Harruam pas luftës!

Opinione

Harruam pas luftës!

Nga: Fekmi Kongjeli Më: 19 janar 2023 Në ora: 16:30
Autori Fekmi Kongjeli

Që për 10 vite okupim ishim populli më i organizuar e solidar brenda e gjithandej botës në përpjekjet tona për liri e shtet. Një shkrim ndryshe për fondin e 3 % dhe kontribuuesit e këtij fondi. Është fol e përfol, është shkruar e debatuar, janë bërë emisione e dokumentarë. Dhe fatkeqësisht të gjitha këto në kontekstin negativ! Me theks të veçantë keqpërdorimi! Duke qenë pjesë e aktivitetit dhe kontribuues për 10 vite nga themelimi i këtij fondi si dhe pjesë e organizimit në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga LDK-ja, dhe rezistenca gjithë popullore 1989/90 në Kosovë, dhe që nga fillimi i vitit 1991 në Gjermani.

Ndoshta nuk është e tepërt! Për hir të shumë kontribuuesve, për hir të mija aktivistëve të cilët për dhjetë vite punuan në mënyrë vullnetare ditë e natë në mobilizimin e popullit për të kontribuar në këtë fond që për ne ishte i shenjtë. Ja vlen ndoshta një kronologji e shkurtër e me pozitivitet. Këta aktivistë përveç aktivitetit që e bënin me vet kontribut ishin edhe kontribuuesit më të mëdhenj të këtij fondi pjesë e të cilit isha edhe unë. Ky fond i cili ishte buxheti dhe baza e krijimit të shtetit tonë. Ishte i shenjtë sepse nga ky fond u financuan institucionet tona paralele të cilat i rezistuan okupatorit.

Fondi ishte i dedikuar edhe për çlirimin e vendit dhe ka pasur aksione të veçanta për grumbullimin e mjeteve për luftë. Qeveria në Exil kishte edhe ministritë, të cilat edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, funksiononin me e në një shtet ligjor siç është Gjermania dhe atë me një bashkëpunim dhe koordinim edhe me aktivistët, në tubime të rregullta me popullin për mobilizim, por edhe në sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar për gjendjen në Kosovë.

Gjatë periudhës 1991/99 në të gjitha shtetet e Evropës nuk kishte fshat e mos të flasim për qytete ku nuk do të ishim të organizuar, Aktive të LDK-së, Fondi i 3% nga ai lokal tek ai qendror. Pastaj krijimi i klubeve sportive, shoqatave dhe klubeve. Dhe e gjithë kjo në shërbim të çlirimit të vendit. Ishte një mobilizim gjithë popullor dhe gara ishte kush do të kontribuojë më shumë si në rrafshin individual, familjar e grupor. Gjatë kësaj periudhe edhe pse të gjithë kishim barrë problemet tona në një ambient të ri, statut të pa definuar të qëndrimit, punë të rënda, kontributi për familjet tona në Kosovë dhe kur t’i shtohet kësaj që Serbia me të gjithë aparaturën e saj lobonte në mënyrë institucionale që të na pengonte në të gjitha aktivitetet tona. Ne me një disiplinë dhe solidaritet dhe organizim të mirëfilltë arritëm t’i tejkalojë të gjitha këto.

Motivi për lirinë dhe shtetin ishin frymëzimi jonë. Dhe kjo gjeti edhe mirëkuptim tek shtetet perëndimore. Fondet të cilat monitorohen me shumë kujdes nga shtetet perëndimore për fondin e 3% patën mirëkuptim të veçantë duke pas parasysh Transparencën dhe organizimin e mirëfilltë të fondit. Dhe duke u bazuar në këto fakte Qeveria Gjermane krijoi lehtësira të veçanta duke liruar nga tatimi kontribuuesit e fondit. Në gjuhën ekonomike i bie bashkëfinancim i fondit. Dhe pse jo ishte meritë e Qeverisë tonë, e sidomos e ministrisë së financave që arriti ta përvetësoi këtë favor. Të gjitha transaksionet shkonin përmes xhirollogarisë së fondit të verifikuara nga komisionet e fondit. Ndërsa, shpërndarja e mjeteve për nevoja dhe prioritete të Shtetit ishin ekskluzivitetet i Qeverisë. Gjatë kësaj periudhe u hapen shumë shkolla me mësim plotësues në gjuhën shqipe me vetkontribut por edhe me përkrahjen e këtyre shteteve në financim.

Në si Gjermania në bashkëpunim me Qeverinë tonë. Të gjithë kontribuuesit e në veçanti aktivistët që me një përkushtim dhe vullnet për 10 vite kanë kontribuar në këtë fond kanë merituar së paku të flitet dhe shkruhet drejt e pastër për kontributin dhe sakrificën e tyre, jo për mirënjohje, pasi që ky ka qenë obligim për shtetin. Por për udhë rrëfim të gjeneratave të reja. Për një vlerë kaq të çmuar! Nëse vërtet ka fakte e argumente për keqpërdorimin e këtij fondi dhe gjitha fondeve tjera nga kush do qofshin ata është një nder krimet më të rënda, duke vrarë sakrificën e kontribuuesve.

Kur dihet që këto fonde kanë qenë të shenjta edhe në kuptimin e dedikimit por edhe nga kontribuuesit dhe aktivistet të cilët me vite kanë nda nga buka e gojës, nga punët e vështira, nga malli për vendlindjen dhe familjen. Dhe në fund! Nuk ka shtet në botë që mundet me i plotësuar të gjitha nevojat e qytetarëve të tyre me buxhetin e shtetit! Ka shumë fonde humanitare e kombëtare të krijuara për t’i plotësuar sa do pak nevojat aty ku nuk arrin dora e shtetit. Por ne si Kosovë athua kemi pasur nevojë edhe më tutje një fond gjithë kombëtar si ky që e patëm, duke pas parasysh krizën që ka përfshirë gjithë njerëzimin në tërë globin, e ne veçanti shtetet e varfra si Kosova.

Duke ia shtuar kësaj edhe agresionin e Serbisë për destabilizim. Pa harruar si shoqëri në përgjithësi ta pyesim veten sa ishim të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm nga pas lufta që ta kultivojmë besueshmërinë për mobilizim, solidaritet dhe sakrificë për të kontribuar për Shtetin në të gjitha fazat e zhvillimit?! Virtyte që veç i kishim e që ishim shembull për shumë popuj e shtete.

Fekmi Kongjeli

Gjermani

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat