivat e pikës së katërt ( 4) të marrëveshjes në trajtim.

1.Le të fillojmë për shembull me togfjalëshin: “”fuqizim i demokracisë lokale”. Demokracia në esencë dhe në parim, nuk mund të klasifikohet në demokraci lokale, qendrore apo edhe tjetërfare. Ajo ka edhe natyrë edhe karakter edhe mision universal, human; të kudondodhshëm dhe utilitar; duke përfshirë sa më shumë njerëz dhe institucione në ushtrimin e saj.

Ajo pra zhvillohet dhe gjallëron edhe në nivel lokal, por nuk mund të përdefinohet si e tillë- pra e posaçme dhe e dhuruar vetëm për dikend (madje edhe në nivel lokal), ndërsa për dikënd tjetër jo - pra të mos i jepet dikujt tjetër, të mos jetë gjithëpërfshirëse dhe për të gjithë – pa dallim.

Pse? Sepse, demokracia edhe si substrat edhe postulat edhe si vlerë ose është universale – që do të duhej të vlej dhe aplikohej për të gjithë ose nuk ekziston fare. Mirëpo, këtu qëllimi i përpiluesit të marrëveshjes - si duket ka qenë që në dobi të asociacionit dhe anëtareve të tij, demokracinë kinse tua inkorporalizoj, veqorizoj dhe perimetrizoj si një substancë, organizëm, njësi dhe modalitet specifik vetëqeverisës - krejt ndryshe dhe si një pandam apo edhe me keq si një tandem konkurrues dhe veprues të pushtetit dhe mëvetësisë qeverisëse, mbikëqyrëse e mbi të gjitha kontrolluese të çdo gjëje në suaza të asociacionit.

2. :”Ushtrimi i vështrimit – që don të thotë kontrollit, autorizimeve dhe mbikëqyrjes së plote sa i përket zhvillimit të ekonomisë lokale”, në fakt nuk është fare ashtu.

Pse? sepse, të asociacioni kemi të bëjmë me bashkim komunash në një bashkë -si të përbashkët e cila realisht dhe objektivisht përbën një rajon ose edhe më saktë disa rajone (komuna me shumicë popullsie serbe nga i gjithë territori i Republikës së Kosovës të bashkuara në një bashkësi multikrahinore e rajonale e cila krijon një njësi të mëvetësishme rajonale vetëqeverisëse e territoriale (edhe një pushtet të ndërmjem të tretë nga ai ekzistues që me Kushtetutë dhe ligjet e Republikës së Kosovës e që quhet asociacion i komunave me shumë -cë popullësie sërbe.

3.Vështrimësia e plotë apo edhe më saktë fitimi i të drejtës, kompetencave dhe autorizimeve për ushtrimin e një pushteti të përbashkët të komunave të sublimuar në një entitet kuazishtetror –asociacion, është sqaruar në një masë a vëllim më përpara në këtë shkrim.

4. Në disa nga nënpikat vijuese të pikës së 4 katërt të kësaj marrëveshje, ndër të tjera, është paraparë: “afirmimi, promovimi, koordinimi, dhe avokimi i çështjeve me interes të përbashkët e asociacionit; ofrimi i shërbimeve për anëtarët e rinj; përfaqësimi i tyre te autoritetet qendrore, të gjitha sipas marrëveshjes në përputhje me ligjet e Kosovës. Mirëpo shtrohet pyetja më e logjikshme dhe më legjitime, se çfarë punësh dhe çfarë shërbimesh bën Republika e Kosovës, respektivisht organet dhe institucionet tona në ato pjesë të mrekullueshme të vendit tonë.

A nuk paraqet shkelje ligji dhe kushtetute, vënia në pozitë diskriminuese e qytetarëve, përmes përfaqësimit dhe reprezentimeve selektive, të shërbimeve selektive; të ofrimit të mundësive dhe të pozitës selektive dhe të pabarabartë para kushtetutës dhe ligjit etj.

Qytetarët në rast të funksionalizimit të një asociacioni të tillë – sidomos qytetari minoritar – joserb, do të mund të dilematizonte gjendjen e tij civile - para institucioneve, si është e mundur që edhe në mënyrë normative, një vistër i gjerë qytetarësh edhe në këtë shekull të ri të barazisë, të demokracisë e të globalizimit, të jetë i diskriminuar dhe selektivisht ose edhe abandonisht i anashkaluar dhe i privuar nga ushtrimi dhe praktikimi i të drejtës së përfaqësimit!

5. Në nënpikat pasuese të marrëveshjes duhet doemos përmendur se edhe: “formësimi i qëndrimeve me interes të përbashkët edhe bashkëpunimi edhe përfaqësimi edhe ushtrimi i pushtetit edhe me kompetenca shtesë, edhe sipas marrëveshjes së parë dhe kësaj të parimeve, mbështetën në primesa dhe krijim të një pozite favorizuese e mbi bazë etnike – për komunitetin serb në Kosovë dhe disfavorizuese e diskriminues për të gjithë qytetaret e tjerë të Republikës së Kosovës.

6. E drejta e të ashtuquajturit:” promovim të interesave të komunitetit serb të Kosovës” (pika 9 e marrëveshjes në shqyrtim), që kuptimisht dhe esencialisht do të thotë e drejtë entitore e përfaqësimit të një strukture vetëqeverisëse drejtë organeve dhe institucioneve qendrore - mbi baza etnike jo vetëm që është tejfavorizuese, por është edhe mbivendosje e dispozitave në fuqi të Kushtetutës së Kosovës dhe është diskriminuese në raport me të gjitha komunitetet e tjera në Kosovë.

Pse? Sepse, promovimi nënkupton edhe adresimin eksplicit të kërkesave të çfardolloji dhe vetëkupton ingerencë të caktuar zbatimore të asociacionit . Kjo pikë për më tepër literalisht i kundërvihet dhe në një mënyrë apo tjetër e abstrakton deri në mbivendosje nihiluese tekstin e pikës së 8 të kësaj marrë -veshjeje.

Përndryshe, përpiluesit e kësaj pike të marrëveshjes dhe marrëveshjes në tërësi, është dashur ta shfletojnë pak Kushtetutën dhe ligjet përkatëse të Republikës sonë e të shohin qartë e çiltër të shkruar e të shpallur, se pozita kushtetuese – juridike e komuniteteve minoritare, veçmas e komunitet serb, është e rregulluar dhe garantuar, po me këtë kushtetutë dhe këto ligje; madje më mirë, më lartë e më shumë se sa këtë e parashohin të gjitha standardët evropiane dhe ato ndërkombëtare së bashku.

7. E drejta e asociacionit, që në funksion të përmbushjes së objektivave të tij, të ketë mundësi, për të propozuar amendamente legjislative apo të legjislacionit, siç thuhet në pikën 10 të marrëveshjes, pa asnjë dyshim, as dilemë, vetëkupton përpjekjen e pajisjes - futjes dhe interferimit të asociacionit në fushën e posedimit të ingerencave legjislative, duke e fuqizuar kështu asociacion -in në një entitet pushtetmbajtës dhe pushtetprodhues; si një njësi serioze administrative-territoriale dhe vetëqeverisëse - me fuqi taksative edhe legjislative, gjë që OJQ-ve (siç pretendohet të simulohet dhe kamuflohet rroli dhe karakteri kinse i asociacionit si një organizatë joqeveritare,) nuk iu takon as me kushtetutë dhe as me ligje të tjera të Republikës së Kosovës; madje as gjetiu – askund.

8.Tendenca për ta mveshur a pajisur asociacionin edhe me të drejtën për të iniciuar por edhe të marrë pjesë në procedurat e gjyqësisë së rregulltë dhe asaj kushtetuese, është kërcim bosh në kapërcimin e pretenduar të hullisë imagjinare, sepse kjo tendencë kapilare, në fakt paraqet përpjekje të dështuar të përpiluesve të marrëveshjes, që të barasvlersojnë deri në glorifikim - kompetencat, pozitën dhe fuqinë kushtetuese - juridike të asociacionit me institucionet më relevante dhe më supreme të vendit, siç janë bie fjala Kuvendi i Kosovës, Presidenti dhe Qeveria e Republikës.

Pra kjo zgjidhje e propozuar në marrëveshjen e dytë të parimeve përkitazi me asociacionin, paraqet jo vetëm shpërputhje, por edhe shkelje klasike dhe flagrante të dispozitave të Kushtetutës sonë. Kjo tendencë e çimentimit dhe suprematizimit të rolit dhe pozitës së paprekshme – sipas modelit dhe modusit (noni me tangere) të asociacionit dhe tabelarizimit impozant të po këtij asociacioni, në muralin ikonografik të hierarkisë institucionale të Kosovës, vërtetë është shembull i një perfiditeti po ashtu ikonografik e të pa presedan.

9. E drejta për të nominuar përfaqësues të asociacionit në institucionet a organet qendrore (pika 13 e marrëveshjes), pa mëdyshje që paraqet një lloj ndërhyrje në punët, veprimtarinë e përditshme dhe ingerencat e këtyre institucioneve qenësore. Një kërkesë e tillë tekstuale (çuditërisht dhe si në mungesë elementare të ndjesisë dhe kujdesit ndaj shtetit të vetë, por edhe korrektësisë elementare – gjenerale), nuk ishte dashur të figurojë në tekst të marrëveshjes, sepse, Kosova ka një ligj të veçantë për sigurimin e informacioneve dhe të dhënave përkatëse të të gjitha institucioneve të vendit. Ndaj përse iu dashka dikujt - në këtë rast insistentëve të asociacionit në Beograd, Bruksel e Prishtinë, që të ketë edhe monitorim të punës së organeve dhe jo vetëm informim nga puna e tyre edhe ashtu edhe kështu obligimisht dhe ligjërisht duhet që të jetë transparente, e qasshme, transparente dhe publike.

V. Asociacioni i komunave me popullsi shumicë serbe, sipas aktgjykimit nr.Ko 130 /15 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës

Sa i përket qëndrimit të Gjykatës Kushtetuese, ndaj kërkesës së ish presidentes të vendit, në cilësi të parashtrueses së saj, po ajo në pikën 108 të aktgjykimit, është deklaruar taksativisht, se çështjet e dorëzuara nga Presidentja lidhur me rastin konkret, NR. KO 130/15., janë të natyrës kushtetuese. Ato çështje kanë për qëllim - gjithnjë sipas gjykatës - që të sigurojnë, se themelimi i asociacionit të komunave me popullsi shumicë serbe, është në pajtim me shkronjën dhe me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në këtë kuptim, gjykata kushtetuese, ka gjetur së parashtruesja e kërkesës, është palë e autorizuar, për ta dorëzuar kërkesën, në kuptim të nenit 84. (9) të Kushtetutës sonë. Gjykata kushtetuese me aktgjykimin e saj ka gjetur gjithashtu se e njëjta e ka juridiksionin, për ta pranuar kërkesën - si të pranueshme për ta shqyrtuar atë kërkesë si autoritet përfundimtar dhe për ta interpretuar Kushtetutën, në bazë të dispozitave të nenit 112/1 të Kushtetutës.[1]

Gjykuar sipas fushëveprimit të kërkesës, pyetja së cilës do të duhej t’i përgjigjej gjykata në këtë rast, ishte: “ nëse parimet ishin dhe janë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe kornizën e saj; më saktë me frymën e Kushtetutës dhe nenin 3 (Barazia para Ligjit), paragrafi 1.,:në përputhje me kapitullin II (Të drejtat dhe liritë themelore) dhe me kapitullin III (Të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre)”. (Aktgj.nr.KO 130/15., fq.20).

Sa iu përket objektivave të asociacionit, gjykata kushtetuese ka konstatuar se: “kur të elaborohen objektivat e asociacionit – në akt juridik dhe statut, ata duhet të kenë parasysh nenet 12, 81, 123 dhe 124 të Kushtetutës lidhur me statusin, objektivat dhe kompetencat e komunave. Realisht, konkretisht dhe objektivisht, akti juridik dhe statuti i asociacionit, nuk duhet të zëvendësojnë ose minojnë statusin e komunave pjesëmarrje, si njësi themelore të vetëqeverisjes lokale demokratike, në kuptim të nenit 12 të Kapitullit X të Kushtetutës.

Gjykata e jonë kushtetuese, në aktgjykimin e saj, ka konstatuar se parimet e përcaktuara në objektiva, nuk i plotësojnë tërësisht standardët kushtetuese. Ato objektiva, sipas Gjykatës Kushtetuese, do te duhej të garantojnë standardet kushtetuese për vetëqeverisje lokale – lidhur me përgjegjësinë e komunave pjesëmarrëse dhe lidhur me marrëdhëniet e tyre me autoritetet qendrore, në kuptim të neneve 124.6 dhe 124.7– të Kushtetutës.

Objektivat sipas gjykatës kushtetuese, do të duhej të siguronin përgjegjësinë e komunave pjesëmarrëse, për ta respektuar kushtetutën - dhe ligjet tona dhe se nuk do të duhej po ato, t’i anashkalojnë ose t’i shmangun rishikimet administrative - nga autoritetet qendrore.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në aktgjykimin e saj me veçori -të dhe përcaktorët e sipërapostrofuar, duke i analizuar parimet e marrëveshjes së dytë, të cilat kanë të bëjnë me strukturën organizative të asociacionit, ka vlerësuar se po kjo strukturë është në shpërputhje të plotë me disa nga dispozitat, përndryshe tepër bazike, por edhe dinamike dhe relevante të Kushtetutës sonë, siç janë për shembull:

# dispozitat e nenit tre (3);

#dispozitat e nenit shtatë (7) ;

#.dispozitat e nenit pesëdhjeteshtatë (57) ;

#.dispozitat e nenit gjashtëdhjetenjë (61) ;

#.dispozitat e nenit gjashtëdhjetedy (62 ) dhe

#.dispozitat e nenit njëqindenjë (101) të Kushtetutë sonë.

Këto dispozita të kushtetutës, sipas gjykatës dhe përgjithësisht janë veqanërisht të rëndësishme në rastin e shkrimit tonë, rrjedhimisht përkitazi me asociacionin, para së gjithash dhe mbi të gjitha,

SEPSE:

për shembull, sipas nenit 3/1 të Kushtetutës: “Republika e Kosovës është SHOQËRI MULTIETNIKE”… në të cilën : “ushtrimi i autoritetit publik, bazohet në parimet e BARAZISË PARA LIGJIT - të të gjithë individëve… si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre (paragrafi 2 i nenit 3 të Kushtetutës së Kosovës);

SEPSE :

- rendi kushtetues i Republikës së Kosovës mbështetët në parimet e … PLU -RALIZMIT (neni 7 i Kushtetutës sonë) etj.;

SEPSE:

- banorët që i përkasin një grupi të njëjtë kombëtar ose etnik, gjuhësor ose fetar, tradicionalisht të pranishëm në territorin e Republikës së Kosovës (Komunitetet), GËZOJNË TË DREJTA TË VEQANTA, të përcaktuara me këtë kushtetutë, krahas të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të përcaktuara në kapitullin II të kësaj kushtetute (neni 57., i Kushtetutës së Kosovës).

Andaj shtrohet pyetja më elementare e mundshme, se në çfarë baze dhe me çfarë të drejte u dashka që ata që edhe ashtu – deri më tash - fundamentalisht dh me mekanizma special e maksimal janë mbrojtur dh mbrohen edhe aktualisht me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Janë garantuar, mbrojtur e mbrohen në vazhdimësi - në mënyrë dhe cilësi të veçantë, por edhe janë favorizuar e privilegjuar - përmes asociacionit të pretenduar edhe një herë tjetër, në një nivel tjetër të paparë e të paprovuar deri më tash, në mënyrë edhe më cilësore dhe sasiore se gjerë më tani, nga disa anë e qarqe edhe tani pa asnjë të drejtë e bazë kërkohet që të mbrohen shumëfish, rrjedhimisht në mënyrë dhe mekanizma antikushtetues dhe antiligjor. etj.

GJYKATA KUSHTETUESE e Republikës së Kosovës, nga sa rezulton nga akt -gjykimi i saj, sa i përket strukturës organizative të asociacionit, ndër të tjera ka konkluduar se parimet e përcaktuara në kapitullin përkitazi me strukturën organizative, nuk i plotësojnë tërësisht standardet kushtetuese

(PIKA 160 E AKTGHYKIMIT NË TRAJTIM). / Vijon

 

[1] Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në rastin nr.KO130/15., fq.19., Prishtinë,

23 dhjetor, 2015., Nr. Ref.:AGJB877/15.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat