“Kushërinjtë” Rama-Vuçiq si bashkëpunëtorë në krim!

Opinione

“Kushërinjtë” Rama-Vuçiq si bashkëpunëtorë në krim!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 4 maj 2023 Në ora: 16:15
Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama

Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Rama, iu desh të shkonte para disa ditësh në një forum në Athinë për të deklaruar se “shqiptarët dhe serbët janë kushërinj”! Deklarata e tij kishte shumë adresa. Adresa e parë ishte vetë Greqia, së cilës i bëhej me dije se „Qeveria greke nuk ka nevojë të adresojë njohjen e Kosovës, se kjo çështje „zgjidhet“ me marrëveshje midis „kushërinjsh““! Adresa e dytë ishte Uashingtoni. Mesazhi për SHBA ka të bëjë me një lloj garancie që Rama u jep partnerëve amerikanë se „Është ai dhe kushëriri (vëllau i tij binjak), Aleksandër Vuçiq që do ta sjellin paqen dhe stabilitetin ën Ballkan“!

Dhe pas këtij mesazhi Edi Rama kërkon garanci për të qëndruar në pushtet. Të dy këtyre „kushërinjve“ nuk u mjaftuan dhjetë vite në pushtet ta garantonin paqen e stabilitetin, të cilin vetë e prishin me qëllim që ata të shihen si mesia! Por amerikanët mesa duket kanë vendosur që të dy „kushërinjtë“, shqiptarin – vllah Edi Rama dhe serbo-vllahun Aleksandër Vuçiq, t’i asoicojë së bashku në marrëdhënie kriminale.

Megjithëse kryeministri i Shqipërisë po përpiqet ta transferojë „anti-amrikanizmin“ te Berisha dhe Meta gjatë fushatës elektorale, ai e di se pas 14 majit do të thirret në gjykatën amerikane për të dhënë llogari për krimin e korrupsionin me Mc Gonigal. Amerikanët kanë mbajtur shënim gjithashtu qindra milionët e zotit Rama në emër të Olsit të investuara në SHBA. Por jo vetëm këto. Edhe qindra milionë dollarë të tjerë të familjes kryeministrore në zonat e bankat ofshore. Por, tërheq vëmendjen fakti se në të njëjtën ditë NATO godet planin mafioz të kryeministrit shqiptar për ndërtimin e Portit të ri në Portoromano të Durrësit, ndërkaq gazeta amerikane „New York Times“ shkruan për lidhjet kriminale të „kushëririt“ të tij, president i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas kësaj gazete presidenti i Serbisë, së bashku me djalin e tij, Danilo, janë të implikuar në krime serioze dhe bashkëpunojnë me bandat kriminale serbe, si ajo e Veljko Belivuk. Vetë i akuzuari Belivuk kishte akuzuar presidentin serb dhe djalin e tij për implikime në vepra kriminale të llahtarshme. Ai edhe asgjësimin e kufomave të viktimave politike të Vuçiq në vaska acidi e lidh me presidentin e Serbisë dhe përpjekjet e tij për sundim despotik në Serbi. Janë shumë fakte, të cilat i sjell në vëmendje gazeta prestigjioze amerikane për zotin Vuçiq. Manipulimin e opinionit publik, perëndimin e të gjitha pushteteve në duart e tij, asgjësimin e opozitës dhe krijimin e një shteti monist kriminal bandash kjo gazetë ia faturon presidentit të sotëm të Serbisë, kushëririt, ose vëllait binjak të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Por gjithçka që thuhet për Vuçiq është pikë për pikë histori e qeverisjes së regjimit të Edi Ramës në Shqipëri.

Korrupsion, manipulim, vjedhje e grabitje të pasurisë kombëtare e të vullnetit të qytetarëve, lobim për diskreditimin e opozitës, tallava e perversitet, të gjitha këto në këmbim të pushtetit që prodhon pasuri dhe të pasurisë që prodhon pushtet, janë karakteristikat e regjimit të Rilindjes në Shqipëri. Shqiptarët do të shohin xhevahire të pashembullta pas 15 majit. Dosja e kryeministrit të Shqipërisë në bashkëpunimin e tij me Mc Gonigal është shumë e madhe. Dhe jo rastësisht shkruajnë njëherësh gazeta Washington Examiner për Ramën dhe New York Times për Vuçiq. Këta të dy erdhën thuajse në të njëjtën kohë në skenën politike e në pushtet dhe po ikin gjithashtu së bashku nga skena politike.

Washington Examiner shkruan për implikimet e kryeministrit shqiptar në aktet korruptive për eleminimin e opozitës shqiptare. New York Times shkruan për presidentin serb për implikimet e tij në luftën gjakderdhëse në Bosnjë, por edhe në mbrojtjen e kriminelëve të luftës si Radko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç. Në fakt Edi Rama në modelin e Vuçiq është në bashkëpunim dhe merr në mbrojtje të gjitha bandat kriminale që prodhoi në Shqipëri me regjimin e tij, thjesht për të manipuluar në funksion të regjimit despotik të tij dhe zgjatjes së jetës në pushtet.

Por ajo që qytetarët duhet të dallojnë, lidhet me faktin se koha e kushërinjve është um (në fund)! Aq shumë e shpërdoruan këta besimin e amerikanëve dhe ndërkombëtarëve, sa tani mbetet vetëm t’u kërkohet llogari për ato krime e bashkëpunime me krimin që kanë bërë. Kush dhe si do të jetë e ardhmja e të dy vendeve, këtë ende nuk e dimë saktë. Por më keq se e kanë çuar këta dy „vëllezër siamezë“ situatën në Ballkan dhe në të dy vendet, nuk e kishin çuar as pushtuesit. Mbetet që qytetarët në Serbi, Shqipëri dhe rajon të bëjnë pajtimin dhe shohin drejt së ardhmes së paqtë duke eliminuar nga skena politike jo vetëm „kushërinjtë“ Rama-Vuçiq, por të gjithë „kushërinjtë“ e tjerë të modelit si ata! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat