Të ngriten në Serbi komunitetet, me kërkesën për Asociacionet e tyre!

Opinione

Të ngriten në Serbi komunitetet, me kërkesën për Asociacionet e tyre!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 12 shkurt 2023 Në ora: 12:53
Sherif Ramabaja

Serbia e ka vënë nën trysni Kosovën për themelimin e Asociacionit me komunat serbe. Kësaj trysnie, për çudi siç po shihet, i është bashkuar edhe bashkësia ndërkombëtare, pa i analizuar pasojat që do të rrjedhin më vonë, kur dihet prapavija e Serbisë.

Kosova siç duket është vënë para aktit të kryer, sepse marrëveshja e tillë është firmosur më 2013 dhe është aprovuar edhe në Parlamentin e Kosovës.

Kryeministri Kurti Asociacionin e ka refuzuar deri më tash, por përfaqësuesit e administratës amerikane kanë qenë kategorik, se një marrëveshje e tillë patjetër duhet të aprovohet.

Albin Kurti i nxënë ngushtë ka tentuar me deklarata nga distanca të argumentoi rreziqet e një marrëveshje të tillë, pa pasur mundësi që drejtpërdrejtë për këtë problematikë qenësore për Kosovën, të bisedoi me administratën e lartë amerikane. 

Pasi kryeministrit Kurti po i zvogëlohet rrethi i veprimit dhe presioni po i shtohet doli me një plan 6 pikësh, po në suaza të përgjithshme indirekt i ka motivuar komunitet në Serbi, që edhe ata të paraqesin kërkesa për Asociacione të ngjashme, të cilat Serbia po i kërkon për serbët në Kosovë.

Me kërkesa të tilla ekziston rreziku që po ashtu do të hapet Kutia e Pandorës, me të cilën do të përballen jo vetëm shtetet ballkanike duke e përfshirë edhe  Serbinë, por edhe bashkësia ndërkombëtare.

Kjo është një përpjekje që nëse komunitetet e Serbisë reagojnë me kërkesa të ngjashme, mund të llogaritet që i tërë rajoni do të përfshihet nga një valë me një dimension të paparashikueshëm.

Nuk mund të vlejnë parimet vetëm për Serbinë që të kërkoi Asociacion në Kosovë, kur të njëjtin ua mohon komuniteteve të shumta të cilat jetojnë në Serbi.

Ky duhet të jetë një argument i fuqishëm, që askush nuk duhet të punoi me dy standarde, për të njëjtën çështje.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të mendoi mirë se ç´mund të sjellin kërkesat e tilla dhe a janë zgjidhje, kur dihet se do të shkohet në drejtimin e Bosnjëzimit të rajonit, që shumë lehtë kërkesat e njëjta mund të zgjerohen edhe në tërë Evropën.

Gabimi i Bosnjës do të duhej të merrej si shembull për korrigjime të gabimeve e jo të insistohet që të zhytemi edhe më thellë në pasiguri.

Premtimet amerikane se Asociacioni do të jetë pa kompetenca ekzekutive do të vlente për shtetet demokratike, të cilat nuk kanë pretendime territoriale, e jo për një shtet siç është Serbia, së cilës nuk mund t´i besosh edhe shekujt në vijim.

Në këto raste vendimtare për kombin, shteti amë sidomos presidenti dhe liderët e tjerë politik në Maqedoni, Luginë dhe Kosovë, duhet t´i shprehin brengat së bashku para bashkësisë ndërkombëtare, për rrezikun serioz me të cilin do të ballafaqohet i tërë rajoni.

Ndoshta takimi dhe konsultimi i përbashkët i liderëve shqiptar, se si të veprohet në këtë rast, do të ishte i domosdoshëm, kur është në pyetje ekzistenca nacionale e kombit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat