Lista Serbe, kundër rendit kushtetues të Kosovës

Opinione

Lista Serbe, kundër rendit kushtetues të Kosovës

Nga: Skender Musliu Më: 27 maj 2023 Në ora: 13:56
Skender Musliu

Lista serbe përbëhet nga persona të përzgjedhur nga Beogradi, nga Aleksandar Vuçiqi, e cila u formua në marrëveshje me politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës, e në të cilën u përfshinë strukturat paralele dhe kriminale serbe, që nuk pranojnë pavarsinë e Kosovës, që bojkotojnë institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Punën e Kuvendit të Kosovës dhe që në vazhdimsi punojnë për dobësimin e subjektivitetit të Kosovës.

Kjo Listë udhëheqë strukturat kriminale në Veri të Kosovës, organizon barikadat, mbanë nën kontrollë serbet e veriut, dhe jo vetëm, i shantazhon dhe kërcnon ata për qëllime kriminale të Beogradit.

Mbase Lista serbe vepron kundër interesave shtetërore të Kosovës, atëherë pse institucionet kompetente të Kosovës nuk e shpallin si parti antikushtetuese, duke e ndaluar veprimtarinë e saj ?! Sepse një parti politike që merr instruksione dhe direktiva nga Vuçiqi dhe që përdoret si instrument për destabilizimin e Kosovës për profite të Beogradit, është e ligjshme t’i ndalohet veprimtaria e saj, duke e shpallur si parti që rrezikon sigurinë dhe stabilitetin, tërësinë territoriale dhe Rendin kushtetues të Kosovës. Në këtë kontekst, institucionet e sigurisë të Kosovës i kanë të gjitha të dhënat e nevojshme për veprimtarinë kriminale të kësaj partie, të cilat duhet t’iu transferohen policisë dhe prokurorisë, për ndjekje penale, sepse institucionet e Kosovës nuk duhet të bien pré e strukturave kriminale që udhëhiqen nga « Lista serbe » e që komandohen nga Beogradi.

Meqenë se formimi i Asociacionit apo Vetmenagjimit do të bëhet, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë ç’mos, që të mos lejojnë përfshirjen e Listës serbe në strukturat e këtij Asociacioni. Konsideroj se policia e Kosovës disponon me prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në krimin e organizuar dhe veprimtarinë për destabilizimin e Kosovës, prandaj duke inicuar procedura gjyqësore do t’u pamundësohej përfshirja e tyre në strukturat e ardhshme të Asociacionit.

Është e papranueshme që Lista serbe për aktivitetin, veprimet dhe punën e saj në institucionet e Kosovës, paraprakisht të shkojë për konsultime dhe t’i merr urdhërat nga mentori i tyre Vuçiq, në Beograd, sepse kjo tregon qartë, se kjo listë nuk mbron interesat e pakicës serbe në Kosovë, por ata shërbejnë si instrument për realizimin dhe përmbushjen e politikave për t’a mbajtur Vuçiqin në pushtet.

Një pjesë të përgjegjësisë për këto sjellje të Listës serbe, e ka BE-ja, e cila skajshmërisht po e toleron lidhshmërinë e kësaj liste me Beogradin si dhe ndikimin e saj inkriminues ndaj serbeve të Kosovës. Në këtë kuptim, kujdes të veçantë duhet kenë edhe televizionet e ndryshme me gazetarë dhe analistë mercenarë, që paguhen nga grupe të ndryshme të interesit për qëllime dashakeqe, të cilët krijojnë defetizëm, ngrisin teori konspirative të rrezikshme dhe dezinformojnë opinionin.

Që nga themelimi i saj, Lista serbe asnjëherë nuk përfaqësoi dhe nuk mbrojti interesat e serbëve të Kosovës, por ajo ishte instrument dhe mekanizëm i Vuçiqit për krijimin e tensioneve të vazhdueshme duke krijuar kriza dhe destabilizuar pjesën Veriore të Kosovës. Sepse mirëfilli dihet se « Lista serbe », në të cilën u inkorporuan kontrabandistët, kriminelët, huliganët, rojet e urës, mbrojtja civila dhe grupet e tyre kriminale, janë mafiozët dhe bosët e nëntokës që merren me kontrabandë dhe krim të organizuar, mbjellin frikë, bëjnë presion ndaj qytetarëve serb për t’i nënshtruar dhe bindur urdhërave të tyre.

Prandaj të gjithë ata që janë kundër Rendit kushtetues të Kosovës, që nuk pranojnë pavarsinë, ata që cënojnë integritetin dhe sovranitetin, që dobësojnë subjektivitetin e Kosovës, që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e Kosovës, dhe jo vetëm, që pengojnë shtrirjen e ligjshmërisë në pjesën Veriore të Kosovës, në mënyrë absolute nuk mund të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës, por me ata duhet të merren organet e drejtësisë, sepse përfshirja e Listës serbe dhe strukturave kriminale serbe në institucionet e Kosovës, që kanë lidhshmëri dhe bashkveprojnë me paramilitarët rus të Wagnerit, do t’i defunksionalizonte dhe dëmtonte rëndë institucionet e Kosovës dhe shtetin në përgjithësi.

Shembulli i fundit i veprimeve dhe organizimeve të strukturave kriminale të serbeve lokal, në bashkëpunim dhe synergji të ngushtë me Listën serbe, nën urdhërat e Beogradit, janë protestat e dhunshme të fundit të serbeve në pjesën Veriore të Kosovës që si rrjedhojë e dhunës së ushtruar ndaj policisë së Kosovës, ajo u detyrua të përdorë edhe gazin lotësjellësë.

Në këto momente delikate dhe kritike për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, rol të rëndësishëm duhet të luaj faktori ndërkombëtar, sidomos QUINT-i, duke i mbështetur institucionet e Kosovës që t’a zbatojnë ligjshmërinë dhe garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve, dhe të distancohen nga strukturat kriminale dhe mafiozët e nëntokës, sepse shteti i Kosovës nuk guxon të lejojë përfshirjen në institucionet e Kosovës, politikan serb të implikuar në korrupcion dhe krim të organizuar që cënojnë sigurinë e Kosovës dhe Rajonit.

Nëqoftëse qeveritë e kaluara, Serbisë i kanë bërë koncesione të vazhdueshme duke ia plotësuar të gjitha kërkesat që ishin në kundërshtim të interesave vitale të Kosovës, Qeveria Kurti dyhet të jet, dhe është konzistente në zbatimin e kushtetutshmërisë duke mos e lejuar Serbinë të interferojë në punët e brendshme të Kosovës.

Bruksel, 27 Maj 2023 Skender Musliu, jurist i diplomuar

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat