A mori fund Revolucioni i Berishës?!

Opinione

A mori fund Revolucioni i Berishës?!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 16 maj 2023 Në ora: 13:06
Sherif Ramabaja

Berisha edhe njëherë e provoi ngritjen. Tash jo më pak se me një Revolucion. Së pari Revolucionin e organizoi kundër partisë së vet, në mënyrë që ta pushtonte kështjellën, të cilën vetë e kishte ndërtuar.

Pasi kishte folur dhe bërtitur ashtu siç e kishte zakon, kishte mobilizuar masat, të pakënaqurit dhe ata që kishin mbetur pa poste duke i nisur drejt selisë së partisë së tij, ku ndodhej Luli duke bërë plane në mbrojtjen e kullës.

Berisha pasi i kishte grumbulluar të gjithë ata që i shkonin pas sidomos të gjitha frymët nga Tropoja, Shkodra, Kukësi, Malësia dhe bjeshkët, ishte pajisur me armët më të sofistikuara për pushtimin e kështjellave, pasi Luli kishte vënë dyer të metalta.

Sulmi dhe puna për pushtimin e kështjellës kishte zgjatur me orë, sepse ç´far do armatimi nuk bënte punë.

Ishin sjellë specialist nga e gjithë Shqipëria të specializuar kundër fortifikimeve, derisa me mund arritën ta hapnin portën kryesore.

Më në fund u shpall pushtimi i kështjellës dhe u organizua konferenca e parë për shtyp. Revolucioni vazhdon tha Berisha, duke e akuzuar Lulin si bashkëpunëtor të Ramës dhe rusëve, por pa harruar që t´i dërgonte përshëndetje Ramës, duke e nënçmuar siç e quante në mënyra të ndryshme, po edhe si narkomani i Surrelit.

Luli për t´i ikur konfliktit me Berishën ishte tërhequr duke ia lehtësuar Berishës koalicionin me Metën.

Edhe Rama Berishën dhe Metën i shante po me të njëjtën gjuhë të pistë. Berishën e quante kufomë të gjallë, kurse Metën si spiun të SHIKUT, por në realitet që të tre ishin kuadro të ish Partisë së Punës së Shqipërisë, apo të shefit të tyre Enver Hoxhës.

Përkundër akuzave dhe kundër akuzave mes këtyre, përgatitja për Revolucionin vazhdonte.

Berisha me Metën në njërën anë u munduan ta përshkruanin gjendjen alarmante dhe të padurueshme nën Ramën, kurse Rama tallej me ta, duke u thënë se shihemi me 14 maj 2023.

Dhe kjo ditë e bekuar erdhi. Pritej se shqiptarët do t´i mbushnin sheshet dhe vendvotimet, duke ia dhënë votën opozitës. Rama pa zhurmë ashtu si Erdogani i kishte mobilizuar sistemin shtetëror, mediat, patronazhistët dhe kishte dalë në zgjedhje.

Shumica në shenjë proteste, i kishin bojkotuar zgjedhjet. Në njërën anë e dinin se opozita ishte e përçarë dhe nuk donin të identifikoheshin me Revolucionin e Berishës, kurse në anën tjetër e dinin se Rama me tërë aparatin e tij, do të bënte kërdinë zgjedhore.

Ndodhi si ndodhi dhe Revolucioni i Berishës pësoi debakël. Meta po ashtu së bashku me Berishën e kishin dhi punën, do të thoshte ish ambasadorja amerikane në Kosovë.

Ishte menduar se boshti Ankara, Beograd, Tiranë mund të luhatej, por jo. Turqinë po e mban peng Erdogani, Serbinë Vuçiqi kurse Shqipërinë Rama.

Një luhatje dhe një çrrënjosje këtij boshti mund t´ia përgatitë vetëm perëndimi, përndryshe Revolucionet e brendshme do të dështojnë ashtu si ai i Berishës dhe Metës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat