Mediet dhe shtypi i Beogradit, janë nxitëset dhe bartëset kryesore të urrejtjeve fashiste dhe raciste ndaj shqiptarëve dhe Kosovës!

Opinione

Mediet dhe shtypi i Beogradit, janë nxitëset dhe bartëset kryesore të urrejtjeve fashiste dhe raciste ndaj shqiptarëve dhe Kosovës!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 18 qershor 2023 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Të gjitha gazetat ditore në Serbi, si “Novosti”, “Politika”, “Danas”, “Informer”, “Kurir”, “Republika”, “Press”, “Pravda”, “Blic OnLine”, etj., agjencitë e lajmeve, si “Južna Srbija”, “Srpska Novinska Agencija- SRNA”, “Tanjug”, “FoNet”, etj., më pas revistat javore, “NIN”, “Republika”, “Vreme”, “Novi Magazin”, “Novi Standard”, “Blic”, “Žena”, po ashtu shtëpitë televizive; “TV-Pink” (televizion i A. Vuçiqit), “BK televizija”, “Happy TV”, “N1-info”, “Prva Srpska Televizija”, “RTS-Radio TV Srbije”, “RTV-Duga”, “ART-TV”, “TV-Niš”, “RTV-Studio-B”, RTV-Vojvodine”, “TV-Most”, si dhe shumë televizione tjera lokale në tërë Serbinë, me përjashtime tepër të vogla, që të gjitha si një zë i sinkronizuar dhe i artikuluar nga një qendër e vetme agjenturore (BIA), me dallime të vogla në politikën redaktuese të tyre, që të gjitha emetojnë çdo ditë të njëjtin diskurs të egër politik dhe redaktorial, plotë fashizëm dhe racizëm fund e krye anti-shqiptar dhe anti-Kosovë..!?

Duke i dëgjuar lajmet, debatet si dhe raportet e përditshme të gazetarëve raportues serb nga tereni, te të gjitha televizioneve për ngjarjet në Kosovë, gjegjësisht në veri të saj, etj., nuk e gjen dot njërin prej këtyre gazetarëve që i thotë Kosovës, Kosovë, veçse “Kosovo i Metohija”, “Južna pokrajina Serbije”(Krahina jugore e Serbisë), “Privremene vlasti u Pristini” (qeverisja lokale e Prishtinës), “Albanski teroristi” (terroristët shqiptarë), siç i quajtën tre policët e kidnapuar para ca ditësh, por edhe policinë e Kosovës në veri, e cila, sipas serbëve, e ka okupuar veriun serb, etj.

Po ashtu, të gjitha debatet televizive të mbajtura gati në të gjitha televizionet e Serbisë që kanë të bëjnë me temat kushtuar situatës dhe statusit shtetëror të Kosovës, pa asnjë dallim, që të gjithë panelistët bashkë me moderatoret dhe moderatorët e emisioneve në fjalë, përdorin fjalorin më cinik, më pezhorativ dhe më armiqësor ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, ndaj secilit politikan dhe udhëheqës të Kosovës, duke i etiketuar si njerëz analfabetë, naivë, rrenacakë, shpifës, nacionalistë, terroristë, fundamentalistë, fanatikë, separatistë, vasalë të Amerikës, armiq të Serbisë, etj etj., duke ushqyer kështu tek populli serb urrejtje patologjike ndaj çdo shqiptari, intelektuali dhe politikani shqiptar të Kosovës..!?

Pastaj, në çdo paraqitje të kreut të shtetit serb, A. Vuçiq, qëkur ka ardhur në pushtet, por edhe kur ishte ministër për propagandë në qeverinë e Millosheviçit, ai në çdo fjalim të tij, në çdo deklaratë për medie dhe intervista televizive, pa fije morali dhe turpi gënjen opinionin për Kosovën serbe, i fyen shqiptarët dhe elitën e tyre politike dhe intelektuale, flet me urrejtje dhe racizëm ndaj tyre, duke deklaruar me mburrje, kudo dhe në çdo konferencë për media në Serbi apo në Bruksel, se “ne serbët kurrë nuk do ta japim Kosovën, djepin e kulturës dhe traditave tona”, se “pavarësinë e njëanshme të shqiptarëve secesionistë kurrë nuk do ta pranojmë”, se “në rast të sulmit të shqiptarëve ndaj popullit serb në Kosovë, ata do t’i mbrojmë me të gjitha mjetet”, siç ka vepruar disa herë duke e zhvendosur ushtrinë në kufijtë e Kosovës, dhe kështu me radhë, deri në zbrazjen urrejtjeve dhe hasmërisë shtazarake ndaj shqiptarëve, qoftë si individë, qoftë si kolektivitet..!?

Patjetër, një gjë duhet ta kenë të qartë gjithë shqiptarët, se me këtë regjim fashist, racist dhe hegjemonist serb me pretendimet e tij territoriale ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, me kriminelët e luftës si V. Shesheli dhe radikalët e partisë së tij, si M. Drecun, A. Vulin, A. Vuçiq, me ish gjeneralët e ushtrisë të dënuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte, disa syresh akoma aktiv, si dhe me organizatat kriminale dhe nëntokën mafioze të Serbisë, gjasat për demokratizimin e saj dhe popullit serb, janë barazi me Zero.

Serbia mund të demokratizohet vetëm me forcë, prandaj metodat tjera janë prashitje n’ujë..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat