Berat, qysh e ki Biasin?!

Opinione

Berat, qysh e ki Biasin?!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 20 maj 2023 Në ora: 11:14
Zejnullah Jakupi

Analizë ose disa shpjegime për lexuesit (edhe për studentët e gazetarisë) se si e kuptova dhe si e analizoj prezantimin e intervsitës së Berat Buzhalës në portalin NACIONALE (shih linkun: https://www.youtube.com/watch?v=OhbG2GmtszQ).

Objekti i i analizës nuk ka qëllim ta denigroj Berat Buzhalën as emisionin e tij. Kam shumë respekt për angazhimin e tij në media dhe kontributin në zhvillimin e medieve si T7, Gazeta Express dhe tani NACIONALE, kjo ka shumë rëndësi për median dhe medimin e lirë. Por nxitja ose tematizimi i ngjarjeve si kjo, më bëri të jap një shpejgim se pse bëhet dhe si bëhet? Si i shpejgon shkenca e gazetarisë raportimet e tilla? E inkurajoj NACIONALEN të trajtoj të gjitha ngjarjet e tilla pa i tematizuar dhe pa bias, edhe ndaj partive, ose individëve të partive tjera. Tek atëherë do thonim se raportimet e tija nuk janë të inskenuara dhe me bias.

Thënë të drejtën, unë i pëlqej raportimet në TV nga jeta e përditshme, në formën e raportazhit, se çfarë mendon një plak për jetën e tij si ishte dikur si është sot? Ose „Një ditë në fermën e dhive të familjes Syla, në fshatin Breslac" (ATV), ose ngjarje lidhur me përditshmërinë e jetës së një bujku në fshat etj. Kësaj radhe do të analizoj intervistën e Berat Buzhalës me titull: „Rrëfimi i plakut 89 vjeç, të cilit familja e deputetës Fitore Pacolli, po do t'ia marrin tokën! Emituar në "Nationale" më 19 maj 2023.

Intervista me plakun Ismail Veliu ishte interesant sepse e kishe afëruar jetën e një njeriu të thjeshtë me probleme sociale, me pronat apo telashe tjera, siç i kanë patur shqiptarët, gjithmonë e jetë. Shikuesi i zakonshëm e ka nga njëherë të vështirë ta kupton pse pikërisht kjo storie dhe pse pikërisht ky „sulm“ mbi deputeten e VV-së?

Po mundohem, në mënyrë shkencore, të analizoj se sa është e dëmshme kjo përzgjedhje dhe pikëveshtrimi i kësaj ngjarje? Pse pikërisht ky tematizim dhe si është bërë, ose si e sheh ketë shkenca e gazetarisë?

E para, mund të them se ky lloj i prezantimit-raportimit të portalit në fjalë nuk ka një gjini të caktuar gazetaresk. Raportimi nuk ishte vetëm intervistë klasike, por më shumë ishte një përzierje mes intervistës dhe formatit raportues informativ me nuanca të reportazhit në të cilin dominon intervistimi.

Siç mund të kuptohet, ky lloj raportimi është një gjini e raportimit televiziv që fokusohet në transmetimin e informacionit aktual- në këtë rast i tematizuar, investigues, dhe na servohet se është i rëndësishëm për të publikun. Formati ngjanë më tepër me gjininë e një magazine: Kjo gjini përfshin emisione të specializuara që mbulojnë temat e ndryshme, si lifestyle, bukuria, moda, udhëtimet, shëndetësia, gatimi, kuzhina, dhe shfaqje të tjera të ngjashme. Raportuesit në magazine shpesh zhvillojnë intervista me personazhe të njohur, prezantojnë histori të suksesshme dhe ofrojnë këshilla praktike për audiencën, në këtë rast kemi tematizim se gjoja familja e deputetës F. Pacolli i´a ka marrë tokën të intervistuarit në fjalë.

Raportimi tabloid

Në formatin e quajtur magazinë ndërthurret edhe fenomeni i njohur "skandali dhe raportimi tabloid". Këto janë dy koncepte që lidhen ngushtë me raportimet televizive, veçanërisht me tabloidet, që janë forma e specializuara në paraqitjen e lajmeve, rrëfimeve të ndryshme, përfshirë raportimet e skandaleve, ose ato të cilat përmes raportimit tematizohen gjegjesisht skandalizohen.

Skandal është një ngjarje që shkakton turbullira, shqetësime publike ose ndjenja të forta të moralit, dhe mund të përfshijë veprime të kundraligjshme, korrupsion, mashtrim, sjellje etike të dyshimta, ose informacione të fshehura. Raportimi i skandaleve nga mediat tabloidë është i karakterizuar nga përdorimi i strategjive sensacionale dhe spektakolare për të tërhequr vëmendjen e lexuesve.

Raportimi tabloid ka disa karakteristika:

Sensacioninalizmin: Mediat tabloidë shpesh zgjerojnë ose dramatizojnë ngjarjet për të krijuar ndjesi të forta emocionale tek lexuesit. Përdoren tituj të tronditshëm dhe imazhe të shokuese për të bërë lajmet më tërheqëse.

Privatësia dhe intimiteti: Raportimi tabloid fokusohet shpesh në jetën private dhe intime të individëve të njohur, por edhe atyre të rëndomtë, duke qenë kurioz për detajet e tyre të jetës personale, skandale seksuale, ndarje martesash, dhe çështje të ngjashme ose si ne rastin në fjalë, fokusohet në çështje pronash etj.

Thirrja për emocionin: Mediat tabloidë shpesh përqendrohen në emocione të forta si hakmarrja, turpi, dhimbja, dashuria, zilia, dhe dëshpërimi. Raportimi është i orientuar drejt të shkaktuarit të ndjenjave dhe prirjes së shikuesve për të ndjekur dhe identifikuar me to.

Megjithëse raportimi tabloid ka aftësinë të tërheqë vëmendjen dhe të mbajë audiencën e tyre të interesuar. Ai ka marrë kritika të shumta për mungesën e saktësisë, thellësisë dhe objektivitetit. Në përpjekje për të krijuar një spektakël mediatik, NACIONALE në këtë rast harron të ofrojë analizë të thellë, të baraspeshuar, gjithsesi edhe kontekst dhe informacion të rëndësishëm për shikuesit- të tregojë PSE-në e tematizimit?

Kritikët argumentojnë se raportimi tabloid mund të çojë në degradimin e gazetarisë, duke u fokusuar më shumë në lajme të lehta dhe spektakolare në vend të problematikave të rëndësishme shoqërore dhe politike. Ndërkaq, mbështetësit argumentojnë se mediat tabloidë japin një pikëvështrim të "duhur" në jetën e përditshme.

Inskenim dhe konstruktim i realitetit mediatik

Me ketë rast, kur jemi tek inskenimi dhe konstruktimi i realitetit mediatik nuk mund pa e përmendur veprën e shkencëtarit gjerman të gazetarisë Winfried Schulz: Ndërtimi i realitetit në median e lajmeve, publikuar në vitin 1976. Analiza e autorit Winfried Schulz shqyrton mënyrat në të cilat mediat e lajmeve konstruojnë dhe paraqesin realitetin në raportimet e tyre. Libri trajton sfidat dhe problemet që dalin në përpjekjet për të paraqitur ngjarjet aktuale në mënyrë të saktë dhe të paanshme. Schulz analizon mënyrat se si media selekton, organizon, interpreton, dhe raporton lajmet, kronikat- ngjarjet, për të krijuar një version të veçantë të realitetit. Ai shqyrton si faktorë, interesat komerciale, biasi i gazetarit, dhe mënyrat e produksionit të lajmeve, të cilat influencojnë mënyrën se si media e paraqet realitetin.

Libri gjithashtu trajton çështjen e sensacioneve në media, si lajmet e rreme dhe manipulimi i informacionit mund të ndikojnë në ndërtimin e realitetit publik. Schulz shpreh shqetësimin e tij për përzierjen e informacionit me emocionet dhe spektaklin për të fituar vëmendjen e audiencës.

Ndërtimi i realitetit në median e lajmeve të autorit në fjalë ofron një analizë kritike të praktikave të lajmeve dhe i nxit lexuesit të jenë të vetëdijshëm për mënyrën se si media mund të manipulojë perceptimet dhe të ndërtojë një realitet të caktuar. Libri përmban edhe propozime për përmirësimin e transparencës, objektivitetit dhe integritetit në raportimin e lajmeve.

Nxitja e konfliktit

Element qëndror në krijimin e realitetit mediatik është edhe faktori konflikt. Raportimi i NACIONALES, siç mund të kuptohet nga rrëfimi, është i mbushur me konflikt dhe kur flasim për gazetarinë e konfliktit nuk e kemi parasysh vetëm raportimin televiziv- mediatik lidhur me konfliktet e dhunshme e luftarake, por edhe ato verbale e sociale, psikologjike- individuale.

Në rastin e Berat Buzhalës rrëfimi i tij është gazetari e konfliktit e cila në këtë rast merret me raportimin dhe analizën e konflikteve të ndryshme që ndodhin në shoqëri dhe synon të ndriçojë dhe të informojë ose në këtë rast të „manipulojë“ publikun lidhur me zhvillimet, arsyet dhe pasoja e konflikteve të ndryshme individuale, pronësore, familjare etj.

Në rastet e raportimit pëson neutraliteti dhe objektiviteti gjatë raportimit: Nuk vlen vetëm për NACIONALEN por për të gjithë gazetarët dhe mediet se ata në rastet e konfliktit të interesit duhet të punojnë për të qenë neutralë dhe objektivë në raportimin e tyre, duke mundësuar të dëgjojnë të gjitha palët dhe duke prezantuar informacionin në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, dhe jo sikur që ndodhë vetëm intervistimi i njërës palë deri në dhembshuri patetike- dramatizuese.

Këtu le shumë për tu dëshiruar ndalimi i propagandës dhe fjalës së urrejtjes: Raportimi do duhej të përpiqet të shmangë propagandën dhe fjalën e urrejtjes, duke u fokusuar në prezantimin e fakteve dhe analizën e thellë.

Rrëfimi emocional

Shihet qartë se rrëfimi i Berat Buzhalës është i mbingarkuar me emocion. Dhe dihet gjithashtu se emocioni është një faktor i rëndësishëm në raportimin gazetaresk, pasi gazetarët ndihen të prekur dhe të përfshirë emocionalisht nga ngjarjet dhe historitë që ata raportojnë. Emocioni mund të ndihmojë në komunikimin e ndjenjave dhe përvojave të individëve në mënyrë të vërtetë dhe të ndjeshme. Megjithatë, është e rëndësishme të mbahet në konsideratë se emocioni duhet të përdoret me kujdes dhe profesionalizëm në raportimin gazetaresk. Këtu janë disa aspekte të emocionit në raportimin gazetaresk:

Natyrisht se edhe gazetarët kanë ndjenja, se edhe gazetarët janë njerëz të ndjeshëm dhe mund të ndikohen emocionalisht nga ngjarjet dhe historitë që ata raportojnë. Por nuk duhet harruar gjithashtu se përvojat traumatike dhe tronditëse mund gjithashtu të shkaktojnë ankthin, trishtimin dhe zemërimin e shikuesve por edhe të gazetarëve. Këto ndjenja mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në mënyrën se si ata paraqesin dhe interpretojnë historitë, rrëfimet.

Përveç ndjenjave të gazetarëve, shkenca e gazetarisë njeh edhe ndjenjat e intervistuarëve: Pra, gazetarët janë në lidhje me individët dhe komunitetet që intervistojnë dhe raportojnë për to. Ndjenjat dhe emocionet e të intervistuarëve mund të ndikojnë në mënyrën se si ata shprehin mendimin e tyre dhe të të intervistuarëve dhe në atë se si gazetarët i raportojnë këto histori.

Gjithashtu kemi edhe ndikimin e „dëshiruar“ në këtë rast dhe rastet tjera intimiduese mbi publikun: Raportimi i ngjarjeve emocionale dhe tronditëse mund të ketë ndikim të madh mbi publikun. Emocionet e shfaqura në kronikë, intervistë etj., mund të përpiqen të shkaktojnë reagime të ngjashme tek publiku (shikuesit,lexuesit ose dëgjuesit). Kjo kërkon prezenca të kujdesshme dhe përgjegjësi në përfaqësimin e emocioneve për të qenë të saktë dhe të paanshëm. Nëse emocioni nuk trajtohet me kujdes dhe profesionalizëm, ka rrezik që të preket objektiviteti dhe drejtësia e raportimit. Prandaj, gazetarët- vlenë edhe për NACIONALEN duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin e emocioneve dhe të punojnë për të ruajtur objektivitetin dhe saktësinë në raportimin e tyre.

Bias në gazetari

Në raportimin e analizuar u vërtetua qartë se kishte Bias.Çfarë është ky fenomen?

Biasi në gazetari është një fenomen ku gazetarët kanë prirje të ndikohen nga besimet, bindjet personale, ose interesat e tyre të veta në mënyrë që të shprehin një përkrahje ose kundërshtim të pamjaftueshëm ndaj një subjekti, ideje, ose ngjarjeje të caktuar. Biasi mund të ndikojë në raportimin e gazetarit dhe të shkaktojë interpretimin e ngjarjeve në mënyrë të paobjektivë dhe të padrejtë. Shkenca e gazetarisë i njeh disa lloje të zakonshme të biasit në gazetari e të cilat përfshijnë:

Biasin politik: Kjo lloj çasje vije në shprehje kur gazetarët shprehin pëlqimin ose kundërshtimin e tyre politik në mënyrë të pashpjegueshme në raportimin e tyre. Kjo mund të çojë në mungesë të objektivitetit dhe të prezantimit të informacionit në mënyrë të paanshme.

Rol vendimtar luan gjithashtu edhe bias ideologjik: Rastet e tilla manifestohen atëherë kur gazetarët kanë një prirje të dukshme për të promovuar ose kundërshtuar një ideologji të caktuar në raportimin e tyre. Kjo mund të çojë në shkelje të pavarësisë dhe objektivitetit të gazetarisë.

Gjithashtu është i njohur edhe biasi nacional: Në këtë rast gazetarët tregojnë një përkrahje të favorshme ose kundërshtuese ndaj një kombi të caktuar ose grupi të caktuar etnik. Kjo mund të ndikojë në paraqitjen e ngjarjeve në mënyrë të padrejtë dhe të përhapë stereotipe, siç ka ndodhur në relacionet Kosovë- Serbi.

Dhe lloji i fundit është biasi ekonomik: Biasi ekonomik vije në shprehje atëherë kur gazetarët përhapin ose fshehin informacion bazuar në interesat financiare të tyre ose të kompanive për të cilat ata punojnë. Kjo mund të shkaktojë mospërputhje dhe mungesë të saktësisë në raportim.

Është e rëndësishme që gazetarët dhe për raportuesit dhe televizionet të jenë të vetëdijshëm për biasin dhe të punojnë për të qenë objektivë dhe të drejtë në raportimin e tyre. Organizatat e gazetarisë dhe udhëzimet etike kanë për qëllim të mbajnë gazetarët të përgjegjshëm për paraqitjen e informacionit në një mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Gjithashtu, publiku duhet të jetë kritik ndaj informacionit dhe të kërkojë burime të ndryshme për të siguruar një kuptim më të plotë dhe të paanshëm të ngjarjeve.

Inskenimi gazetaresk

Tek rrëfimi i portalit NACIONALE kishte edhe inskenim gazetaresk, i cili është i njohur edhe si dramatizimi ose spektakli mediatik. Kjo është një praktikë në gazetari ku ngjarje të caktuara, intervista, ose histori (si kjo e plakut) prezantohen në mënyrë të dramatizuar ose të frymëzuar nga elementët e artit teatral. Kjo formë e inskenimit është e njohur sidomos në dokumentarët televiziv e cila përfshin përdorimin e teknikave dramatike për të bërë raportimin më emocionues, atraktiv dhe spektakolar.

Në përgjithësi në inskenimin gazetaresk, përdoren mjetet e dramës, të tilla si narracioni i fuqishëm, vizatimi i karaktereve, elementet e suspense-it dhe ndërtimi i tensioneve për të mbajtur vëmendjen e publikut. Këto teknika mund të përfshijnë marrjen e skenave dramatike, përdorimin e muzikës, të bashkëbisedimit dramatik, dhe montazhin e imazheve në një mënyrë që të krijojë një ndjenjë të mëdha dramatike dhe emocionuese.

Megjithëse inskenimi gazetaresk mund të jetë i interesueshëm dhe i ngazëllyer për publikun, ka edhe disa kritika ndaj tij. Kritikët argumentojnë se inskenimi gazetaresk mund të shkojë kundër etikës gazetareske dhe objektivitetit, pasi përdor teknika që mund të manipulojnë emocionet dhe perceptimet e publikut. Inskenimi gazetaresk mund të sjellë sensacion dhe dramë, por mund të humbasë saktësinë, neutralitetin dhe objektivitetin që kërkon gazetaria.

Në përgjithësi, gazetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun e inskenimit gazetaresk dhe të sigurojnë që të ruajnë standarde të larta profesionale në paraqitjen e ngjarjeve dhe historive, qoftë ato individuale apo institucionale. Pavarësisht përdorimit të teknikave dramatike, është e rëndësishme të mbahet integriteti gazetaresk, saktësia dhe të respektohet objektiviteti në transmetimin e informacionit drejt publikut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat