Lutje për duart e vëllait

Opinione

Lutje për duart e vëllait

Nga: Visar Zhiti Më: 24 tetor 2022 Në ora: 08:06
Ilirjan Zhiti

Duart vëllazërore flasin... ato janë përherë në marrëdhënie me ne... krijojnë botë... 

      Thënë thjeshtë si në një bisedë përkujtimore, ato janë të dashura dhe kështu duhet të jenë, kanë një siguri dhe besë dhe janë mbështetetje, së pari shpirtërore dhe kështu duhet të jetë, ato si flatra tani kanë dalë nga i njëjti bark i shenjtë, prandaj janë dhe si të tuat, shtesë në relitetet e tua...

      Teksa kujtoj tim vëlla, Ilirjanin, shoku i parë i fëminisë, mbrojtësi dhe këshilluesi, pedant si vëlla më i madh, dy vjet e pak më shumë se unë, që më dha librin e parë, etj, pastaj dhe shokët e tij në gjimnaz u bënë dhe shokë të mi, por jeta e goditi ashpër duke mos i dhënë atë që meritonte, ndër gjimnazistët më të mirë, jo vetëm në Lushnjë, ku jetonim, por në Shqipëri, e thoshin pedagogët e tij dhe nuk e lejuan të shkonte në universitet, shkak biografia politike e familjes, pas ushtrisë nisi studimet e larta me korrespondencë për ekonomi-financë, edhe ajo iu ndërpre me forcimin e luftës së klasave, edhe vëllait tjetër të madh, i çuan të punojnë në fermë me kazmë e në ndërtim, të bëjnë mure,  mure të jetës së tyre, ndërsa mua, mësues në një fshat të Kukësit, do t’më burgosnin për poezitë e mia, i quajtën të trishta dhe hermetike, kundër Realizmit Socialist dhe realitetit socialist, por dua të them se as në burg nuk m’u ndanë duart vëllazërore, më sillnin ç’mundnin, ndonjë ushqim për të mbijetuar në ferr dhe libra, libra, të kisha botën e tyre që të lidhnin aq sa mundej me botën, të kisha emocion dhe ëndërr...

      Ishin duart vëllazërore që i morën fshehurazi nga burgu poezitë e mia dhe i bashkuan me të tjerat që kisha lënë, i ruanin me fanatizëm dhe më prisnin...  

 

Dhe para sysh më del vegimi i vizatimit “Duar që luten” i piktorit të madh gjerman të Rilindjes – Albrecht Durer (1471-1528) dhe rrëfimi që bënte për të Prof. Klodi Stralla, që lexova këto ditë.

“Familja Dürer, e përbërë nga 18 fëmijë, jetonte në një fshat të vogël afër Nurembergut. Dy nga fëmijët, Alberti dhe Albrechti, kishin treguar talent të madh artistik për vizatim që kur ishin të vegjël. Kur arritën në moshë shkolle iu lutën të atit t’i dërgonte në Akademinë e Arteve të Bukura, por ai me punën që bënte për të mbajtur familjen e madhe, nuk ishte në gjendje ekonomike të përballonte shkollimin e tyre.

Por vëllezërit nuk u dorëzuan, Dëshira për të ndjekur Akademinë ishte aq e fortë sa bënë pakt mes tyre. Njëri nga të dy do të shkonte të punonte në minierë për të paguar studimet e tjetrit dhe kur të mbaronte periudha e studimit, këtë do ta bënte edhe tjetri. Po cili nga të dy? Fatin ia lanë ta vendosë rrotullimi i një monedhe - kokë apo pil? Fati e dënoi Albertin në ferrin e minierës në favor të vëllait të tij më të madh që mund të shkonte në Nuremberg dhe të realizonte ëndrrën…”

Dhe mua fati si vëlla më i vogël më dërgoi në minierën e Spaçit me pranga në duar, kam punuar si skllav nën tokë në terr dhe kam shkruar fshehurazi poezi, edhe për duart, pa ditur gjë atëhere për Duar mahnitëse të Albrecht Dürer-it, që u bë i famshëm dhe me të ardhura nga  puna si piktor dhe i tha vëllait të vogël, që i erdhi radha ta linte minierën dhe të shkonte ai tani në Akademinë e Pikturës.

“Ishte tepër vonë për të, - shkruan Profesor Klodi Stralla, - vitet e kaluara në minierë kishin dëmtuar në mënyrë të pariparueshme duart që nuk ishin më në gjendje… Albrecht Dürer, për t'i bërë homazh vëllait të tij, kompozoi duart e vëllait…

Dhe unë po sjell këtu një nga poezitë e mia të burgut, është për duart, jo vetëm të miat, por për çdo dorë vëllai në vuajtje: 

         

GISHTËRINJTË SI GJARPËRINJ?

 

Janë lodhur duart e mia,

një jetë të tërë m’i kanë gënjyer duart.

Shpejt e shpejt m’i rritën

dhe mundësitë m’i zvogëluan

                                   si dorashka të grisura

                                   që s’të nxënë më.

M’i shkelën duart

me çizmet e injorancës

(skuqin plagët si unaza gishtave).

M’i trembën duart.

Asgjëkund nuk zgjaten duart e mia,

s’përqafojnë asgjë.

Kanë harruar të ledhatojnë,

të këndojnë, të shpikin.

                              Duart e mia u marrosën!

Kam frikë se gishtat do më bëhen

                                          koka gjarpërinjsh,

do t’vërsulen mbi të tjerët si të tjerët.

Do helmojnë trupin e jetës, duart,

        që t’i shpëtoj duart,

            vë kokën time mbi to dhe mendohem.

Unë dua që dhe gjarpërinjtë

t’i shgjarpërizojmë,

t’i bëjmë gishta të blertë të natyrës.

Ta shkulim rrezikun,

        t’ia heqim dhëmbin e helmët!

Fati të bëhet

dorë dashurie

e bardhë, lakuriqe, e ngrohtë,

të zgjatet drejt teje,

të kërkojë dorën tënde,

ta marrë dhe ta puthë

(thonjtë të jenë veçse petale jete,

që s’shkunden.)

 

Çdo njeri t’i ketë të tijat

duart e gjithë botës.

 

22. III. ’85

 

      Ja, dhe një strofë tjetër nga një poezi tjetër:

 

Dikush ble dorashka

në këtë mbrëmje të ftohtë

në qytetin me drita indiferente

që dinë të digjen,

por dhimbje s’dinë të ndiejnë.

 

Dikush ble dorashka,

të bëra prej lëkurës sime.

 

      Dhe këto poezi të rrezikshme për atëhere, i ruanin në familjen time, kujdeseshin prindërit, por për më shumë siguri, se në apartament nuk i dihej,  Ilirijani i çoi në shtëpinë e motrës, kishte një kopësht, i futën në një arkë dhe hapën një gropë dhe i mbuluan duke pritur kohë tjetër...

      Shumëçka e kam treguar në burgologjinë time, në dy librat “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ku Ilirjani do të ishte dhe personazh. Ja disa copëza::

     

TË NDIHMOSH NJË MËSUES, QË ËSHTË DHE POET:

 

      - Ty po ta tregoj të parit, sapo e shkrova, - më tha Faslli Haliti, me të cilin jo vetëm na qe forcuar miqësia, por na ishte bërë dhe       e domosdoshme deri në mërzi. Më zgjati fletët e një poeme, “Dielli dhe rrëkerat”, - lexoje, - tha. Fillim pasditeje dhe ai dukej sikur sapo kishte dalë gjallë nga një makth ose do të shkonte drejt tij.

      E mbarova rrugës, duke ecur. Fletët më dridheshin.

      - E guximshme dhe goditëse. Të shtang, - thashë.

      - E kam shkruar nga pozitat e së mirës, - u ngazëllye Faslliu mësuesmërisht.

      - E fortë, - thashë unë. 

      Dhe vërtet, për shkak të kësaj poeme filluan mbledhjet e zymta të Partisë me letrarët e Lushnjës, unë isha i ikur, student në Shkodër, kritika për nxirje të realitetit, por poema nuk është kundër socializmit dhe udhëheqësit të saj, drejton klasa punëtore te ne, ç’është ai shi që bie ashtu si në kapitalizëm?! Mos u ul, rri në këmbë, i tha sekretari i parë Faslliut në mbledhjen që zgjati nja 9 orë, deri pas mesnate.

      Im vëlla, Ilirjani, e kishte marrë vesh më parë komplotin që po i kurdisej atij, ia tregoi Bujari, gjoja disa shokë të tij gjimnazistë ishin shqetësuar për atë poemë revizioniste dhe kishin shkruar një letër, të cilën, thoshin, e kishte përgatitur më parë ai kritiku i njohur... Shkojnë e lajmërojnë Faslliun, që u alarmua dhe u nis vrik për në Tiranë, në Komitetin Qendror, kështu tregoi më pas, takoi Ramiz Alinë, i cili, për çudi, e priti mirë dhe e qetësoi, ndërkaq, me t’u kthyer, prapë mbledhje, poeti u dëbua në fshat, që të njohë jetën, të mësojë nga kooperativistët, të mblidhte dhe ai bar bashkë me ta, pleh kimik, organik, të prashiste.

      Kur të merr malli të shkruash, ç’bën? E pyeti im atë, që e njihte këtë dhembje, të qenët i ndaluar, madje përgjithmonë.

      Asgjë, lyej derën, iu përgjigj pikëllueshëm ai.

 

DOSJA E DIKURSHME…

 

Po shfletoja. Gjyqi, dialogët e rëndë. I dija, nuk i harroja dot. GJYKATA E LARTË, hë, ç’thanë kur bëra apelimin… atëherë në shekullin e shkuar, jo se besoja në drejtësi a në zbutje të tyre, por doja t’i shihja deri në fund sa të këqij ishin dhe si i shkelnin edhe ligjet e tyre. Ethja për t’i njohur e…

Vajti im vëlla, Iliriani, madje i kundërshtoi dhe e kërcënuan se mund ta dënonin edhe atë. Pa ta shoh ç’kanë shkruar, qenka e gjatë:

 

TAKIMI I PARË NË BURG:

Në një nga ditët e mëpastajme më morën nga qelia dhe më lanë vetëm në ajrosje. Aty te muri i madh. Do të më pushkatonin kështu, apo do të më nxirrnin në fotografi prapë për dosjen e dënimit? Dhe atëherë, kur më vunë pas murit, dyshova se mos aparati fotografik ishte ndonjë lloj arme. Prisja plumbin me atë “trak” të thatë e të shterpët që do të fiksonte fytyrën time të dënuar, një herë përballë e pastaj në profil.

      Këtu ose më tej në mur, u hap një sportel dhe përtej pashë… tim vëlla. Ah, portreti i tij si në një kornizë të rëndë, gropë e ngritur lart. Edhe ai ashtu si unë, me një polic anash.

      - O-o-o-o-o! - u mahnita. - Ti, Ilirjan?

      - Bo-bo, sa qenke fryrë, si të kanë bërë… shëndoshur, - e ktheu fjalën me dëshpërim im vëlla. - Si je?

      - Ja, më ka fryrë asgjëja, dergjja. Pushim këtu. Më dënuan 10 vjet. Po ju si jeni?

      - Na ka forcuar të gjithëve halli yt. Sëmundjet e mamasë, zemra e saj, tensioni i babait kaluan në dorë të dytë. Çdo e keqe ka të mirën e vet, - buzëqeshi për mua hidhur. - Si e kalove këtë kohë?

      - Flisni për gjëra të tjera, - ndërhyri polici i tij.

      - Kaloi, - thashë shpejt e shpejt, - gjallë.

      - Jo biseda të tilla, ju thamë, - tani ndërhyri polici im. - Do ta ndërpresim takimin. Na vjen keq.

      Im vëlla po çapëlente sytë për të më parë sa më tepër e të mbushej me mua, ashtu si unë me të. Atyre u mungoja veç unë, mua më mungonin të gjithë. Përveçse vëllezër, ishim edhe shokë dhe gjithmonë flisnim kundër regjimit, shumë më tepër se me miqtë e ngushtë, të përbashkët. Por tani goditja ishte humnerore.

      - Të kam sjellë dhe libra, por... Gjakftohtësia...

      - Takimi mbaroi, - thanë policët, që përsëriteshin një andej dhe tjetri në këtë anë të murit si në një pasqyrë barbare. S’mundëm të shtrëngonim duart vëlla me vëlla para se të mbyllej ajo zgavër magjike në mur. Tragjedia ime ishte e vërtetë. Unë e kisha humbur botën dhe njerëzit e mi do të më shfaqeshin pas vrimave dhe hekurave gjithnjë e më pak, gjithnjë e më rrallë…

DASMA LARG E ILIRJANIT, NJË KËNGË:

Rende për në depon e ushqimeve, nxore pakon e madhe të llokumeve nga thesi yt, e ruaje për këtë ditë, e diel dasme, e shqeve me duart e harbuara, i dhe një rojës së burgosur të depos, pa i thënë asgjë, dhe e mbajte frymën te Valeri. “Dua një këngë, - i the i ngashëryer, (Sot po martohet im vëlla…) - merre dhe një llokume tjetër.” “Shkojmë te Sherifi?” I dhe llokumen e urimit. Po këto të tjerat? T’i hamë të gjitha. Ashtu kokë më kokë të tre, pas murit para shkallëve të korridorit të zyrave të riedukimit.

- Ejani, - tha këngëtari, - futemi në atë që gjoja është dhoma e kulturës. M’i kanë lënë mua çelësat, ngaqë di t’i bie fizarmonikës, - dhe, me të mbyllur derën, i hodhi rripat e atij instrumenti krahëve. Sikur dyfishoi krahërorin e vet. Zbrazi frymë. Se si t’u duk, si në një torturë. Fluturoi lehtë gishtat nëpër tastierë, tinguj, një melodi, kaq e ëmbël… muaj mjalti… kështu kishe lexuar nëpër libra, të porsamartuarit shkojnë e mbyllen në një dhomë hoteli, shohin shiun nga xhamat, pyllin, veturat, çifte kuajsh e s’dalin fare, bëjnë dashuri natë e ditë. Në diktatura s’lejohet. Zëri i këngëtarit të rrëqethi. Ajrin e shndërroi në cicërima gjithë flatrime zogjsh, që s’dihet se si ikën. Po i këndonte dashurisë, zëri forcohej, malli bashkë me të, por jo me tone të larta, jo, jo, nuk duhej të dëgjohej jashtë, një ngjirje mahnitëse sikur zëri të qe fërkuar në kurrize dritash në botën e tejme, me qytete të gjallësh. Kënga ecte e lumtur nëpër këmbësore, anash vitrinave llamburitëse, po, po, kishte prapë të tilla, ku rrotulloheshin veshje grash me shkëndijime të befta, fustane të ujvarta, çizme me majë të hollë sa takat - me t’i veshur duhej të vallëzoje vetvetiu - magnetofonë që përsëritnin këtë këngë, krehra, lëviznin vetë mbi floknaja muzgjesh, të kuq buzësh, mund të shkruaje xhamave me të: “Të dua”, por papritur fjala e kuqe shndërrohej në vazhdë gjaku. Këngëtari kishte anuar kokën e rëndë mbi fizarmonikë, e ngriti dhe buzëqeshi. Nisi të këndonte anglisht këngën e vet, atë që kishte kompozuar me mend në qelitë e Buu-uh- rrr-bbrrr-e-e-l-i-i-t-t, “When I am dead, my dear!”. “Është poezi e Kristina Rosetit”, - tha shpejt dhe zëri i tij nisi të ndizte qirinj, flakët e të cilëve, nga shkaku i lotëve, ngjanin si brerore të rubinta. Pastaj solli bregun e detit, dallgët që kërkonin të shuanin një emër të shkruar mbi rërën e lagur, emër vajze, i së fejuarës së këngëtarit - detin, detin të kesh rival në dashuri. - Dhe “Këngën e nënës, - iu lutët ju, - do ta këndosh?” “Patjetër!” Të ecësh krah për krah me nënën, nën borërimën e dhembshme të moshës, njeriu plaket, e ka dramën e vet, të bukur e madhështore. Pse shpiken dënime të tjera? Ah, zëri shtrihej, donte të mbulonte gjithësinë, pastaj hovte, hidhej nga njëri yll në tjetrin dhe vishej me argjend, po, po, e gjete, këngëtari ynë ka zë të argjendtë me gdhendje pikëllimi dhe t’u nëpërmendën servise fisnikësh, korniza, shandanë, pasqyra, bastunë dhe pena pranë një telefoni të zi, të mbledhur kutullaç si një kotele. Ti je supersticioz, macet e zeza s’ke qejf të të dalin përpara. Po është mace shtëpie! U ngrit dhe iku te pragu i dasmës, ku dëgjohej kënga. Si ta ruajmë këtë zë? Është yni!

Shfryu fizarmonika ose ai, a të dy bashkë një brengë, aq të madhe tani, teksa Sherifi e la mbi tryezën e pluhurosur. Buzëqeshi dhembshëm. “S’mund të bëja dot më shumë, kaq mundesha”, - dukej sikur thoshte. “Po ti bëre shumë, falemnderit, më dhe këngën, atë që s’duhej të mungonte tek unë sot. Të jam mirënjohës përgjithmonë.”

 

DUART VËLLAZËRORE.

 

      Kam mall t’i shtrëngoj sërish, po ku t’i gjej?

      Kur ra perandoria komuniste, Ilirjani bashkë me Shpëtimin dhanë provimet e ndërprera dhe u diplomuan.

      Ilirijani iu përkushtua demokracisë, u bë veprimtar i saj dhe punoi në një Bankë dhe në vitin e rëndë ’97 e ruajtën nga vjedhjet e banadave me maska.

      Erdhën në Tiranë. Ilirjani punoi dhe në Ministrinë e Financave... Dashamirës i librit si përherë, lexues profesionist, do të thosha, shkonte përurimeve të botimeve të reja, tani shokët e mi ishin bërë dhe të tij dhe iu rikthye dëshira e poezisë, siç duket për të mposhtuar sado pak vrazhdësinë që i kishte dhënë jeta,  vonë, duke qenë dhe gjysh, e kapi trilli të botonte, nxori përmbledhjen “Zili do ta kisha dhe një murg”, vazhdonte të shkruante sentenca, tregime, etj, Obsesioni i tij mbeteshin Kosova dhe Çamëria, shkoi nëpër Dardani, Prizren dhe Prishtinë e merrte pjesë në manifestimet në kufirin e Jugut.

      Duart e tij tani kishin dëshirë të kapnin Flamurin dhe ta valëvisnin. Duar vëllazërore... dhe unë ruaj vegimin e largët të duarve që luten...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat