Qëndrimi i mbrapshtë ndaj Luftës Dytë Botërore nuk është thjeshtë një problem kombëtar

Opinione

Qëndrimi i mbrapshtë ndaj Luftës Dytë Botërore nuk është thjeshtë një problem kombëtar

Nga: Nasho Bakalli Më: 31 tetor 2022 Në ora: 08:34
Nasho Bakalli

…”përfytyroni presidentin Zelensky 10 vite më pas, që bëhet pjesë e diçkaje kaq surreale saç është presidenti Thaçi sot”… theksoi Edi Rama në në fjalimin e tij patriotik kombëtar për Kosovën në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Asnjë apostull i vuajtjes apo karrierës politike nuk ka përfytyruar se lavdia e Luftës Dytë Botërore, pas  rënies të Murit të Berlinit, do të bëhej pjesë e diçkaje surreale saç është ajo sot. Lufta ishte një lojë e tmershme, askush nuk mund të argëtohet me të. Po ja që marrëzia po ndodh në Shqipëri.

Është si një thirrje befasuese dhe çuditërisht e vështirë, që të vjen nga brënda, ajo ndjenja që të shtyn të shkruash për “surrealen” që po ndodh me lavdinë shqiptare e kalitur ajo, me jetën dhe me vdekjen, në Luftën Dytë Botërore.         

Çfarë mund të dëshmohet për këtë “surreale” përveç faktit se është e vërtetë, e neveritshme, barbare, zemërthyese, tragjike. Po cili është qëllimi i tërë këtyre mbiemrave? Stop marrëzisë me LDBotërore. Shqipëria ishte një shtet kot edhe para se të ndodhte kjo, por, asnjëherë nuk është tallur me asnjë nga luftrat e popullit shqiptar. Shqipëria sot është edhe më kot.

 

***

Unë që kam shkruar këto rradhë jam pothuajse një njeri tolerant - pothuajse, në shumicën e jetës time. Dhe shkrimet e mia provojnë këtë status vetiak. Ose, pothuajse... Por, është e pamundur të tregohesh tolerant kur dëgjon e lexon për gjymtimet që i bëhen me aq zell të shkuarës Partizane; sjellje kjo që mund ta lerë LANÇ-in, në historinë e popullit shqiptar, me dëmtime të konsiderueshme jo vetëm në pamjen po edhe në përmbajtjen e saj.

Pikërisht kjo e fundit më detyron ta fshij fjalën "pothuajse", e të them se nuk jam tolerant me ata të koruptuar që e bëjnë pjesë të diçkaje “surreale” lavdinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Ka deputetë socialistë që përpiqen të nxjerrin ndonjë ngushëllim ironik se zëri, të paktën, i është kthyer Luftës; “nuk jemi në derexhenë e 20-30 vite më parë” u tha në komisionin e Ligjeve të Kuvendit.

Nëse ndonjë parti në pozitë apo opozitë është e “detyruar”, nga brënda apo nga jashtë shtetit, ta mbajë “radarin” e vet gjithmonë të drejtuar te mospërputhja e idealeve, interesave, dhe devotshmërive të njerëzve të cilat janë të pafundme në shumllojshmërinë e ngjyrave dhe kakofoninë e tyre mund ti thotë lamtumirë vlerave pozitive universale të LDBotërore. Shumë më tepër se LDBotërore, do të qe lamtumirë ndaj asaj kulture politike që aspiron të mos jetë kozmetikë, dhe dekorative kundrejt popullit. Marrja e këtij rreziku është një opsion i zhvillimit të krijimtarisë dhe të kulturës politike, në demokraci. Sikurse është edhe opsioni tjetër, po në demokraci, se: nuk mund të groposet e vërteta e një Lufte Kombëtare - Botërore duke besuar se meqë unë, ti, ai... jemi të verbër, edhe tërë populli është i verbër.

Në fund të fundit, toleranca sado oportuniste apo jo oportuniste qoftë nuk nge peshë; pra, nuk është aspak e barabitshme me përbuzjen që ushqejnë ndaj shtetit prindërit, farefinia, dhe pasardhësit e heronjëve, dëshmorëve, dhe partizanëve të Luftës që nuk janë pak, të cilët ndjehen tërësisht të mënjanuar.

 

***

Ȅshtë praktikisht e pamundur që në institucionet shtetrore dhe media private të flitet e të veprohet krenarisht për lavdinë e LANÇ pa e trazuar bisedën publikisht, dhe në të njëjtën kohë, edhe me plagët e “ish të burgosurve dhe të persekutuarve” të diktaturës të proletariatit. Dy gjëra këto, aktualisht pa lidhje.

Sepse. Vuajtjet e pamohueshme të burgosurve dhe të persekutuarve të vërtetë, të periudhës 1945-1990, u dëgjuan, u trajtuan edhe materialisht me ligje mbrojtëse. Nga ana tjetër, gjaku dhe sakirificat sublime të LANÇ mbeten të padëgjuara, dhe të patrajtuara përveçse në formën e akteve protokollare të rastësishme. dhe boshe në përmbajtjen e tyre. Jo vetëm kaq, por, heroizmi i popullit shqiptar në vitet e Luftës Dytë Botërore po relativizohet në përmasa tejet surrealiste. E kjo nuk është një rastësi.

Është e rëndësishme të mos braktisen nuancat dalluese më sipër shënuara. Sepse, Pikërisht atje sintetizohet jo vetëm teorikisht, për momentin, po mundet edhe praktikisht, në të ardhmen, dhuna e fuqishme e ekstremistëve sjellje kjo naziskine që mban gjallë pasigurinë bashkëkohore kombëtare.

Por a është e mundur që të kuptohet "surrealja" pa mbajtur parasysh historinë e gjatë të tradhtisë; tradhtisë dhe mundimit që është dizajnuar në ballin e popullit shqiptar nga fuqi të ndryshme, të brendshme e të huaja? Të imagjinosh që “surrealja” i ka rrënjët ekskluzivisht në ideologjinë naziste, do të thotë të bashkohesh në shtypjen dhe mohimin e historisë të LDBotërore jo vetëm në Europë, po edhe në Amerikë e më gjërë në botë.

Pastaj, “surrealja” nuk vjen me duar në xhepa. Ajo vjen me shumë shije, oferta, dhe, pretendimet për viktimizim, legjitime apo të imagjinuara, mund të lejohen të japin imunitet, ose, mund të sanksionojnë dhunën ndaj popujve që mbrojnë vlerat e qytetrimit dhe krishtërimit në kontinentit tonë. Do ishte një qamet, po të ndodhë.

Në politikën shqiptare kuptimi dhe adresimi i LDBotërore - që me të drejtë i përket kryekëput fushës së historisë - është transponsuar edhe me grindjet dhe talljet fëmijënore e pasionante rreth Partizanëve dhe Ballisto-Kuislingëve, ku të dyja palët luajnë me ose pa vetëdije role të caktuara armiqësore, paçka se, qytetarët e të dyja Palëve në jetën e tyre private shkëmbejnë paprerë përqafime të ngrohta interesash varësie reciproke nga më të ndryshmet.

Nëse do ketë ndonjëherë ndonjë qëndrim ndryshe, nga ai  sot, ndaj LANÇ - ndryshimi nuk do të jetë rezultat i politikave siguruese të BE, pra, nuk do të vijë nga kancelaria burokratike e BE.

Po nga do të vijë? Udhëhëqësit shqiptarë e kanë për detyrë ti shërbejnë Atdheut, jo korupsionit, si gardh mbrojtës edhe në kohët e vështira. Aktualisht. Qëndrimin e Asamblesë të Këshillit të Evropës ndaj presidentit Thaci, simbol i UÇK, Edi Rama e përcatoi “surreale”. I njëjti përcaktim vlen të mbahet edhe ndaj dallëdisë ideopolitike që e fajëson popullin partizan, sepse, mori pjesë në Luftën Clirimtare Antinazifashiste në Trojet Shqiptare. Nasho Bakalli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat