110 vjetori i masakrës në lug të Baranit

Opinione

110 vjetori i masakrës në lug të Baranit

Nga: Harry Bajraktari Më: 13 prill 2023 Në ora: 16:12
Harry Bajraktari

Në prill të vitit 1913, ushtria malazeze në krye me Sava Llazareviqin, kreu njërën ndër masakrat më të mëdha në fshatrat e Lugut të Baranit, me qëllim që të friksonte shqiptarët për ta ndërruar kombin dhe fenë. Qeveria e Malit të Zi në përpjekje për ta realizuar këtë akt shovenist, lëshoi një ultimatum ku ftonte shqiptarët e kësaj zone që të shkonin në kishën e Pejës dhe aty të konvertoheshin në fenë ortodokse.

Këtë ultimatum e kundërshtoi me forcë popullata e Lugut të Baranit, duke iu përgjigjur kriminelëve se "ne nuk do ta bëjmë as ndërrimin e kombit as ndërrimin e fesë, pa marrë parasysh pasojat që mund të na përcjellin nga një ushtri pushtuese". Këtë urdhër ashpër e kishte refuzuar edhe Bajraktari i Vranocit, Ali Bajraktari, duke ua bërë me dije autoriteteve malazeze se kjo është një punë që s' mund të bëhet asnjëherë. Pas këtij refuzimi nga të gjithë, pasoi një terror i paparë ndaj banorëve të Lugut të Baranit.

Sava Llazareviqi me ushtrinë e tij që në fillim puskatoi 12 veta. Në fshatin Kpuz vrau edhe 8 të tjerë, kurse në Doberdol, Miftar Elezi u maskrua me bojanetë. Ushtria malazeze terrorin e përhapi edhe në Turjakë, Graboc, Poçestë, Ozrim, Lutogllavë, Kosturiq dhe Nabërgjan. Krimet vazhduan edhe në fshatrat tjera të Lugut të Baranit dhe u shtri edhe përtej kësaj pjese të Dukagjinit.

Komandanti gjakatar Sava Llazareviq vetëm një ditë para se të urdhëronte me dhunë shkurjen e masës shqiptare të Lugut të Baranit në Kishën Ortodokse të Pejës për ndërrimin e kombit dhe të fesë, ai pasi kishte detyruar të hapnin varrin secili nga një për veti në një lëndinë të fshatit, pushkatoi 14 burra të Baranit të Epërm.

Nën kërcënimin e vrasjeve masive të popullatës, fshatarët e kësaj ane duke mos gjetur zgjidhje tjetër u nisën burra, gra e fëmijë drejt Pejës, ku te Ura e Gurit, i prisnin ushtria dhe xhandarmëria malazeze bashkë me priftërinjët ortodoksë që kur të kalonin shqiptarët të stëpikeshin me "ujë të bekuar".

Kësaj mase shqiptare u prinin Sali Bajraktari dhe Arif Haliti. Kur burra, gra e fëmijë arrijnë mbi urë, ushtria malazeze të riut Zenel Bajraktarit dhunshëm i vendosin në dorë flamurin malazez, duke detyruar që ta mbështjellte dhe ta lidhte në ballë. Mirëpo, Zeneli që asaj kohe ishte shumë i ri, në vend që ta zbatonte urdhërin e xhelatëve, ai e hedh flamurin malazez në tokë dhe, me të dyja këmbët, aq sa kishte fuqi e shkëlmoi. Populli i këndon:

Aferim Zenel Binaku, copa copa e ban bajrakun...

Pas këtij akti heroik mbi urë në masën shqiptare u krijua një rrëmujë. Xhandarmëria filloi ta kërkonte Zenelin, ndërkohë që para bojanetave të tyre, doli Sali Bajraktari, i cili u tha se ai përgjigjej për këtë popull të pfajshëm. Pas thyrjes së falamurit malazez, ushtria nxori nga masa e madhe 42 burra. Nga ata, po atë ditë, pushkatoi Sali Bajraktarin nga Vranoci dhe Arif Halilin nga Poçesta, të cilët me jetë kundërshtuan politikën fashiste të Kral Nikollës për ndërrimin e fesë dhe pushtimin e Kosovës. Në dy vargje popullre për këtë ngjarjetë dokumentuar thuhet:

Këtij Populli kush i prini?

Sali Bajraktari, Arif Halili...

Kundërshtimi i dy bajraktarëve, Saliut dhe Zenelit si dhe i Arif Halilit e të tjerëve, bënë që të dështojë skenari i turpshëm i politikës së Malit të Zi për ndërimin e kombit dhe fesë në Lug të Baranit. Kjo rezistencë krijoi jehonë pozitive në Dakagjin dhe në viset tjera shqiptare. Do theksuar se pjesën tjetër të Kosovës e kishte pushtuar Serbia, të cilët kishin djegur shqiptarë për së gjalli.

***

Nga kjo ngjarje e përgjakshme kanë kaluar plot 110 vjet. Shqiptarët për një shekull, pa u ndalur asnjëherë, në periudha të ndryshme, luftuan zaptuesit e tokave tona, serbët dhe malazezët.

Liria erdhi pas shumë sakrificave që bëri populli ynë, duke u përballë me armiqtë që mbanin të pushtuar Kosovën dhe pjesë tjera të tokave tona.

Nëse kthehemi prapa, do të shohimi se mijëra e mijëra njerëz janë sakrifikua për lirinë e sotme. Që të mos ndodhin masakra të tilla si ajo e vitit 1913 në Lug të Baranit dhe shumë e shumë masakra të tjera për një shekull mbi popullin tonë, e sidomos duke vlerësuar gjakun e derdhur më herët dhe në luftën e fundit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ne duhet të punojmë më shumë që të mos përsëritën ato krime nga pushtuesit dhe dhe t'i përkushtohemi më shumë forcimit të institucioneve të shtetit tonë që ta çojmë Kosvën përpara në familjen evropiane dhe të bëjmë një shtet të dinjitetshëm.

Zoti i bekoftë Shqiptarët!

Harry Bajraktari

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat