Si e bombardoi kryeministri Rama Këshillin e Evropës?

Opinione

Si e bombardoi kryeministri Rama Këshillin e Evropës?

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 14 tetor 2022 Në ora: 14:11
Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Kryeministri Rama ka kohë që kishte filluar të armatosej. Gjendja në Shqipëri edhe para krizës energjetike ishte pothuaj tërësisht një lëmsh i pazgjidhur. Shpopullimi, droga, krimi i organizuar, pastrimi i parave, rrënimi i Teatrit, korrupsioni, vrasjet, lufta mes bandave të drogës etj. e bënin gjendjen edhe më  kaotike se ç´ishte.

Rama po ashtu ndodhet edhe para dështimit me Ballkanin e Hapur, projekt jetësor i tij. Raportet e tij me Kurtin dhe Vjosën llogariten si të ftohta, kurse miqtë e tij Erdogan dhe Vuçiq, gjithnjë e më shumë me qëndrimet e tyre në raport me Putin, po izolohen nga bashkësia ndërkombëtare.

Të gjitha këto po ndikojnë që Rama të ndihet i vetmuar dhe nuk ka ide se si të dilet nga kjo gjendje, njësoj sikurse edhe Putini, i cili e kishte filluar si lojë aneksimin e Ukrainës. Hyri në te, po tash është çështja si të dilet. Ka mbetur me dy këmbët mbrenda, as andej dhe as këndej. Nga një gjendje e tillë kaotike Putini si duket po mendon në më të keqen, arsenalin atomik.

Meqë kryeministri Rama nuk e ka mundësinë që të shkoi aq larg, po armatoset vetëm me armatim konvencional.

Ajo ditë më në fund erdhi dhe kryeministri Rama i armatosur, u nis drejt Këshillit të Evropës.

  Këtë nuk e kishte  arritur as Fidel Kastro , Gadafi apo Sadam Huseini para Asamblesë së OKB.

Nuk merret me mend që një fjalim të tillë do të kishte arritur ta mbante as xhaxhi Emver. Pra ata që s’arritën deri sot ta bënin, këtë e arriti kryeministri shqiptar Rama. Në Dardani u ngritën disa figura politike dhe e përgëzuan fjalimin e tij, mendohet se kishte ndikuar në ta fjalia ku e degradonte Kurtin dhe e çmonte Vuçiqin.

Kryeministri foli me emocione, e mbronte Shqipërinë, liderët e UÇK dhe  Kosovën duke e akuzuar Dick Marty -in dhe Rusinë të cilët kishin shpifur për tregti organesh, pikërisht në shtëpinë e verdhë në Shqipëri.

Vuçiqi dhe Serbia nuk u akuzuan nga Rama, përkundrazi u mundua t´i jepte shtytje Ballkanit të Hapur, ide e përbashkët e tij dhe Vuçiqit.

Bombardimi vazhdonte pa ndërprerë. Nga foltorja prej ku bombardonte Rama,  i dukej se po i shihte ulur Berishën, Metën, Lulin, Bardhin, Salianjin, Alibeajn si dhe zonjat e PD Flutura Açka, Grida Duma, Jorida Tabaku, Ina Zhupa, Ilda Dhori etj.

 Zërin e kishte ngritur, sytë i kishte bërë shqiponjë dhe donte që të gjitha këto figura t´i shqyente. Ju po na akuzoni pa të drejtë. E keni formuar gjykatën me kërkesë të Rusisë. Në burg ndodhen udhëheqësit e UÇK. Nën hetime po i mbani qe dy vite, pa aktakuzë të qartë.

Derisa bombardonte mendonte që raketat e para t´i ndezte drejt Berishës dhe Metës dhe Alibeajt, sepse e dinte që ata në zgjedhjet e ardhshme të bashkuar do ta sfidonin atë.

Pasi bombardoi nga të gjitha anët, llogaritet se projektilët më të rrezikshëm fluturonin dhe godisnin mbrapa, po për fat të mirë e huqnin cakun, sikurse raketat e Putinit. Ata që ndodheshin para foltores mendohej se nuk ishin të rrezikuar, ishte distancë e madhe pothuajse askush nuk kishte nevojë të mbrohej.

Pas përfundimit të bombardimit e filloi misionin që t´u përgjigjej pyetjeve nga delegatët dhe gazetarët.

Kryeministri Rama në këtë lëmi ka përvojë me qëndrimin e tij ndaj mediave dhe gazetarëve, (mendohej në arrogancën e tij ndaj mediave dhe gazetarëve shqiptar) prandaj llogariste që t´i bënte edhe më bindëse akuzat e tij.

Nuk i pëlqeu fare kur e pyetën për qëndrimin e tij ndaj Haradinajt dhe Erdoganit, po edhe aty shpejt u hodh në kundërsulm. E mbrojti Erdoganin në lidhje me refugjatët, kuptohet pa i cekur miliardat që Erdogani i thith nga EU për këtë.

Pasi Rama e kreu sulmin dhe bombardimin me të gjitha llojet e raketave, në fund si një hero i popullit shqiptar, (sikur të ishte xhaxhi Enver) i ftoi në darkë viktimat e tij për të lidhur miqësi.

Për fat të keq në darkë nuk i erdhën shumica, sepse nga bombardimet e Ramës gjatë ditës ishin lënduar dhe kishin frikë t´i dilnin sërish përpara.

 Shumica syresh u arsyetuan se Rama gjatë ditës na bombardoi me të gjithë arsenalin luftarak, kurse tash në mbrëmje nuk ia kemi besën. Ai mund të na asgjësoi fare./Mars – Rover (Satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat