Kundërpërgjigje Hajdar Beqajt: Ja deri ku ka arritur Kosova, ta ketë edhe “Kim Jong-un” e vet, që prodhon demokraci të vërtetë dhe prosperitet për popullin

Opinione

Kundërpërgjigje Hajdar Beqajt: Ja deri ku ka arritur Kosova, ta ketë edhe “Kim Jong-un” e vet, që prodhon demokraci të vërtetë dhe prosperitet për popullin

Nga: Dedë Preqi Më: 18 maj 2023 Në ora: 11:39
Autori Dedë Preqi

Janë shumë domethënëse zbulimet dhe format e pushtetit në vendin tonë, kuptohet në Kosovën e lirë, apo të pasluftës, ku njeriu i këtij vendi vuri nën kontroll pushtetin e vet, i cili për të dikur kishte qenë pushtet i huaj deri më tani, si nga ana intelektuale po ashtu edhe praktike.

Le të shtojmë edhe këtë, se një pjesë e madhe e atyre që u bënë pushtetarë në këtë vend, pjesa e madhe e tyre e humbën menjëherë kontrollin dhe ndjenjën e elementit më sublim, siç ishte gjaku i të rënëve të këtij vendi dhe pastaj e humbën edhe elementin kulturativ e njerëzor të këtij vendi, perceptime që shkojnë përtej realitetit dhe i bazuar në një organizim primitiv, që e trajton ekzistencën njerëzore të këtij vendi të zotëruar nga forca e një pushteti të privilegjuar e komandantëve.

Secili quhet kontribuues i lirisë së këtij vendi, edhe ai që ka dhënë një copë bukë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ditët më të vështira të luftës, por duhet të kemi parasysh se, asnjëri nuk duhet të mburret se kemi bërë vetëm ne dhe pa ndihmën e të tjerëve, apo ka bërë dikush më shumë për lirinë e këtij vendi dhe si rraha gjoksa të mburremi para njëri-tjetrit, apo të themi se pushteti na takon vetëm ne, si kontribuues të lirisë së këtij vendi.

Mos të harrojmë se, paramilitarët dhe ushtria serbe bënë çmos në popullatën e këtij vendi, ndër të tjera, dhunuan dhe përdhunuan më se 20 mijë motra dhe nëna shqiptare, dhe është turp për disa rrahagjoksë që sot mburren se kanë qenë komandantë, ndoshta po në ato zona ku janë bërë ato përdhunime ata kanë qenë komandantë, prandaj edhe pse nuk ka mundur të parandalohet një gjë e tillë, bile mos të shitet patriotizëm në një mënyrë, dhe të mos harrohet sakrifica shpirtërore e këtij populli, i cili edhe sot mbas 24 viteve jeton me trauma dhe kujtime të hidhura të asaj lufte barbare.

Prandaj, përderisa Kosova, nuk ndjehet e bashkuar përbrenda, pa marrë parasysh pozitë dhe opozitë, atëherë shteti ka gjasa të dështojë, kur pushtetin e marrin njerëzit që deri dje ishin « barinj » dhe njerëz që pushtetin e shohin si lodër apo loto të përfitimeve materiale, të cilët në realitet u bënë milionera në kurriz të popullit, atëherë edhe shteti çfarë do qoftë, nuk mundet të zotërohet dhe udhëhiqet në mënyrë të drejtë në këto kushte dhe rrethana hipotetike.

Edhe Kosova, e pasluftës kishte rënë në këtë grackë dhe në këtë gjendje krize ekonomike dhe politike, sepse qeveriset nga njerëzit jo kompetent të dijes dhe të politikës, por quheshin komandantë të luftës dhe sikur ishin të pa prekshëm dhe të pa zëvendësueshëm, të cilët Kosovën, e udhëhiqen 20 vite me radhë, duke e zhytur deri në fyt në krim dhe korrupsion, për deri sa në pushtet erdhi Lëvizja VetëVendoje, me vetë votën e popullit në krye me z.Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, të cilin sot deputetët e PDK-së, ia japin edhe epitetin e Kim Jang-ut, diktatorit të Koresë Veriore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ambicie të jetë si Kim Jang-u, por kemi fat që jetojmë sot në demokraci dhe kryeministri në fjalë është vonuar, sepse ashtu i ka sjelljet e një rexhimi të tillë, kështu e krahason kryeministrin e vendit deputeti Hajdar Beqaj, duke dhënë shembullin e diktatorit korean, dhe në një mënyrë apo tjetrën diplomacia kosovare duhet ta ndryshojë qasjen e saj, që të dilet nga kriza politike dhe ekonomike, njëherazi dhe me Serbinë, nuk i kemi raportet e mira, por edhe më shumë të acaruara, kështu shprehet deputeti i PDK-së, Beqaj, i cili paraqet në këtë formë qëndrimin e vet logjik dhe politik ndaj kryeministrit të vendit.

Por siç thotë një fjalë popullore, eja e mushma mendjen se, a janë këto fjalët e deputetit të vërteta, apo deputeti në fjalë e ka një hall tjetër, dhe jo vetëm ky deputet, por edhe të tjerët në opozitë, sepse me ardhjen e Albin Kurtit, si kryeministër i Kosovës, u ndalën «tulat » e gomarit, siç thotë një fjalë popullore, kuptohet se u ndalen keqpërdorimet dhe keqmenanagjimet ndaj këtij vendi, të cilat vetë kjo opozitë e sotme i kishte prodhuar në udhëheqjen e tyre.

Dhe duhet të kemi parasysh se me udhëheqjen e Albin Kurtit, nuk janë acaruar raportet me Serbinë, por janë sqaruar raportet me këtë vend, të cilat i kanë bërë « llugë » qeveritë e kaluara, dhe ka shumë arsye tjera, që tani po kuptohet halli i opozitës së sotme në krye me DDK, LDK dhe AAK, sepse u është heqë « taxhia » dhe tani këtyre njerëzve po u duket sot, se e kanë përballë një Kim Jong-un, për shkak se ua ndaloi faqen e zezë që ia shkaktuan këtij vendi.

Ja pra deri ku kemi arritur si shtet, që edhe Kosova, ta ketë Kim Jong-un, e vet, por për dallim nga njëri-tjetri, Kim Jong-un tonë Albinin, me atë të vërtetin e dallon shumë lehtë, sepse ka një natyre njerëzore dhe jo djallëzore dhe i cili nuk prodhon raketa kundër njerëzimit, por prodhon demokraci të vërtetë dhe prosperitet për popullin e vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat