Kush fitoi me Dumanin? Kim apo Rama?

Opinione

Kush fitoi me Dumanin? Kim apo Rama?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 17 dhjetor 2022 Në ora: 10:50
Xhevat Mustafa

Menjëherë pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve për kryetarin e ri të SPAK- ut dhe konfirmimit të fitores së Altin Dumanit u ndez në media, rrjete sociale, kafene, qebabtore...debati allashqiptar se cili fitoi bashkë me atë: ambasadorja Yuri Kim apo Edi Rama. Nga shumica, më tepër të shtyrë nga një "burim i nëndheshëm", mendohet dhe u shpreh se fitoi Yuri Kim, meqenëse Dumani është reklamuar si i përzgjedhur apo i mbështetur nga ambasada amerikane.

Por, lidhja dhe miqësia 3 vjeçare Yuri Kim- Edi Rama, interesat apo fijet që më shumë i shtyjnë të vazhdojnë aleancën e të mos shkojnë drejt "divorcit politik" japin arësye të mendohet dhe besohet se kanë fituar të dy! Kam parandjenjën dhe bindjen se koha do të vertetojë shpejt se edhe Yuri, edhe Edi...kanë fituar me zgjedhjen e Dumanit, tani për tani pa u kuptuar saktë se kush ka fituar më shumë! Pa u konsultuar me ndonjë fallxhore apo astrologe mund të thuhet se e humbur është vetëm..."Reforma në drejtësi".

Edhe me zgjedhjet e djeshme për kreun e ri të SPAK- ut ajo u trajtua prej të dyve si fushë basketbolli, ku mund të luajnë me shumë kosha e topa... Apo si si një "magazinë mallrash" për tregun e zi, ku mund të zgjedhin çdo "mall", që u pëlqen individualisht atyre, më shumë si njeri se sa për nga cilësia e vlera, sa mund të jetë i efektshëm dhe i suksesshëm për institucionin dhe për Shqipëri! Disa, që e njohin, po shprehin optimizëm për fitoren e Altin Dumanit.

Natyrisht kanë arsye e të drejtë për këtë opinion subjektiv. Por, nuk mund të harrojmë se jemi në ALBANISTAN, ku korrupsioni dhe kapja e shtetit dhe institucioneve të drejtësisë nga qeverisjet, kryeministrat, janë të lartë, deri mbi majën e Korabit dhe an e mban, pra, pa anashkaluar “Piramidën e Drejtësisë”! Pra, ku prej shumë vitesh e në të gjitha qeverisjet, gjatë 78 viteve, është shprehur apo kuptuar lehtësisht se pavarësia e institucioneve të drejtësisë është si një përrallë për të pushuar së qari apo për të vënë gjumë fëmijët! De jure dhe de facto prokuroret e SPAK-ut kanë pavarësi hetimore, nëse duan të bëjnë drejtësi të vërtetë e të pavarur. Por, deri më sot, me veprimet dhe mosveprimet e tij, SPAK ka shprehur e treguar se “e ka frikë” politikën ose se, për shumicën e veprimeve, telekomandohet nga qeverisja, individualist nga ministri i drejtësisë dhe sidomos, kryeministri.

Merret me mend dhe është për t’u shqetësuar seriozisht se asgjë nuk do ndryshojë deri sa gjykata dhe prokuroria të marrin rolin që u takon ligjërisht, atë të pushtetit të tretë, të aftë për të ruajtur ekuilibrat dhe pastërtinë e shtetit dhe jo t’i bëjnë fresk pushtetit, veçanërisht kryeministrit. Një nga faktet e shumtë për varësinë e drejtësisë nga qeverisja është zvarrisja për më shumë se 1 vit e procesit gjygjësor për kryesinë dhe vulën e PD-së, çka lejon edhe të dyshohet dhe mendohet jo krejt pa baza se kjo ndodh më shumë se nga përmbytja prej proceseve më të hershme, nga një telefonatë nga kryeministria apo nga ministria e drejtësisë...!!!???

Megjithatë, daltë optimizmi dhe parashikimi i atyre që janë gëzuar nga fitorja e Altin Dumanit dhe jo skepticizmi dhe paragjykimi im! Na daltë e na gëzoftë qoftë edhe një "fitore si e Pirros"!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat