A është i programuar dështimi në bisedimet Kosovë - Serbi, javën e ardhshme?

Opinione

A është i programuar dështimi në bisedimet Kosovë - Serbi, javën e ardhshme?

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 24 shkurt 2023 Në ora: 12:05
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Nëse analizohet retorika e Vuçiqit me kompani se vetëm formimi i Asociacionit është rrugëdalja për bisedimet, atëherë kuptohet se: që në fillim insistohet në dështimin apo bllokimin e bisedimeve, ende pa filluar.

Kurti formalisht e ka pranuar planin franko – gjerman, por kërkon që së pari të përfshihet njohja reciproke, pastaj të bisedohet për Asociacionin.

Kjo kërkesë e Kurtit, pa e analizuar se a është racionale apo jo, mund të jetë një shkak që Vuçiq ta refuzojë pranimin e këtij plani, të cilin më me dëshirë do ta refuzonte si gjithmonë, por i duhet një shkak i fortë.

Duhet të presim se si do të zhvillohet ky takim, po nuk mund të presim përparim sa i përket Serbisë, e cila me këta udhëheqës racist ka dëshmuar se nuk është e interesuar për një zgjidhje me Kosovën.

Si mendon perëndimi të del nga kjo gjendje në të cilën Serbia e ka tërhequr për hunde derisa Rusinë e kishte pas vetes, pritet të sqarohet ditët e ardhshme.

Një është e qartë. Perëndimi për t´i ikur konfrontimit me Serbinë e cila me mjeshtri taktizon, sikurse Rusia, presionin e ka rritur ndaj Kosovës, që t´i bëjë lëshime Serbisë, pa llogaritur çmimin që do paguante për këtë, në radhë të parë Kosova, por dhe Evropa.

Një presioni të fuqishëm Kosova i ishte nënshtruar me demarkacionin ndaj Maqedonisë, pastaj ndaj Malit të Zi, kurse siç duket tash e tutje ose duhet ndalur këtë trend të rrudhjes territoriale, ose duhet kaluar në ankand, kush çka don merr, e kush çka don len.

Me një mentaletitet të tillë interesi nacional i Kosovës tërësisht do të rrezikohej kur të mendohet që dendësia më e madhe e popullsisë në Evropë, në një kilometër katror, është pikërisht në Kosovë.

Nëse shqiptarët nuk këmbëngulin që ta mbrojnë me dinjitet dhe me këmbëngulësi interesin e tyre, askush nuk e merr një barrë të tillë për ta.

Bashkësia ndërkombëtare insiston në marrëveshje të përbashkët, me kompromise nga dyja palët, por shqiptarët duhet t´i argumentojnë vijat e kuqe të tyre, e jo që këtë ta bëjë Serbia në territoret shqiptare.

Perëndimi duhet ta korrigjojë qëndrimin e vetë në relacionin Kosovë – Serbi të cilin e ka formuluar tërësisht sipas aktualitetit politik: kërkon nga Serbia harmonizimin e politikës së saj me EU ndaj Rusisë, për aprovim të sanksioneve, kurse si kompensim i bëjnë lëshime ndaj Kosovës.

Kjo tërësisht i përgjigjet Serbisë e cila kur janë pyetje përfitimet ndaj Kosovës, nuk do t´i kursente sanksione ndaj askujt që i kërkohet, e pse jo edhe ndaj Rusisë, e cila njësoj për interesa të veta e përdor Serbinë.

Kosova në këtë rast duhet të angazhohet në dy fronte: në njërin kundër Serbisë dhe në tjetrin për ta bindur perëndimin që ta ndryshoi qëndrimin e gabuar të tij, për interesin afatgjatë, duke i korrigjuar dhe duke i mos i përsëritur gabimet, të cila i ka bërë me Bosnjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat