Perfiditet dhe destruktivitet që ta shkatërrojë subjektivitetin shtetëror të Kosovës

Opinione

Perfiditet dhe destruktivitet që ta shkatërrojë subjektivitetin shtetëror të Kosovës

Nga: Prof.Dr.Mazllum Baraliu Më: 13 shtator 2022 Në ora: 23:58

GJYKATA KUSHTETUESE e Republikës së Kosovës, nga sa rezulton nga aktgjykimi i saj, sa i përket strukturës organizative të asociacionit, ndër të tjera ka konkluduar se parimet e përcaktuara në kapitullin përkitazi me strukturën organizative, nuk i plotësojnë tërësisht standardet kushtetuese (PIKA 160 e AKTGjYKIMIT NË TRAJTIM).

Sa iu përket të drejtave të komuniteteve pakicë, duke përfshirë këtu edhe atë serb, gjykata përmes aktgjykimit të saj rikujton kapitullin e III të kushtetutës, veçmas dispozitat e nenit 57; 59; 60; 79, si dhe nenin 113 paragrafët 4 dhe shtatë të Kushtetutës sonë. Edhe sa i takon shkëmbimit të rregullt të informatave dhe raporteve - ndërmjet komuniteteve dhe Qeverisë së Kosovës, Kushtetuta e Kosovës ofron mbrojtje të mjaftueshme, përmes një mekanizmi të posaçëm – kuptohet bazuar në dispozitën e paragrafit një (1) të nenit 60 të Kushtetutës; ndërsa sa i përket nismave legjislative, një mundësi adekuate dhe suficiente, padyshim që ofron dispozita e paragrafit dy (2) të nenit 60 të Kushtetutës sonë.

Gjykata kushtetuese edhe sa i përket parimeve të përcaktuara në kapitullin për kapacitetin ligjor; buxhetin dhe përkrahjen e asociacionit, si dhe dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare të marrëveshjes së dytë të parimeve, të gjitha këto, sipas gjykatës në fjalë, nuk i plotësojnë tërësisht standardet kushtetuese (pika 186 e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës).

Nga elaborimi i gjertanishëm i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, rezulton se gjykata -marrë në përgjithësi ka bërë një përpjekje të konsiderueshme edhe pse jo sa duhet adekuate dhe as të plotë, ngase në një marrëveshje kinse autentike - burimore të Bashkimit Evropian me Serbinë dhe Kosovën të vitit 2015, që përbëhej nga gjithsejtë 22 pika ose kapituj, ajo ka konstatuar se në mbi 23 raste ose pika ose dispozita, po e njëjta marrëveshje ka qenë në kundërshtim relativ ose absolut; ndonëse gjykata e quan mospërputhje etj.

Pra edhe me kaq kjo gjykatë e ka invalidizuar deri në zhbërje dhe inekzistim marrëveshjen e dytë të parimeve dhe kjo është për tu vlerësuar dhe për tu respektuar nga i gjithë spektri ynë politik dhe institucional, si dhe nga i tërë opinioni publik kosovar dhe ai ndërkombëtar aktualisht.

Mirëpo, përkundër kësaj që u tha, gjykata kushtetuese në rastin nr. KO 130/15 nuk ka qenë sa duhet e vëmendshme dhe as e përkushtuar ose nuk ka qenë mjaftueshëm kurajoze, objektive, reale dhe e vendosur, ( ndonëse në kushtet dhe rrethanat, përndryshe mjaftë konfuze dhe të komplikuara e ndërlikuara ) të nxjerr një vendim plotësisht autonom maksimalisht të përkushtuar dhe katërçipërisht profesional; kuptohet vendim krejtësisht të pavarur e të pandikuar politikisht nga aktorët dhe faktorët e jashtëm e të brendshëm me influencë. Përse? sepse:” Gjykata kushtetuese e Republikës së Kosovës, me këtë aktgjykim, padrejtësisht dhe në mënyrë të pathemeltë, si përfundim të saj ka konstatuar se:” Marrëveshja e parë e ratifikuar në Kuvendin e Republikës me 27 qershor 2013., ka parashikuar themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë popullsie serbe në Kosovë”.[1]

Pra, meqë për hir të së vërtetës, që të dy marrëveshjet e Brukselit janë marrëveshje parimesh, që kanë të bëjnë parësisht ose kryesisht përkitazi me themelimin dhe instalimin e një asociacioni fantom, që është skajshmërisht i dëmshëm dhe i rrezikshëm për Republikën e Kosovës e gjykata kushtetuese me aktgjykimin e saj - në më shumë se sa të gjitha nenet - (gjithsejtë 22 syresh) që ka marrëveshja e dytë; në 23 raste ka gjetur pika mospëputhëse me Kushtetutën e Kosovës; rrjedhimisht me frymën dhe shkronjen e saj, pothuaj -se po kaq brumë mospërputhës parimesh me kushtetutën dhe ligjet tona, ka edhe në Marrëveshjen e parë për asociacionin. Mirëpo duke e gatuar dhe lansuar një kompromis totalisht irracional dhe joaplikativ e mbase edhe duke qenë edhe vetë e ndikuar politikisht nga jashtë e nga brenda, gjykata në fjalë i ka kontestuar disa nga parimet e marrëveshjes së dytë, por jo edhe të së par -ës.

Ndaj, edhe vetë gjykata kushtetuese, kam përshtypjen se, nuk ka qenë plotësisht e bindur për verdiktin e saj, megjithatë ka udhëzuar, që në përputhje me dispozitat dhe parimet e marrëveshjes së parë, dosido, të themelohet asociacioni monoetnik i komunave me shumicë banorësh serb në Kosovë.

Prandaj, nga sa u tha gjer më tani, gjykata kushtetuese, në mënyrë krejtësisht të pabazuar dhe në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, në aktgjykimin e saj, konstaton se asociacioni i komunave me shumicë serbe:” do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës”. [2]

VII.MARRËVESHJET PËR ASOCIACIONIN NË KUSHTET DHE RRETHANAT E NDRYSHUARA NË NDËRKOHË

1. Parimet doktrinare ndërkombëtare Bona Fide, Pacta sunt Servanda dhe Rebus Sic Stantibus

1.1.Parimi i Mirëbesimit ose latinisht Bona Fide

Është fakt notor i preferuar dhe synim e objektiv i çdo subjekti të së drejtës ndërkombëtare dhe në transaksionet apo marrëdhëniet ndërkombëtare, që kurdo që po këto subjekte (parësisht shtete) lidhin traktate apo marrëveshje ndërkombëtare, po ato të lidhen, ratifikohen dhe zbatohen ME MIRËBESIM (BONA FI -DE). Ky është një parim i mirënjohur dhe i mirështrirë e mirëpranuar ndërkombëtarisht i së drejtës ndërkombëtare dhe në të drejtën ndërkombëtare. Bona fide, pra vetëkupton besimin e mirë dhe eventualisht të fortë e të qëndrueshëm e afatgjatë (për aq sa zgjatë edhe vlershmëria e një akti juridik ndërkombëtar, pra i një marrëveshjeje a traktati ndërkombëtar. Parimi në trajtim, ngërthen në vetvete edhe sjelljen e palëve marrëveshtore me njëra-tjetrën në mënyrë të ndershme, korrekte, si dhe reciprokisht dhe vazhdimisht respektuese me njëra-tjetrën, si palë a si partner bashkëpunimi reciprok.[3]

Ndërkohë që në rastin tonë konkret, është fakt notor historik, juridik dhe politik, se Serbia në asnjë çast; në asnjë rast dhe në asnjë marrëveshje, gjer më tani nuk ka vepruar dhe as punuar në mirëbesim ndaj Kosovës; përkundrazi me hile, me perfiditet dhe me destruktivitet skajnor, me qëllim të fundit, kryesor dhe permanent, që ta rrënojë dhe shkatërroj subjektivitetin shtetëror rrjedhimisht ta zhbëjë shtetin e Kosovës.

1.2.Parimi Pacta Sunt Servanda – shqip - Marrëveshja duhet të respektohet - në të drejtën ndërkombëtare dhe përgjithësisht në marrëdhëniet e përditshme dhe ato kontraktuale jetësore, ka zanafillë të hershme e rëndësi dhe gamë të gjer aplikimi. Ky parim, nënkupton respektimin deri në fund të marrëveshjeve apo traktateve në mes të palëve (në rastin tonë në mes të shteteve) apo midis subjekteve të së drejtës nacionale dhe asaj ndërkombëtare.

Mbështetur në dispozitat e Konventës së Vjenës për të drejtën e traktateve: “Çdo traktat a marrëveshje në fuqi është i detyrueshëm për palët në te dhe duhet të zbatohet nga ana e tyre - me mirëbesim”.(neni 26.). Respektimi dhe zbatimi i këtij parimi të së drejtës ndërkombëtare dhe në të drejtën ndërkombëtare, sjell siguri dhe stabilitet në zhvillimin e marrëdhënieve në arenën ndërkombëtare - në mes të shteteve, popujve dhe kombeve. Po ashtu ky parim gjen dhe duhet edhe më shumë të gjej - tani dhe në të ardhmen aplikim dhe respektim nga ana e palëve a pjesëmarrësve në transaksionet ndërkombëtare, parësisht në marrëdhëniet diplomatike e ndërshtetërore, por edhe në ato ekonomike e të tjera relevante.

1.2. 3.

Mirëpo jeta dhe marrëdhëniet në mes të shteteve, popujve dhe individëve; veçanërisht në nivelin ndërkombëtar transakcional, me kalimin e ditëve dhe viteve, jo rrallëherë - për shkak të rrethanave, rrjedhimisht të ndikimit të tyre qoftë direkt ose indirekt - në ndërkohë pësojnë edhe ndryshime - në shkallë apo edhe gama të ndryshme.

Pikërisht ato ndryshime që mund të ndodhin potencialisht dhe realisht - nga momenti i lidhjes së një traktati, konvente apo edhe marrëveshje e deri në zbatimin dhe aplikimin e tij, kanë të bëjnë me parimin Rebus Sic Stantibus.

Sipas historianit dhe kritikut letrar anglez Thomas Rymer, kushtet dhe rrethanat e caktuara – gjatë rrjedhave të caktuara kohore i ndryshojnë rastët (Circumstances alter Cases) dhe jo e kundërta.

Sipas doktrinës, nga ana tjetër, ndryshimet e kushteve dhe rrethanave, apo parësisht vetë rrethanat, doemos lypset të jenë fundamentale, të rëndësishme dhe me peshë e gamë gjithëpërfshirëse.

Si pjesë përbërëse dhe relevante e Konventës së Vjenës për të drejtën e traktateve, parimi a doktrina Rrebus Sic Stantibus e bën të pazbatueshëm një traktat, marrëveshje ose kontratë - për shkak të ndryshimit esencial dhe fundamental të rrethanave. Është qenësore dhe më peshë e rendësi parësore, që rrethanat të jene edhe të paparashikuara , por edhe të pa pritura.[4]

Është krejtësisht e drejtë e kuptueshme dhe e arsyeshme, që derisa ekzistojnë rrethana dhe marrëdhënie të tilla - në mes palëve - të pandryshuara, sa i përket marrëveshjeve a traktateve ndërkombëtare, të vlej dhe respektohet edhe parimi a doktrina e mirëbesimit - bona fide edhe ajo e pacta sunt servanda. Mirëpo, në çastin kur paparshikueshmërisht dhe papritur e pa kujtuar ndryshojnë kushtet dhe rrethanat , atëherë parimi rebus sic stantibus i dërgon deplason dhe i zëvendëson në plotni - të dy parimet apo doktrinat e sipër -elaboruara.

Pikërisht kjo është situata me Marrëveshjet e asociacionit të lidhura në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pra nga data dhe viti i lidhjeve së tyre ( në vitin 2013 dhe 2015), në Republikën tonë janë bërë ndryshime e ndryshime kolosale, esenciale dhe me ndikim e impakt të jashtëzakonshëm për nga rëndësia dhe fuqia. Në të vërtetë, ndryshimi më i madh ka të bëj më shprehjen e besimit referendal të votuesve ndaj subjekteve politike që tani janë në qeverisje në zgjedhjet qendrore - nacionale të vitit të kaluar.

Sëkëndejmi natyrshëm lypset kuptuar dhe shpjeguar se, ardhja e çdo qeverie, varësisht nga shkalla dhe niveli i përgjegjshmërisë që tregon e dëshmon; varësisht nga serioziteti dhe obligimet që ka ndaj popullit të saj, si dhe ndaj kushte -tutës së vendit, do të sillet në këto relacione; duke krijuar dhe zbatuar politika të përgjegjshme dhe ndryshe nga paraardhësit e saj, dhe kjo formë e sjelljes dhe qeverisjes është plotësisht dhe padiskutueshmërisht legjitime dhe legale. Rrjedhimisht duke u bazuar në parimin ndërkombëtarisht të pranuar; parimin e mirënjohur dhe planetar:” Rebus Sic Stantibus - të ndryshimit të rrethanave”, po kjo qeveri e ka të drejtën e Zotit dhe të popullit, që të mos e zbatoj asnjërën nga të dy marrëveshjet dhe marrëveshjet e tjera eventuale, të cilat mund të jenë të dëmshme dhe të papranueshme, e të lidhura paraprakisht me Serbinë, rrjedhimisht me cilindo shtet a subjekt tjetër të së drejtës ndërkombëtare në Botë.

Në qoftë se kësaj që u tha më sipër ia shtojmë edhe faktin dhe argumentin e pa -kundërshtueshëm dhe të pakontestueshëm, se në rast të themelimit të asociacionit, cenohen deri në pa riparim edhe interesat më jetike të qëndrueshmërisë organizative - funksionale, të sigurisë dhe perspektivës së republikës sonë, atëherë e drejta e Kosovës, për të mos pranuar - në dëm të saj e të interesave të saj, formimin e kurrfarë asociacioni; aq më tepër totalisht të panevojshëm por edhe kronikisht të dëmshëm për shtetin dhe popullin e Kosovës.

Prandaj, interesat jetike të vendit ndërlidhëshmërisht kanë të bëjnë me ndryshimin rrënjësor të rrethanave të ne dhe janë arsye e plotë e mirëfilltë dhe e mjaftueshme, në bazë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, që Kosova të mos e pranojë formimin e asociacionit të komunave me shumicë të popullsisë serbe.

Vetëm këto vitet e fundit, po të bëjmë një vështrim global të situatës, kemi numër të konsideruar të rasteve, kur qeveritë e ndryshme, në kushte dhe rrethana të ndryshuara fundamentalisht, janë tërhequr nga marrëveshjet dhe nga traktatet e ndryshme. Shembulli i qeverisë Tramp në SHBA, kur tërhiqet nga marrëveshja multilaterale e globale për klimën; nga marrëveshja e aleatëve të saj dhe të vetë SHBA-së me Iranin – marrëveshje kjo tejet e rëndësishme multilaterale për çarmatim bërthamor të Iranit; nga marrëveshja për tregti - me Kinën etj.

Kjo formë e veprimit është plotësisht legjitime dhe është çëshjte e padiskutueshme sovrane dhe legale e çdo qeverie, që në dallim nga ndonjë qeveri tjetër papaprake të ndryshoj politkat edhe në relacion me marredheniet ndër -kombëtare në mes shtetesh.

Përndryshe, rastet e tërheqjes nga marrëveshjet apo traktatet ndërkombëtare – bilaterale ose multilaterale, në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në mes shtetesh, të cilat janë ndërmarrur dhe kanë ndodhur edhe para konventës së Vjenës janë të shumta. Këtu po i vëmë në spikamë vetëm disa më specifike dhe më karakteristike e argumentuese nga këto raste:

*Me 1926., Kina e ka shfuqizuar njëanshmërisht traktatin e saj me Belgjikën nga viti 1865;

*Në konferencën e Gjenevës të mbajtur me 20 prill të vitit 1922, ish Bashki -mi Sovjetik (BRSS) do të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet e mëparshme të bëra para revolucionit të viti 1917.;

*Franca me 11 mars të vitit 1966 ia drejtoi vendeve të NATO-së një memorandum. ku i njoftonte me ndryshimin e rrethanave ekzistuese në Botë, që nga viti 1949., me ç’rast ajo donte, që të vinte theksin në veprime të pavarura edhe jashtë NATO-së etj.

Ka madje autorë, të cilët mendojnë dendur, se edhe për të ashtuquajturën Rezolutë 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, do të duhej dhe do të mundej - pa ekuivoke, të vlej PARIMI I SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE - REBUS SIC STANTIBUS. Pra, ky është parim i ndryshimit të kushteve dhe rrethanave. Përse? sepse, që nga koha e Rezolutës 1244., të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e deri me sot, kanë kaluar shumë e shumë vjet dhe kanë ndodhur shumë NDRYSHIME RRËNJËSORE TË RRETHANAVE, në të cilat u miratua ajo Rezolutë.

Sipas këtij këndvështrimi, tanimë është krijuar momentumi dhe terreni tejet i favorshëm juridik, për zbatimin e parimit të rëndësishëm të së drejtës ndërkombëtare - rebus sic stantibus.

Pra mbështetur në syzheun e Konventës së Vjenës të vitit 1969., për të drejtën e traktateve, tashmë janë përmbushur ose më mirë të themi ekzistojnë të gjitha arsyet dhe argumentet juridike-ndërkombëtare, për të kërkuar edhe zyrtarisht, që Rezoluta 1244., si një nga llojet e marrëveshjeve ndërkombëtare, e cila tashmë, që moti është tejkaluar nga realiteti pasues, respektivisht nga rrethanat e stërndryshuara - të abrogohet edhe juridikisht, respektivisht të shpallet zyrtarisht e pavlefshme dhe inekzistente.[5] / VIJON

 

[1] Më detalisht për këtë, shih pikën tre (3) të aktgjykimit në trajtim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nr.KO 130/15.

[2] Shih pikën dy (II) të konstatimeve vendimarrëse të gjykatës në aktjgykimin e saj, fq.39.

[3] .Dr. Gurakuq Kuçi;’Doktrina Pacta Sunt Servanda dhe Rebus Sic Stantibus si balanca ndaj Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë (kumtesë në dorëshkrim, fq.1.

[4] Dr. Gurakuq Kuçi., op.cit., fq.2.

[5] Ksenofon Kristafi, Lufta e Kosovës në labirinthët diplomatike, UMSH Press dhe Onufri,Tiranë, 2018, fq.283.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat