PD-ja nuk ekziston më?

Opinione

PD-ja nuk ekziston më?

Nga: Nexhat Haziri Më: 5 mars 2023 Në ora: 18:49
Autori Nexhat Haziri

E djathta (PD-ja) në Shqipëri si koncept dhe forcë politike nuk ekziston më. Betejën për shkatërrimin e saj e fituan Soros dhe krye-socialisti Edi Rama dhe ky i fundit si fitimtar I kësaj tragjedie politike, po marshon tashmë si një lider autokrat i tipit të Putinit në Rusi dhe Llukashenkos në Bjellorusi. Ky cilësim për Ramën është vetëm në raport me Shqipërinë dhe qeverisjen e tij, sepse në raport me jashtë ai është vetëm një pulë e lagur, asgjë më shumë.

Nga kjo “vdekje” e të djathtës në Shqipëri, nuk është edhe pa mëkate, lideri i saj historik Sali Berisha, dhe mëkati i tij fillon qysh se kur e projektoi Lulzim Bashën si pasues të tij në krye të PD-së. Doktorin nuk kam pse ta “mbrojë” nga korrupsioni e që është karakteristikë e liderëve shqiptarë në të gjithë rajonin, sidomos në Shqipëri. Pse qenka vetëm Sali Berisha i korruptuar, e jo Edi Rama e Ilir Meta apo të tjerët që kanë hyre e dale ne skenën politike në Shqipër për më shumë se tri dekada.

Ndërsa “NON GRATA”nga SHBA-ja, që po i rri Sali Berishës si nishan n’ lule t’ ballit, marrë parasysh skandalin i ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGoingal i njohur si afera “McGoingal” në të cilin është përfshirë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, del se “NON GRATA” për Doktorin të jetë sponzorizuar nga kryeministri aktual dhe krye-socialisti Rama.

Nëse koncepti politik i të djathtës (PD-së) tashmë përfaqësohet nga Enkelejd Alibeaj e Gaz Bardhi, është i pashpresë dhe vetëm sa do t’i zgjas vuajtjet e fundit jo vetëm të PD-së por edhe të djathtës në përgjithësi në rrugën e saj drejtë kalimit në histori që do të thotë vdekjen klinike të pluralizmit në Shqipëri edhe për një kohë të gjatë.

Vendimi i ndikuar politikisht i Gjykatës së Apelit i 3 marsit në lidhje me vulën e Partisë Demokratike, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Elona Mihali, Astrit Kalaja dhe Irida Kacerja, kanë votuar unanimisht që çështja të rishqyrtohet në Shkallën e Parë, duke anuluar kështu vendimin e Agron Zhukrit i cili njohu si legjitim Kuvendin e Sali Berishës, atë të 11 dhjetorit 2021, u shndërruan në varrmihës të demokracisë, edhe ashtu të brishtë në Shqipëri.

Dhe krejt për fund, beteja për ta kthyer serish të djathtën si forcë dhe alternative politike në skenën politike në Shqipëri, ka me qenë një betejë e gjatë dhe e mundimshme që kërkon reformë rrënjësore jo vetëm si formë por në përmbajtje për funksionim demokratik dhe lidership të ri e kreativ, të përgatitur profesionalisht, intelektualisht dhe kulturalisht, të gatshëm dhe të aftë jo vetëm për t’u ballafaquar, por për t’i fituar sfidat politike në të ardhmen, të cilat nuk do të jenë të pakta e as të vogla në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat