Bota ndryshon, por jo koncepti për tradhtinë!

Opinione

Bota ndryshon, por jo koncepti për tradhtinë!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 9 nëntor 2022 Në ora: 22:42
Foto ilustrim

“Ta lësh Kosovën pa aleatë është tradhti”, ka thënë sot kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku! Në emër të aleatëve Ramush Haradinaj u largua nga takimi me Kryeministrin. Se ashtu bëhej më i rëndësishëm. I dukej vetja kryeministër i kryeministrave. E në fakt me rezistencën kundër ndarjes së Kosovës ai ishte dikur i tillë. Por, tani është kryetar i AAK-së!

Dhe që në fillim duhet ta themi: Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin promotore të çlirimit të Kosovës nga Serbia. Sekretarja e Shtetit Olbright, komandanti i NATO-s, Clark, diplomati Hollbrook e presidenti Clinton do të mbahen mend për vendosmërinë e tyre për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë. Po ashtu nderimi dhe mirënjohja shkon edhe për Tony Blair dhe Joschka Fischer, si dhe të tjera figura politike të vitit 1999!

Kosova u pavarësua si kundërvënie ndaj aleancës serbo-ruse!

Por, njerëzit e ditur e me tru duhet ta dinë se bota dhe njerëzimi, pra shtetet dhe njeriu janë gjithnjë në ndryshim dhe në zhvillim. Asgjë nuk është statike e pandryshueshme! Çdo gjë, e sidomos në politikë, bëhet në përshtatje me kushtet e rrethanat që krijohen. Në momentin që do ta shkruaj e publikoj këtë koment, ai mbetet e shkuara. Nesër nuk e dimë çfarë vjen. Nuk e parashikojmë dot. Sepse ka shumë faktorë dhe aktorë që marrin pjesë në veprim. Çdo gjë zhvillohet, ndryshon e përshtatet në hapësirë dhe në kohë.

Kjo ligjësi vlen dhe për aleatët. Merreni p.sh Toni Blair. A ju kujtohet se si i bënte presion presidentit Clinton që NATO-ja të hynte me trupa tokësore në Kosovë e në Serbi?! Retorika e tij e asaj kohe ishte e jashtëzakonshme në dobi të Kosovës! Protagonist, i pakompromis dhe mbrojtës i të drejtës së shqiptarëve! Çfarë ndodhi që ai sot është më shumë pro Serbisë e madje këshilltar i presidentit Vuçiq?! Ky shembull na dëshmon qartë se si ndryshon bota, njerëzit, zhvillimet, rrjedhat, interesat, aleancat!

A i shkon mendja Abdixhikut, Ramushit e të tjerëve që përdorin alibinë e aleatëve se, nëse Milosheviçi do të ishte aleat i Perëndimit, Kosova do ta shpallte pavarësinë dhe kjo pavarësi do të njihej nga vendet e demokracisë perëndimore?! Mund të ndërhynte NATO, por nuk do të kishte një president amerikan, si George W. Bush, që ta shpallte nga Tirana pavarësinë e Kosovës! Kosova u pavarësua si kundërvënie e aleancës serbo-ruse! Duhet të jemi fer dhe jo njerëz “me bisht”, siç na quante para 109 vitesh Vladan Gjorgjeviç dhe Edi Rama sot!

Tani jemi në një situatë kur SHBA-të duan që Serbinë ta bëjnë aleate të BE-së dhe NATO-s! Unë e di se kjo nuk do të ndodhë, pasi nuk është në dorën e presidentit serb. Por, Aleksandër Vuçiqi ka mundur ta bindë Perëndimin se Serbia do të bëhet aleate e tij, nëse Perëndimi, pra aleatët tanë, plotësojnë orekset e Beogradit në Kosovë! Kush mendoni ju se është interes prioritar për Perëndimin, shkëputja e Serbisë nga Rusia, apo pavarësia e Kosovës e shtetësia e saj?! Flas për interesat e SHBA-ve dhe të vendeve kryesore të Europës! Sigurisht që shtrirja e influencës në të gjithë Ballkanin është interes përparësor! Atëherë, pse të besojmë se qëndrimi për një çështje kundër apo ndaj aleatëve është tradhti?! Kjo është më shumë se një lloj dogmatizmi e servilizmi i pashembullt. Fuqitë e mëdha dhe aleatët e Kosovës e kanë të drejtën ta ndryshojnë qëndrimin e tyre! Për këtë askush nuk ka të drejtë t’i fajësojë ato. Ashtu siç kemi ne si komb interesat tona dhe përpiqemi t’i realizojmë ato, po ashtu Fuqitë aleate kanë interesat e tyre.

Marrëveshje e ratifikuar në parlamentin e tradhtisë!

Shihni çfarë ndodh? U tha se asociacioni duhet ngritur pa kompetenca ekzekutive. E thanë këtë para disa muajsh edhe Escobar dhe të tjerë përfaqësues të BE-së. Pas ngjarjeve të fundit ndryshuan qëndrim. Thonë asociacion të komunave me shumicë serbe sipas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel. Sepse, po na thonë, ajo marrëveshje është ratifikuar në parlamentin e tradhtisë! Ratifikimi i asaj marrëveshje ishte tradhti, Lumir! Nuk është tradhti ta mbrosh Kosovën nga një asociacion i tillë!

Tani le të më thotë dikush se pse ndryshojnë qëndrimet e tyre aleatët tanë? Sepse interesi i tyre është ta tërheqin Serbinë pas vetes. Me këtë akt përzënë Rusinë nga gadishulli ballkanik. Po çfarë duhet bërë për këtë? Duhet të paguajë Kosova! Nëse e mbron Kosovën kundër rekomandimeve të tilla të aleatëve, sipas përfituesve politikë në Kosovë, qenka tradhti! Së paku mos e deformoni nocionin e tradhtisë. Ishte tradhti bashkëpunimi me Vuçiqin për të ndryshuar kufijtë dhe ndarë Kosovën, por nuk është tradhti ta mbrosh atë!

Nëse shkojmë sipas mendjes së zotit Abxixhiku, atëherë duhet që t’i thërrasim si patriotë dhe heronj ata që punuan me aq këmbëngulje për ndarjen e Kosovës! Ndoshta janë bindur për këtë edhe Lumiri, edhe Ramushi, edhe politikanë të tjerë debilë në Kosovë e në Shqipëri, edhe analistë të shitur e papagaj të Beogradit! Bota ndryshon, por jo koncepti për tradhtinë. Nëse shkojmë deri këtu, atëherë do ta humbasim rrugën në oborrin e shtëpisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat