Ku ishim dhe kah po shkojmë?

Opinione

Ku ishim dhe kah po shkojmë?

Nga: Lirim Gashi Më: 19 qershor 2023 Në ora: 10:31
Lirim Gashi

Nëse do të ishim të zgjuar, modestë, të zellshëm, të ndershëm, punëtorë, largpamës, si dhe mençurisht e jo vetëm marrëzisht të guximshëm, që moti do të ishim me meritë të lumtur dhe krenarë që e hoqëm Serbinë dhe Rusinë qafësh për të gjtha kohërat.

Por çfarë ndodhi?

Ne që pësuam humbje të pa kompenzushme në familjet tona dhe dhimbje e trauma të tmerrshme me të cilat përballemi edhe sot e asaj dite, menjëherë pas luftës u quajtëm hakmarrës primitivë vetëm pse insistuam që Serbisë t'i jepej goditja përfundimtare deri sa është në gjunjë, sepse nëse ngrihet në këmbë, do të jetë shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

Dhe nga kush u quajtëm hakmarrës primitivë ? 

Nga bijtë e udbashëve më famkeq shqipfolës që morën pushtetin me ndihmën e disa ish komandantëve të çuditshëm dhe misteriozë të UÇK-së, që e zëvendësuan uniformën e bezdisshme ushtarake me një gardërobë të rehatshme politike.

I çuditshëm, i pakuptueshëm, katastrofik dhe i turpshëm është fakti se po këta komandantë të çuditshëm dhe misterioz në vend se të dëshmoheshin si trima të mençur dhe t'i linin anash të gjitha dallimet e pakuptimta ideologjike deri sa t'ia japin goditjen vendimtare Serbisë së gjunjëzuar, ata u bënë trima të marrë vetëm për gjërat e këqija si korrupsioni, krimi i organizuar, vrasja e konkurrentëve politikë, vjedhja e pronës shoqërore dhe buxheti të shtetit, manipulimi i falimentimit të kompanive, tenderave dhe privatizimit, grabitja e emigrantëve dhe rrëmbimi i të hyrave nga doganat dhe donacionet, shitja grabitqare e aseteve më të çmueshme shtetërore, uzurpimi i gjyqësorit dhe prokurorisë që të mos zbulohet asnjë krim politik apo ekonomik, blerja dhe shitja e diplomave dhe titujve akademikë, tregtimi i identitetit kombëtar me identitetin fetarë të ekstremistëve islamikë dhe dhënia e lejeve për ndërtimin e xhamive ekstremiste që nxorrën mbi një mijë terroristë të të dy gjinive, që luftuan krah për krah me ushtarët e Bin Ladenit dhe Abu Omarit në Siri dhe Irak.

Në vend që të mblidhnin prova si shtetarët hebrenj dhe të ndiqnin çdo kriminel serb të luftës deri në fund të botës, ata iu përkushtuan krijimit të parajsës së tyre të pasur private në Kosovën e varfër, qytetarët e së cilës nuk e dinin se ku e kishin kokën për shkak të traumave të luftës dhe varfërisë. .

Dhe cilat ishin pasojat e një sjelljeje të tillë të çmendur, kundërproduktive dhe të pafalshme?

Fillimi i një dialogu gjoja teknik me Serbinë ndërkohë të forcuar politikisht, ekonomikisht, ushtarakisht dhe diplomatikisht, pa parakushte dhe në një gjendje krejtësisht inferiore për shkak të dobësimit të shtetit të tyre.

T'ju them të drejtën, për mua ishte vetëm çështje ditësh kur ato negociata teknike do të ktheheshin në tregtim të territorit shtetëror, gjë që ndodhi, sepse ata tashmë kishin dëshmuar në negociatat e Vjenës se ishin të prirur për gabime fatale, duke ia dhënë shtetin në shtet Kishës Klero-Fashiste Serbe, ose burimit të të gjitha krimeve serbe në  ish-Jugosllavi.

Mirëpo, lind pyetja, kur bijtë e udbashëve më të këqij shqiptarë e vendosën bombën më shkatërruese në themelin e dobët të shtetit tonë të ri ?

Natyrisht, në vitin 2004, kur me urdhër të oficerëve të tyre serbë filluan të digjnin kishat serbe në mbarë Kosovën.

Eh, kush nuk e kupton këtë të vërtetë të hidhur nuk e meriton emrin njeri.

Megjithatë, ne jemi aty ku jemi dhe vendosja e një diagnoze të saktë vetëm na ndihmon të mësojmë nga gabimet fatale për të mos i përsëritur kurrë.

Pyetja është, si duhet të sillemi sot për të marrë më të mirën për ne në rrethanat e dhëna?

Sot, kur nuk jemi më kafshë të dashura shtëpiake të fuqive të mëdha që krijuan shtetin tonë, ne duhet të pyesim veten “pse nuk jemi më dhe me çfarë e merituam që ta lejonin Serbinë të luante me ne?”.

E merituam sepse luajtëm me vetveten.

Çfarë mësimesh të tjera duhet të nxjerrim nga sjellja jonë injorante, e papjekur, mosmirënjohëse dhe kundërproduktive?

Se nuk arrijmë dot asgjë pa ndihmën e fuqive të mëdha përderisa nuk sillemi njëqind e tetëdhjetë shkallë ndryshe.

Çfarë duhet bërë konkretisht?

Ne qytetarët e thjeshtë duhet të dalim në rrugë me flamuj amerikanë dhe evropianë për t'ua bërë të ditur aleatëve tanë se nuk do ta harrojmë kurrë ndihmën e tyre.

Por në të njëjtën kohë duhet t'u dërgojmë atyre një mesazh që në kohën kur tetëdhjetë për qind të serbëve mbështesin Putinin dhe 95 për qind të shqiptarëve janë kundër gjenocidit të tij në Ukrainë, ata nuk duhet të jenë të shurdhër ndaj këtij fakti kaq madhështor dhe të favorizojnë shtetin gjakatar serb, që nuk ka paguar kurrë çmimin e krimeve të tmerrshme në të gjithë ish-Jugosllavinë, sepse në këtë mënyrë rrezikojnë të humbasin besueshmërinë, respektin dhe mirënjohjen e miqve të tyre me të sinqertë në Ballkan.

Por pyetja mbi të gjitha pyetjet është se çfarë duhet të bëjmë urgjentisht?

T'i japim kartona të kuq të gjithë liderëve dhe partive, që jo vetëm lejuan por bënë gjithçka që të vijmë në këtë gjendje kaq inferiore, nëse nuk i pastrojnë partitë e tyre politike dhe institucionet shtetërore nga plehrat udbashë dhe islamikë.

Përveç kësaj u sugjeroj njerëzve vendimmarrës në politikë, që të dërgojnë urgjentisht një grup të rinjsh të ndershëm, të zgjuar dhe atdhetarë në Izrael për të mësuar se si bëhet politika e zgjuar shtetërore.

Në fakt, ata nuk kanë pse të shkojnë në Izrael, le të vijnë tek unë dhe unë do t'i mësoj më thellësisht, më detajisht dhe më profesionalisht se sa vetë profesorët izraelitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat