A ja vlen raportimi gazetaresk nga veriu i Kosovës?

Opinione

A ja vlen raportimi gazetaresk nga veriu i Kosovës?

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 17 qershor 2023 Në ora: 11:10
Zejnullah Jakupi

Gazetarët kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë në vijën e parë të frontit.

Gazetari (investigues) është problem se i zbulon gjërat që nuk kemi dëshirë t´i shohim. Ai i zbulon edhe ato që kemi dëshirë t´i shohim. Nuk i thonë pa shkas për mediet se janë „Pushteti i Katërt“.

Tema aktuale në Gjermani është pyetja e ngajshme sikur e kolegëve tanë në Kosovë, por dallon disi. Radio publike "Deutschlandfunk" po i kërkon politikës- qeverisë: të lejohet qasja e gazetarëve në vijën e frontit në Ukrainë. Me të drejtë. Ndërsa në Kosovë, ka zëra që e kërkojnë të kundërtën- mos qasjen në informacion. Pra, po kërkojnë t´i mbyllim sytë. Të mos shohim as të mos dijmë se çfarë po ndodhë në veri?

E solla këtë shembull, sepse shteti – ushtria e pengon qasjen edhe për çështje sigurie, të mbrojtjes së rrjedhjes së informacioneve konfidenciale dhe mbrojtje të jetës së gazetarëve, por edhe për ruajtje të sigurisë kombëtare, kur kemi të bëjmë me ngjarje sensitive. Media gjermane ka disa shembuj të njohur kur media ka kaluar kufinjt dhe ka raportuar- shembull që natyrisht nuk është i natyrisë militariste, ose nga fusha e gazetarisë së luftës apo ajo nga vijat e para të frontit, gazetaria e paqes por edhe fenomene tjera si fekti CNN etj. Por natyrisht po sjell si shembull tipik nga raportimi policor nga Gjermania.

Skandali Barschel

E kemi një ministër të vetëvrar në banjo në një vaskë dhe një gazetar investigues (paparaci) arrinë para policisë në vendngjarje. Ai (gazetari) e fotografon Uwe Barschel, ish-kryeministrin e Schleswig-Holstein-it i vetëvrar në banjo në një vaskë. No go. Shumë fotogarfi e rëndë, vërtetë tmerr, por që kjo hyri në histori. Edhe si shembull i keq.

Çështja Barschel është një nga skandalet më të mëdha në historinë gjermane mediale dhe tronditi Schleswig-Holstein në vitin 1987. Historiku i kesaj ngjarje skandaloze ishte me sa vijon: Me një fushatë shpifjeje nga Kancelaria e Shtetit të Kielit, e promovuar ose mbuluar nga kryeministri i CDU-së Uwe Barschel, ishte kundër që të fitonte kandidati kryesor i SPD-së Björn Engholm. Supozohej se ky i fundit (Engholm) do të fitojë zgjedhjet dhe do ta zëvendësojë Helmut Kohlin dhe prandaj duhej të pengohej, me çdo çmim.

Figura kyçe ishte Reiner Pfeiffer, i cili, si oficer i medias i aranzhuar nga Barschel, u përpoq të spiunonte z. Engholm dhe ta denonconte atë me informacione të rreme - nga evazioni i supozuar fiskal deri tek hijezimi nga detektivët, me referenca edhe gjoja për homoseksualitetin e dyshuar dhe një "jetë të shpërbërë me seksin femëror". “ nga socialdemokratët. SPIEGEL raportoi për një "Waterkantgate" pak para zgjedhjeve shtetërore më 13 shtator 1987, më pas në detaje me kopertinën "Truket e pista të Barschel", e cila u bë e njohur në prag të zgjedhjeve. Kjo shkaktoi një tërmet politik.

Në një konferencë për shtyp më 18 shtator 1987, Uwe Barschel dha "fjalën e nderit - po e përsëris: po ju jap fjalën e nderit! - se akuzat kundër meje janë të pabaza". Ndërsa presioni u rrit mbi të, ai dha dorëheqjen dy javë më vonë. Një reporter e gjeti atë të vdekur në një vaskë në Hotel Beau Rivage të Gjenevës më 11 tetor 1987. Barschel vdiq nga helmimi nga droga; nëse ishte vetëvrasje apo vrasje, mbeti një çështje debati. Hetimi u pushua në vitin 1998.

Kërkesa për mos qasje informacioni në veri- është vetëvrasje!

Në Kosovë, me sa kam përcjellur debatin, më ra në sy dje kërkesa e profesorit të gazetarisë Prof. Dr. Milazim Krasniqi i cili e kërkoi që gazetarët nuk duhet të jenë në veri për të raportuar. Dhe unë besoj dhe jam i bindur se pavarësisht se çfarë vepron qeveria në atë pjesë nuk duhet t´ju interesojë gazetarëve, kjo, sepse gazetarët duhet të jenë të pavarur- sepse ata e kanë punë të përditshme dhe ua kërkon etika profesionale dhe morale ta bëjnë raportimin. Ndoshta, ata (gazetarët, kameramanët, dhe gjithë ekipi i tyre) po e paguajnë ose do ta paguajnë çmimin shtrenjtë, ata duhet gjithsesi të jenë në çdo vendngjarje për të raportuar si në Mitrovicën e Veriut, në Leposaviq, Zubin Potok etj.

Të gjithë i pamë pamjet se si ata (shih ngjarjen në Leposaviq) ishin të pambrojtur nga policia dhe të injoruar nga KFOR-i (pamjet ishin zhgënjyese). Pavarësisht kësaj situate gazetaria nuk ndalet dhe nuk duhet të ndalet s´punuari sepse janë pushteti i katërt.

Dhe kursesi nuk duhet vepruar, siç mendon profesori i gazetarisë Milazim Krasniqi se „mediet duhet ta bojkotojnë lojën absurde të qeverisë me kryetarin e mbajtur peng prej saj në Leposaviq e të mos rrezikojnë jetën e gazetarëve dhe kameramanëve“, sepse sipas tij „Veprimi i qeverisë me kryetarin në Leposaviq, ka kaluar në absurditet. Është edhe johuman. Nga ana tjetër, për vetë faktin që atje po rrezikohet jeta e gazetarëve dhe e kameramanëve, nuk ia vlen të raportohet absurditeti. Meqë mbajtja e pengut në objektin e komunës nga qeveria Kurti po bëhet edhe në kundërshtim me kërkesat e SHBA dhe të BE-së, veprimi është kundër interesave shtetërore të Kosovës.“(përfundon citati).

Ka edhe disa fakte, siç i potencoi gazetarja e njohur e Grupit Koha Saranda Ramaj se „...gazetaret në Leposaviq nuk udhëtojnë me vetura të blinduara sikur politikanët… as nuk ruhen nga KFOR-i… dhe (natyrisht siç) nuk përcillen nga Njësia Speciale“.

Unë jam edhe për këtë të dytën; ata duhet të udhëtojnë me veturat e blinduara, të ruhen nga KFOR-i, të përcillen nga Njësia Speciale. Zyrtarisht kështu duhet të jetë, sipas mundësisë.

Po vrej se askush nuk po ofron një zgjidhje

Që sot, se e di se nuk ka iniciativa as nga mediumet as nga shoqata e gazetarëve as nga Qeveria.

Prandaj duhet që qeveria sa më shpejtë të miratojë një buxhet, qoftë edhe 2-3 milionë Euro për trajnimin, pajisjen e gazetarëve si, rrobat antiplumb, shlemat dhe natyrisht mëditjet (për çdo raportim) nga ajo pjesë - subvencion nga ky fond. Shih foton nga Reuters.

Duhet hapje konkursi për regrutë të rinj dhe ata që duan të shkollohen për gazetarinë e tillë-me thekës të veçantë, raportimi nga fronti- ose fushat e krizës, situata sensitive, raportimi dhe ballafaqimi me situata të dhunshme, mësime si si të bëhet komunikimi profesional me KFOR-in, Policinë dhe të drejtat dhe kufizimet gjatë raportimit që duhet përfillur.

Këto trajnime specifike duke u shoqëuar edhe me ushtrim nga fusha e sporteve ushtarake, të mundjes dhe ato të karatesë dhe të tjera.

Pse është i rëndësishëm raportimi? S´pari me i tregue botës se çfarë po ndodhë në veri. Të sensibilizojë, ta tregojë botën reale në atë pjesë, ta paraqes realitetin ashtu si është, që publiku ynë edhe ky shqiptarë dhe ai ndërkombëtarë të njihet me veriun, me gjendjen atje, mentalitetin e bandave, strukturen shoqërore, por mund të tregojë edhe fytyrën e vërtetë edhe të qytetarëve atje, dëshirën e serbëve për tu integruar në shoqërinë tonë e cila edhe do ta pasurojë dhe begatojë shoqërinë, multikulturalitetin tonë egzistues.

E kur jemi te gazetarët dhe raportimi në situata të tilla, gazetarët e mirë, investigues dhe disa si paparaci arrijnë kudo, në vendngjarje, edhe para policisë dhe ushtrisë, edhe kur depërtimin e tyre e ndalon shteti me ligj, që të mos jetë në vendngjarje, sepse shteti është ai që duhet të raportojë i pari, të vendos se çfarë fotografie do të ketë nga vendi i ngjarjes dhe jo gazetarët. Pra këtu gazetarët nuk ja „pyesin letrat“ shtetit edhe pse nganjëherë dënohen por edhe kur është në pyetje interesi i përgjithshëm i shoqërisë dhe me raportim i zbulojnë dukuritë negative prandaj edhe dekorohen dhe marrin medalje dhe çmime prestigjioze.

Flutura Kusari - juristja e medieve!!!

Flutura Kusari e cila i ka shërbyer pushtetit dikur dhe ka arritur pikërisht aty ku është sot, në çdo hap mundohet të kritikojë qeverinë e Albin Kurtit. Në Kohën e Prontos i ka "sakatuar" gazetarët, ajo thoshte se po i mbronë.

Sipas saj “...qeveria vazhdon të ketë qasje negative. Narrativa që e ndërton është kryesisht negative për gazetarët. Është shqetësim në ngritje. Këso qëndrimi duhet me pas kryeministri [sikur sot], sa herë që masakrohen gazetarët nëpër rrjetet sociale”, ka thënë ajo. Ajo gjithashtu sipas raportimit në Koha Ditore, thotë duke u bazuar në të dhënat e AGK-së, se Kosova si shtet e ka arritur numrin më të madh të sulmeve ndaj gazetarëve në historinë e re të Kosovës. 15-20 sulme tërë vitin i kemi pas ndaj gazetarëve, sulme të natyrës së butë. 30 është numër jashtëzakonisht rekord. Ukraina është vendi më i rrezikshëm për të bërë gazetari, pastaj Kosova për shkak të veriut”, ka shtuar ajo (cituar sipas Koha Ditore, të datës 16.06.2023).

Ndërsa këtu po pajtohemi të gjithë edhe me F. Kusarin se shteti duhet t´i mbrojë gazetarët edhe me buxhet, me pajisje mbrojtëse, si dhe natyrisht me koordinim mes institucioneve dhe mediave.

Tutje mbetet çështja e hapur, e propozuar edhe nga Flutura Kusari, e cila, tregonte njëanshmëri ndaj qeverisë dikur dhe kryesisht tregohet arrogante tani ndaj qeverisë Kurti se a do përkrahen gazetarët nga qeveria?
E përfund, kur jemi te Flutura, sikur të ishte vërtetë juriste e medieve do ta kishte bërë të njëjtën gjë (kritikën) edhe me qeveritë me të cilat ajo e arriti kulmin e karrierës.

Pavarësisht zërave kritik kundër dhe pro qeverisë, e kam një lutje; lëreni gazetarët, ata shpirtra të lirë dhe të mirë që ta bëjnë punën, të mos e bëjnë as për qeverinë e Albin Kurtit, por as për opozitën e përkrahës të tyre, por për vendin e tyre, për opinionin publik, për të mirën e përgjithshme! Sa më shumë të raportojnë aq më mirë. Aq më shumë ne nga strofullogu ynë, larg këtyre vatrave të „krizës, dhunës dhe konfliktit“, familjarizohemi me vendet, me njerëzit, me sfidat nga andej, me të cilat duhet të përballemi si shoqëri.

Ec përpara..!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat