Gazetarin e NYT, z. R.F. Worth, duhet falënderuar me mirënjohje të veçantë për hulumtimin e tij mbi grupet kriminale serbe

Opinione

Gazetarin e NYT, z. R.F. Worth, duhet falënderuar me mirënjohje të veçantë për hulumtimin e tij mbi grupet kriminale serbe

Nga: Rexhep Elezaj Më: 11 maj 2023 Në ora: 19:55
Rexhep Elezaj

Është pra ky titulli origjinal i shkrimit të gjatë të gazetarit të NYT, Robert F. Worth, të cilin ia ka kushtuar presidentit të Serbisë, A. Vuçiqit, duke dhënë detaje dhe fakte të gjalla për lidhjet e tij me krimin dhe bosët e grupeve kriminale, ka folur për formimin e tij politik, veprimet e tij ekstreme që nga koha e studimeve e deri kyçjen e tij në pushtet, si ministër për informata në qeverinë e S. Millosheviçit, përfshirë edhe ardhjen e tij në postin e kryeministrit dhe këtë të fundit të presidentit të Serbisë.

Shkrimin e tij e ka botuar Koha ditore: të përkthyer në gjuhën shqipe, në tri vazhdime, duke i ofruar lexuesit shqiptar një shkrim fantastik që flet për fondamentin e politikës serbe, dhe siç dihet botërisht, ai është krimi i organizuar nga dora e pushtetit, si metodë dhe mjet për marrjen, gjegjësisht ardhjen në pushtet përmes dhunës, kërcënimeve, vrasjeve, torturave dhe likuidimeve të kundërshtarëve politikë, etj., veprime këto të ndërmarra gjithnjë nga “Nëntoka” serbe, siç e ka vlerësuar sakët gazetari R. F. Worth, por të koordinuara mirë dhe në mënyrë konfidenciale me pushtetin.

Pra, këtu për shkak të kohës nuk mund të ndalëm më gjatë tek të gjitha faktet e qëndrueshme të cilat janë sjellë në këtë shkrim, ngase kushdo që dëshiron mund ta lexon shkrimin e tij brilant për ta kuptuar në tërësi natyrën dhe esencën kriminale të politikë-bërjes në Serbi, meqenëse qysh në fillim dua të shpreh indinjatën time, se si është mundur që mediat vizuale dhe portalet e shumta në internet, të mos e ribotojnë, të mos e komentojnë, mbase as ta bëjnë temë debati publik, televiziv dhe mediatik.

Sepse, përmbajtjen e këtij shkrimi epik dhe historik i thënë troç dhe pa asnjë ekuivokë nga gazetari amerikan, tregon qartë se shtetin dhe pushtetin në Serbi, gjithmonë e kanë bërë dhe e kanë udhëhequr grupet kriminale nga prapavija, dhe kjo që nga koha e mesjetës e deri në ditët e sotme.

Pra, është fakt i pamohueshëm, se shteti serb është krijuar dhe ndërtuar, fund e krye, mbi gënjeshtra dhe krime, qofshin ato brendapërbrenda llojit serb, qoftë ato ndaj fqinjëve të tyre, duke ua grabitur tokat me dhunë, duke i dëbuar nga vatrat e tyre, siç kanë bërë ndaj ne shqiptarëve, ndaj boshnjakëve dhe kroatëve, dhe kështu me radhë.

Është kështu për faktin, sepse një shkrim të tillë, siç e ka bërë gazetari i NYT, R. F. Worth, shumë kohë do duhej ta kishin bërë Akademia jonë e shkencave, sidomos Instituti i historisë, e jo një gazetar amerikan, i cili shikuar realisht mund të mos kishte ndonjë interes të veçantë për zbardhjen e rolit të grupeve kriminale në Serbi, të cilat pikërisht përmes krimit të organizuar, dhe jo normave të së drejtës mbi shtetin, gjithnjë e kanë kryer rolin e shtetit nga “nëntoka”, duke diktuar se kush dhe cili politikan duhet të vije në pushtet. Këtë logjikë dhune dhe propagande këto grupe e kanë bërë përmes shpërndarjes së frikës në popull, propagandës aktive në media dhe kuloare shtetërore dhe private, dhe, kjo metodologji e përdorimit të frikës, shantazheve, dhunës dhe vrasjeve të “tradhtarëve”, siç vranë Ivan Stambolliçin në vitin 2000, e deri tek Zoran Gjingjiqi 2003, Sllavko Curuvija (1999), Oliver Ivanoviçin (2018), etj., flet qartë se kush e përbën qendrën e vendosjeve në Serbi, qoftë për përcaktimin e strukturave të shtetit të verifikuara nga këto qendra, qoftë ato të cilat duhet të jenë në krye të resorëve kryesorë siç janë punët e brendshme dhe ato të jashtme. Shikoni se sa herë të njëjtit ministra vijnë në të njëjtat poste të larta shtetërore, si rasti i A. Vulinit, I. Daçiqit, A. Bërnabiqit, etj., të cilët nuk mund t’i zëvendësojë askush tjetër, ngase në këto poste kyçe duhet të vijnë vetëm njerëzit më të besueshëm të “Nëntokës” kriminale dhe bosëve të saj, të ashtuquajtur “Duboka Drzava”, shteti i thellë ose shqip pushteti nën hije..!

Prandaj, gazetarin e NYT, z. R.F. Worth, duhet falënderuar me mirënjohje të veçantë për hulumtimin e tij të empirik gazetaresk, i cili kishte depërtuar mjaft thellë në lëvozhgën e strofullogjeve të grupeve kriminale, duke i zhveshur cullak krerët e këtyre bandave, siç ishte dikur krimineli Razhnatoviç Arkan (Tigrat e Arkanit), Milorad Lukovic Ulemek, Klani i Zemunit, Darko Shariq, Velko Belivuk, ndërsa dihet se në Serbi ka pasur me dhjetëra grupe kriminale, si “Crna Ruka” (“Dora e zezë”), “Crvene Beretke”(Beretat e Kuqe), “Orlovi” (Shqiponjat), dhe shumë tjera, duke ua nxjerr në pah lidhjen e tyre të ngushtë me pushtetin, konkretisht me presidentin aktual të Serbisë, A. Vuçiqin, etj.

Shtrohet pyetja; pse, a nuk mjafton që të bindemi në atë çfarë ka shkuar gazetari amerikan, kur edhe fëmija e dinë se kriminelët serb, Millan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviç si dhe Lista serbe, qëkur në pushtet në Serbi ka ardhur partia SNS, janë dorë e djathtë e Vuçiqit në veri të Kosovës, dy kriminelë këta të futur në listën e zezë të SHBA-ve, ndërsa përmes tyre presidenti serb Vuçiq, vazhdon ta mbajë veriun peng si një bombë të kurdisur, të cilën, gjithnjë sipas tyre, mund ta ndezin kur të duan, qoftë duke ngritur barrikada, qoftë duke u larguar nga organet e shtetit të Kosovës, qoftë duke i bojkotuar zgjedhjet, etj., e që siç dihet të gjitha këto veprime kriminale të tyre i kanë koordinuar gjithnjë nën hijen e zezë të natës serbo-çetnike në Rashkë..!?

Prandaj, sipas raportit të Global Organized Crime Index, Serbia është i treti vend në Evropë në indeksin e krimit të organizuar, nga gjithsej 44 vende të përfshira në këtë indeks. Po ashtu, nuk duhet harruar faktin se bandat dhe kriminelët serbë gjithmonë janë të lidhur me shërbimet e inteligjencës, BIA-n, fakt që e dëshmon qartë atë çfarë ka shkruar gazetari amerikan në shkrimin e tij për Vuçiqin dhe bashkëpunimin e tij me huliganët kriminalë, se pushteti aktual në Serbi, po ashtu është në lidhje të ngushtë me bandat kriminale, meqenëse krimi i organizuar në Serbi është edhe biznes shtetëror..!?

P.S.: Dejan Petar Zlatanović, në një emision televiziv serb, tha se Aleksandar Vuçiq është nxitësi më i madh i dhunës në Serbi..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat