Janarët e ftohtë e ngrijnë në damar edhe pikën e gjakut të ngrohtë

Opinione

Janarët e ftohtë e ngrijnë në damar edhe pikën e gjakut të ngrohtë

Nga: Dedë Preqi Më: 21 janar 2023 Në ora: 13:19
Dedë Preqi

Janarët janë gjithnjë të ftohtë, ashtu sikur edhe vdekja që është e ngjajshme me akullin, që e ngrinë edhe pikën e fundit të gjakut të ngrohtë, mirëpo lindja dhe rrita e ka fuqinë dhe simbolikën e vet në ripërtrirjen e jetës dhe janë të atillë, që me ngrohtësinë e gjakut dhe shpirtit e vazhdojnë jetën dhe i ruajnë kujtimet dhe përshtypjet për njerëzit e ndritur, për ata të cilët, bëjnë dritë gjithë jetën dhe vokin damarët e shpirtit dhe lirisë njerëzore.

Secili njeri në jetën e vet e ka një kombinim të veçantë të vlerave dhe virtyteve njerëzore, por ata që dallohen në jetën e bujshme kombëtare e atdhetare, nuk vdesin kurrë, sidomos vizionet e tyre, që sqarojnë paradokset e mundshme në jetën shoqërore me përjetimet nën okupimin e pushtuesve, si edhe qëndresën nga kjo kthetër gjakpirëse, duke zgjedhë rrugën e vetme paqësore.

Dhe njëri ndër ata njerëz paqësor e vizionar, që kishte një vizion të çartë për popullin e vet, të robëruar e të shumëvuajtur, ishte Presidenti historik dr.Ibrahim Rugova, i cili me filozofinë e tij politike dhe paqësore i rezistoj një regjimi të egër e monist, duke besuar dhe mbështetur në vlerat e demokracisë dhe lirisë njerëzore.

Në kohën kur dominonte regjimi komunist dhe qeverija e Millosheviqit, ishte koha më delikate, kur dr.Rugova u zgjodh në krye të LDK-së, e cila parti ishte e para ilegale shqiptare dhe demokratike në Kosovë, që bëri një kthesë të madhe historike, duke tubuar rreth vetës shumicën e popullit shqiptarë liridashës e paqësor, e cila mund të quhej ndryshe si një shpërthim demokratik, që i theu me guxim dhe mjeshtëri barierat e asaj kohe të egër.

Nga këtu fillon edhe ndryshimi historik i Kosovës, duke e marrë të mbarën edhe me vizitën e dr. Rugovës në SHBA, në kohën e Presidentit Bush, i parë, me çrast për herë të parë i jepët Beogradit një vi e kuqe, dhe i bëhët e qartë se, edhe populli amerikan është ithtarë i njerëzve liridashës e paqëdashës, dhe e përkrahim ideologjinë parimore të dr. Rugovës, dhe pajtohemi se lufta e dëmton sëcilin popull dhe e shkatërron sëcilën kulturë njerëzore deri në thëmel.

Prandaj, sikur u deshën më shumë se 45 vite, që të arrihet vendimi i janarit 1990, i cili e ç’vlerësoi sistemin monist të imponuar dhe i mohimit të drejtave të shqiptarëve nën këtë oligarki të çmendur njerëzore, me ç’rast gishti i drejtohet Kosovës, si shkakëtare e revoltimit dhe shpërthimit ndaj saj, për shkatërrimin dhe shdërrimin në demokratizim.

Vetëm në një atmosferë paqësore e demokratike Kosova, do të arrijë ta fitojë të drejtën e vet dhe shprehjes së lirë në votime, që me sjelljen e përfaqësuesve të vet dhe me zërin e vërtetë të popullit, do të arrijë një epokë e re demokratike, këtë e përseriste në çdo tubim Presidenti Rugova, dhe krahas këtij guximi, së bashku me popullin e Kosovës, u bënë shumë përpjekje të veprimtarisë intelektuale shqiptare, mbrenda një sistemi që i mohonte arbitrarisht të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.

Dr. Ibrahim Rugova ishte ndër të parët, që e internacionalizoj çështjen e Kosovës, i cili kishte një difinicion të çartë se, “ Pavarësia e Kosovës“, do ta qetësonte vendin, rajonin dhe Ballkanin, me ç rast Kosova, do bëhët vendi i njerëzve të lirë, pa dallime kombëtare e fetare, me një fjalë atdheu i gjithë nacioneve të këtij vendi, të cilët edhe janë të gatshëm që ta ruajnë e ta mbrojnë këtë tokë, duke e miratuar dhe mbështetur përkrahjen e NATO-s, që përmes këtij opsioni u realizue edhe rruga më e shkurtër dhe më jetëgjatë për Kosovën dhe popullin e saj.

Presidenti Rugova kishte edhe shumë shokë të dijës dhe udhërrëfyes, që e përkrahën dhe e shoqëronin në favor të kësaj politike, por kishte dhe të tjerë të cilët e shoqëronin me rezerva, mos të thëmi se kishte prej tyre, të cilët edhe sot i mbajnë rezervat e tyre, jo vetëm si kundërshtarë politik, por edhe atentatorë të këtij presidenti historik.

Dr. Rugova, si një figurë emblematike e kombit shqiptarë, nuk posedonte dhe planifikonte programe të luftës me armikun e këtij populli dhe as me të tjerët që kishte në hapat e tij, por mbi të gjitha, dr. Rugova, zgjodhi rrugën paqësore, për ta ruajtur popullin shqiptarë nga bishat e egra sero-çetnike, të cilat ishin në krye të regjimit serb të asaj kohe.

Presidenti Rugova, nuk dyshonte në parimet dhe mendmet e veta filozofike, se popullin e Kosovës, duhet drejtuar më shumë nga perëndimi dhe SHBA-të, sepse kjo do të ishte alternativa më e frytshme dhe më shpëtimtare e këtij populli nga konfliktet, si edhe nga gjenocidi serb, i cili ndër të tjera planifikoi dëbimin nga trojet e veta edhe ç’farosjen e këtij populli, për ta kolonizuar Kosovën me popullatë serbe.

Filozofija dhe urtia e dr. Rugovës, ishte shumë bindëse edhe për Bashkësinë Ndërkombëtare, e cila më në fund u bind më vonë, duke kuptuar se ky popull po kërkon në mënyrë paqësore liri dhe demokraci në vendin e vet, që pason me krijimin e shtetit të vet sovran e të pavarur, i cili nuk synon pengimin apo cënimin e të drejtave dhe lirive njerëzore të asnjërit popull, por respekton dhe përfill të drejtat e tyre pa dallim, si një vend i lirë i një qytetërimi njerëzor.

Prandaj, dr. Rugova si një intelektual i dijes dhe kulturës, por edhe i guximit politik, i përballoi me një mjeshtri të rrallë politikat e regjimit serb, të cilat ishin metodat më përfide kundër shqiptarëve, duke përjetuar skena të ndryshme politike, të cilat sfida shtoheshin ditë përditë kundër politikës «rugoviane» dhe popullit shqiptarë, mbrenda atdheut të tyre dhe jashtë atdheut në diasporë, ku shumica e bashkëpunëtorëve pësuan brenda në Kosovë, por edhe në mërgatë, të cilët ndiqëshin dhe përgjoheshin nga përgjimet serbe, si edhe nga «shpiunët» shqiptarë.

Dr. Rugova me politikëbërjen e tij të rrallë e të çmuar, jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe si një politikan i një kalibri të lartë me renome ndërkombëtare, na bëri edhe ne, që të ndjehëmi vertetë si një popull «dardan» dhe njerëz që kanë parime e sjellje njerëzore, por edhe liridashës e paqësor, duke i injoruar tradhëtarët e vrastarët e lirisë së individit dhe shoqërisë njerëzore.

Ndër të tjera, ndoshta dhe një ndër elementet parimore të dr.Rugovës, ishte edhe lidhja e tij, me mërgatën shqiptare, duke krijuar miqësi të ngushtë me këta atdhetarë të dashur shqiptarë, të cilët ishin të shpërndarë në gjitha pjesët e perëndimit, në Gjermani, Zvicërr,SHBA, dhe në shumë vende tjera të botës, duke ia hapur dyert edhe këtij qytetërimi për çështje e Kosovës, e cila mërgatë u tregua shumë e fuqishme, kontribuuse dhe atdhetare në kohën më të nevojshme, dhe luajti një rrol të veqantë në prezentimin e qështjes së Kosovës në perëndim.

Burrështetasi Rugova pushoj nga skena politike në rrethana shumë të ndieshme dhe largimi i tij ndikoj shumë në çështjen e Kosovës, por edhe ndikoi ndjeshëm në reformat partiake të LDK-së, , e cila u reflektue shumë çartë në zgjedhjet e pastajme, ku LDK-ja, u lëkund menjëherë dhe pësoj rënje drastike. Vdekja e Presidentit Rugova, e la një zbrazëti , e cila nuk mund të plotësohet dhe përbushët kurrë, sa i përketë lidershipit të vendit, nga se Rugova arriti të siguroj historinë e një populli dhe shpierjen e tij drejt demokracisë dhe pavarësisë.

Tani u bënë 17 vite, kur Presidenti Rugova u nda nga kjo botë, në kohën më të ftohtë, në janarin e vitit 2006, kur u ndanë edhe shumë njerëz të mëdhenj të kombit tonë, prandaj januarët do të mbetën gjithmon të veçantë dhe historik, që me gjakun e ngrohtë të atyre korifejëve , u shkrinë akujt dhe acarët më të egër të kohës, ashtu siq thotë sot edhe kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, mos të harrojmë ti përkujtojmë këta njerëz të mëdhenjë të kombit, sikur që ishte edhe dr. Ibrahim Rugova, nga i cili kemi miqë të fortë, që duhet ti ruajmë e respektojmë, si edhe aleancat që dr.Rugova i lidhi me këta miqë të çmuar ndërkombëtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat