Zgjedhjet në veri ishin legale dhe demokratike!

Opinione

Zgjedhjet në veri ishin legale dhe demokratike!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 24 prill 2023 Në ora: 18:21
Foto ilustrim, zgjedhjet 23 prill

Në komunat e veriut të Kosovës përfunduan zgjedhjet! Në këto zgjedhje morën pjesë vetëm 3, 47 përqind e votuesve. Votuan 1567 shtetas, nga 45 mijë të regjistruar. Zgjedhjet ishin të qeta, pa asnjë incident dhe pa asnjë parregullsi. Dy komuna i fituan kandidatët e Vetëvendosjes dhe dy të tjera ata të Partisë Demokratike të Kosovës. Lidhja Demokratike dhe AAK e zotit Haradinaj nuk kishin kandidatë. Pjesmarrja ishte aq e vogël për shkak të bojkotit të serbëve të thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kjo pjesmarrje nuk i jep legjitimitet të plotë kryetarëve të zgjedhur.

Por kjo nuk do të thotë se zgjedhjet nuk ishin demokratike. Edhe e drejta e bojkotit është atribut i demokracisë. Në këtë pikëpamje raportimet e gazetarëve, pohimet e analistëve dhe madje edhe raportet e instituteve të Kosovës se sot në veri të vendit nuk pati zgjedhje demokratike janë të pasakta, të pavërteta, të pambështetura në teoritë e demokracisë dhe funksionimit të saj. Bojkoti është abstenim. Nuk është votë pro dhe as kundër. Ndërkaq kushtetura dhe kodi elektoral i Kosovës nuk përcaktojnë një kufi në pjesmarrjen në zgjedhje për t‘i legjitimuar ose jo ato.

Nga ana tjetër kanë filluar edhe deklarimet politike. Ambasada amerikane i vlerësoi ato si pjesë e një procesi demokratik, duke bërë thirrje për të shënuar hapa të tjerë në dialogun me Serbinë. Po ashtu ambasadori i Francës, ndonëse shpreh pakënaqësi për pjesmarrjen e ulët, bën thirrje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se në një farë mënyre SHBA-të dhe BE e njohin faktin se pjesmarrja e ulët ishte për shkak të thirrjes që Beogradi dhe Lista Srpska u bënë serbëve për të mos dalë në zgjedhje. Pra, ata i japin legjitimitet procesit dhe dënojnë bojkotin. Eshtë pikërisht ajo që ndodhi me bojkotin e Partisë Demokratike të zgjedhjeve të qershorit 2019 për pushtetin lokal në Shqipëri. Bashkësia ndërkombëtare dënoi bojkotin e demokratëve dhe legjitimoi zgjedhjet moniste, pavarësisht pjesmarrjes së ulët në votime.

Megjithatë të bën përshtypje një status në rrjetet sociale i Dardan Molliqajt. Ai kritikon qeverinë Kurti për organizimin e zgjedhjeve pa pjesmarrjen e serbëve dhe madje shton se kjo situatë do të shfrytëzohet me shkathtësi diplomatike nga ana e Aleksandër Vuçiç për krijimin e asosacionit. Bën gjithashtu thirrje që të bëhet zgjidhje politike. Nuk e sqaron se cila do të ishte kjo zgjidhje politike. Por Dardani, në linjën e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, vazhdimisht pohon se zgjidhja është realizimi i kërkesës serbe për ndarjen e Kosovës. Me këto zgjedhje Albin Kurti hodhi një gur tjetër në themelin e shtetësisë së Kosovës, sepse nuk pranoi të legjitimojë sovranitetin serb të Aleksandër Vuçiç në veri të saj!

Tashmë katër komunat e veriut të Kosovës do të qeverisen së paku deri në zgjedhjet e ardhshme lokale nga katër kryetarë me kombësi shqiptare, pavarësisht se shqiptarët janë pakicë në ato komuna. Interesant është se pjesmarrja e shqipraëve në zgjedhjet e 23 prillit nuk ishte e plotë. Megjithatë edhe pjesmarrja ose mospjesmarrja e shqiptarëve, boshnjakëve dhe pakicave tjerë në veri të Kosovës është zgjedhje demokratike e personave përkatës. Në demokraci nuk mund të imponohej as pjesmarrja e jo-serbëve, edhe pse presidenti serb imponoi qytetarët serbë të mos dalin në zgjedhje. Demokracia nuk është imponim vullneti. Vuçiç e imponoi vullnetin e tij te serbët e veriut të Kosovës.

Gjithçka që ndodhi në zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore jep hapësirë për diskutim. Në një shoqëri demokratike diskutimet e debatet janë legjitime. Por kur bëhet fjalë për Serbinë, raportet e saj me Kosovën dhe aq më tepër imponimin e vullnetit që ajo e adreson te serbët në Kosovë do të duhet të jemi racionalë e logjikë. Asnjë shqiptari, të çfarëdo ngjyre politike e besimi religjioz nuk i lejohet të justifikojë presidentin Vuçic për veprimet e tij anti-demokratike në Kosovë. Askush nga ne nuk ka të drejtë të legjitimojë ndërhyrjet e tij në rregullimin e brendshëm në Kosovë. Nuk duhet të fajësohet Kosova, as qeveria e saj, për fajet e Beogradit dhe sjelljen prej pushtuesi të Aleksandër Vuçiç.

Por krijimi i asosacionit me sa shihet është detyrim për Kosovën. Dihet se ky detyrim do të duhet të realizohet sipas kushtetutës dhe ligjeve të shtetit dhe me kushtin që serbët përfundimisht të heqin dorë nga varësia politike në Beograd, duke e pranuar shtetin e Kosovës. Zgjedhjet e të dielës në veri të vendit mund të shërbejnë për ta ndërgjegjësuar komunitetin serb. Megjithatë kryetarët e zgjedhur do të duhet të bëhen modeli i qeverisjes lokale, do të duhet të sillen dhe t’i trajtojnë të gjithë qytetarët, ata që votuan e ata që nuk votuan, në mënyrë të barabartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat