Asamblea e Këshillit të Europës nuk bëhet pjesë e manipulative politike të Edi Ramës

Opinione

Asamblea e Këshillit të Europës nuk bëhet pjesë e manipulative politike të Edi Ramës

Nga: Skender Musliu Më: 13 tetor 2022 Në ora: 18:53
Skender Musliu

Dje në Strasburg të Francës vazhdoi punimet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës. Në këtë Asamble për herë të parë është ftuar të merr pjesë Republika e Kosovës në punimet e saj, e cila u përfaqësua nga tre deputet të Kuvendit të Kosovës. Por ajo që shënoi këtë mbledhje, ishte fakti se, Kosovës për herë të parë iu dha mundësia t’a merr fjalën në seancën Plenare, me ç’rast deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e bëri ate me dinjitet, për çka nuk munguan  duartrokitjet.

Mirëpo ajo çka la shije të hidhur në këtë Asamble, që shkaktoi reagime dhe pakënaqësi, ishte fjalimi maratonik i kryeministrit shqiptar, Edi Ramës, i cili me fjalorin dhe sjelljen e tij krijoi tensione dhe nervozizëm tek pranishmit, duke shkaktuar debate të ashpra.

Në vend që Edi Rama në fjalimin e tij t’a skenonte gjendjen dhe të « arriturat » me të cilat po ballafaqohet Shqipëria, sikurse luftimin e korrupcionit dhe krimit të organizuar, shtetin e së « drejtës », (mos) lirinë e mediave, ai diskutimin e tij ia kushtoi kritikave të Raportit të Dick Marty dhe të akuzuarve të Hagës. Në këtë kontekst, ai me një fjalor arrogant dhe fyes kritikoi të gjithë anëtarët e Asamblesë të Këshillit të Europës, të ciliët kishin e votuar Raportin e Dick Marty, duke thënë se ata kanë qenë të manipuluar nga propaganda serbo – ruse.

Kundër fjalimit të Edi Ramës reaguan shumë përfaqësues të Asamblesë, por më të zëshëm dhe ashpër ishin ata të Gjermanisë, Rumanisë, Greqisë dhe përfaqësuesja e Partisë Popullore Europiane, e cila, përveç tjerash, tha se fjalimi i Edi Ramës ishte mungesë respekti ndaj Asamblesë, sepse, siç tha ajo, kam 15 vjet që jam këtu dhe nuk kam përjetuar një gjë të tillë.

Hapsirën më të madhe të fjalimit të tij, Edi Rama ia kushtoi Raportit të Dick Marty, i cili kishte pretenduar ekzistimin e « shtëpisë së verdhë » për trafikimin e organeve të qenieve njerëzore, që sipas Ramës paska qenë shkaku kryesor për themelimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë. Mirëpo Asamblea e KE-së e dinë shumë mirë se Gjykata Speciale nuk është themeluar si rezultat i « shtëpisë së verdhë », por sipas gjetjeve të Raportit të Kryeprokurorit amerikan, Clint Williamson. Repspektivisht Prokurori Williamson ka drejtuar Grupin Hetues të ngritur nga Bashkimi Europian për hetimin e pretendimeve të senatorit Dick Marty nga viti 2011 deri në vitin 2014. Në Raportin e tij, prokurori Williamson kishte konstatuar se nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme për ekzistimin e « shtëpisë së verdhë », por kishte hasur në  shumë të gjetura për krime lufte të bëra nga shqiptarët, sikurse vrasjet e kundërshtarëve politik, burgosjet arbitrare, rrahje mizore, e tj. të cilat nuk janë trajtuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i  për shkak të ndërhyrjeve politike, friksimit të dëshmitarëve, prishjes së provave… prandaj ky ka qenë shkaku kryesor për themelimin e Gjykatës Speciale, e jo « shtëpia e verdhë ».

Prandaj, Edi Rama edhe përkundër tentimit t’a manipulojë Asamblenë e Këshillit të Europës me intrigat dhe rrenat e tij, që vetëm ai iu beson, Asamblea nuk ra nën ndikimin e tij, përkundrazi,  përfaqësuesit e shumë shteteve i replikuan ashpër.

Në punimet e kësaj Asambleje, Edi Rama humbi edhe një rast  që Serbinë t’a përballafaqojë me të vërtetën, që ajo e mohon, për krimet e tmerrshme të luftës gjat viteve 1998 – 1999, me ç’rast Serbia ushtroi gjenocid mbi popullatën e pambrojtur, por fatkeqësisht ai u morr me kritika ndaj një Raporti që nuk mund të zhbëhet dhe me të akuzuarit të cilët mund t’i lirojë vetëm pafajsia e tyre.

Pjesa e fjalimit e Edi Ramës për të akuzuarit e Hagës, sipas gjykimit tim, ka qenë kontraproduktiv, që gjykata Speciale, në rrethana të caktuara mund t’a përdorë si ndërhyrje në drejtësi, duke konsideruar si rrethanë rënduese për të akuzuarit.

Në këtë Asamble, Edi Rama do të mbahet mend për sjelljet dhe fjalorin e tij arrogant dhe fyes ndaj këtij organizmi shumë të rëndësishëm, për të cilin Shqipërija gjithnjë do të ketë nevojë. Prepotenca dhe gjuha nënçmuese e Edi Ramës ka fyer rëndë intelegjencën e  pjesëmarrësve të Këshillit të Europës. Edi Rama është sjellur sikurse të ishte në një seancë të Kuvendit të Shqipërisë ku ka mazhorancën absolute, me diskursin e tij të njohur konfliktuoz, që nënçmon ministrat dhe deputetët e tij,  i njohur me arrogancën e tij ndaj gazetarëve dhe bashkëbiseduesve. Fjalimi i Ramës ishte një diskurs që i ngjanë një bosi të mafias politike, diktaturave dhe juntave ushtarake, që është larg normave elementare të demokracisë.

Madje disa të pranishëm i kishin parashtruar pyetje Ramës, por edhe në përgjigjet e tij,  ai e shprehi nivelin e tij të ulët të kulturës diplomatike, duke shkaktuar pakënaqësi në Asamble.

Se sa ishte arrogant dhe fyese  sjellja dhe fjalimi i Edi Ramës, tregon  mosprezenca e presidencës së PPE-së në darkën e organizuar nga Edi Rama, edhe pse pjesëmarrja e tyre paraprakisht ishte konfirmuar, kurse anulimi i darkës ishte bërë si shenjë proteste ndaj diskursit të Ramës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat