Gjeneza e miqësisë shqiptaro-amerikane

Opinione

Gjeneza e miqësisë shqiptaro-amerikane

Nga: Sami Arifi Më: 19 qershor 2023 Në ora: 18:12
Sami Arifi

Shkaqesh që çuan deri te shpërthimi i Luftës së Parë Botërore ishin: Lufta japano-ruse, kriza e Marokut, kriza e aneksimit të Bosnje-Hercegovinës, lufta pushtuese e shteteve ballkanike kundër Peranorisë Osmane, si dhe së fundi shkasi kryesor, atentati në Sarajevë kundër trashigimtarit të fronit të Perandorisë së Habsburge më 28 qershor të vitit 1914.

Këtë gjendje të krijuar të re, ndërkombëtare, e shfrytëzuan shtetet fqinje që lakmonin tokat e Shqipërisë. Pas shumë bisedave, Italia vendosi të bashkohej gjatë LPB me Fuqinë e Antantës, me të cilën nënshkroi në Londër, më 26 prill 1915, një Traktat të Fshehtë.

Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftë e Parë Botërore, në prill të vitit 1917, fillon kthesa vendimtare që lufta të fitohet nga Antanta në vjeshtën e vitit të ardhshëm, SHBA-të hyrjen në luftë e arsyetonin me përkushtimin për të vendosur një paqë të drejtë. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore më 11 nëntor 1918, pra, pas fitores së Antantës, më 18 janar 1919 u mbajt në Paris Konferenca e Paqës me pjesëmarrjene: SHBA-ve, Anglisë, Francës, Italisë dhe të Japonisë. Presidenti i SHBA-ve, Uilson (Woodrow Wilson), do të hynte në bisedime në Konferencën e Paqes në Paris vetëm mbi bazën e një “diplomacie të re e të hapur”, kërkesat e tij ishin që kjo diplomaci të ishte në harmoni me 14 Pikat, Katër Parimet, dhe Pesë Saktësimet e tij.

Një kontribut mjaft të rëndësishem në këtë krizë të çështjes shqiptare, në marrëdhëniet shumë miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dha veprimtari i fushave të ndryshme Fan S. Noli. Si delegat i Federatës Vatra, Fan S. Noli mori pjesë në Kongresin e kombeve të shtypura, Konferencë kjo që u mbajt në Uashington nën patronatin e qeverisë së SHBA-ve. Delegatët e këtij Kongresi e shoqëruan presidentin Uilson te varri i Xhorxh Uashingtonit në Maunt-Vernon, ku ai mbajti fjalimin e tij mbi Katërmbëdhjetë pikat, më 4 korrik 1918, kjo i dha rast Fan S. Nolit të takohej me presidentin Uilson në jahëtën presidenciale, “Mejfllauer” dhe t’i bënte apel që ta kthente pavarësinë e Shqipërisë, e cila, tashmë ishte shkelur nga ushtritë e huaja gjatë Luftës së Parë Botërore. Presidenti Uilson i tha: “Unë kam një votë në konferencën e Paqes dhe do të përdor atë votë në të mirë të Shqipërisë”. Uilson përdori ndikimin e vet, me të vërtetë të jashtëzakonshëm, për t’i ndihmuar Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Versajë, presidenti Uilson më 1920 dënoi dhe pengoi copëtimin e Shqipërisë, që qe paraparë me Traktatin e Fshehtë të Londrës, më 1915. Ai bëri të qartë se qeveria amerikane nuk ishte pjesëmarrëse në këtë marrëveshje dhe se kurrë nuk do ta njihte atë si të vleshme, kjo deklaratë e bëri presidentin Uilson mbrojtësin më të popullarizuar të pavarësisë shqiptare, mbrojtësin e shtetësisë së shtetit shqipëtar Shqipërisë...

Kah mesi i janarit të vitit 1920 marrëdhëniet tensionohen midis Presidentit Uilson dhe Kryeministrit të Francës dhe Britanisë së Madhe për çështjen shqiptare, më saktësisht për “akordin e 14 janarit të vitit 1920”, ku sipas këtij “akordi” Shqipëria humbë pavarësinë nga se i ndahet territori i saj Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë, prandaj edhe kalojnë momente tensioni dhe krize.

Nga çështja që njeh zhvillime të reja në planin diplomatik, në përmbajtjen e qëndrimit të Presidentit Uilson (Woodrow Wilson) dallohen dy elemente kryesore: “një paqe e drejtë e demokratike”, dhe së dyti ishte “denoncimi i diplomacisë së fshehtë” i pasuruar nga botimi i Traktateve të fshehta të lidhura ose të miratuara nga qeveritë cariste. Në 14-të Pikëshin e Uilsonit kishte një pikë (pika 11) që i kushtohej posaçërisht problemeve të Ballkanit, ky ishte edhe një faktor favorizues për riaktualizimin e dukshëm të lëvizjes për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë. Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Lasing më saktësisht më 20 janar të vitit 1920, dërgonte nëpërmjet ambasadorit amerikan Wallance një memorandum në adresë të kryeministrave Clemenceau (të Francës) dhe Loyd George (të Britanisë së Madhe) lidhur me çështjet e “akordit” që qëndronin ende në rendin e ditës të negociatave midisë Fuqive.

Në memorandum kërkoheshin disa shpjegime lidhur me procedurën e ndjekur në rreshtin e ngusht lidhur me “akordin e 14 janarit të vitit 1920”, bëhej vërejtje se SHBA-të nuk ishin konsultuar lidhur me mënyrën e zgjedhjes, madje protestohej në rast se do të merrej ndonjë vendim që do të linte jashtë Qeverinë e Amerikës dhe do të ishte në kundërshtim me pikëpamjet e saja. Lansing e përfundonte memorandumin, duke njoftuar se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ishte në gjendje të dërgonte një përfaqësues të nivelit përkatës në këshillin e kryeministrave, prandaj sygjeronte rikthimin në procedurën dilomatike normale për çështjet që prisnin ende një zgjidhje.

Presidenti Uilson (Wilson) në përgjigjen e tij të 10 shkurtit të vitit 1920, ndaj “akordit” të 14 janarit të vitit 1920, ai hidhte poshtë atë si “një marrëveshje të përgatitur pa dijeninë dhe pa miratimin e qeverisë amerikane”, nga toni i tij i prerë dukej qartë se Uilsoni e barazonte “akordin” me paktin e Londrës të 1915-ës dhe u kthehej përsëri argumenteve të tij kundër Traktatit të Fshehtë të Londrës. Amerika nuk do të pranonte një rregullim të tillë të “çështjes së Adriatikut” në asnjë rrethanë, ai vazhdonte me një mbrojtje të apasionuar të parimeve të politikës së jashtme amerikane me këto fjalë: “Në sytë e Qeverisë sonë një zgjidhje e tillë është e pamundur të zbatohet, do të montohej kështu çdo element drejtësie, e cila për ne është esenciale nëse kërkohet edhe bashkëpunimi i Qeverisë sonë në plotësimin e kushteve të paqes”...

Për këtë theksonte, Presidenti: “Ne nuk mund të japim pëlqimin tonë për një rregullim, i cili, qoftë nga termat e përmbajtjes së tij, qoftë nga metodat e përdorura për ta imponuar, përbën një mohim absolut të parimeve për të cilat hyri në luftë Amerika”. “Ne nuk mund të njohim, përfundonte ai, asnjë zgjidhje të padrejtë të bazuar në një Traktat të fshehtë, kushtet e të cilit janë të papajtueshme me situatën e re në botë, as edhe një rregullim të padrejtë që synohet të arrihet duke e përdorur këtë Trakt të fshehtë si një instrument shtrëngimi”. Ndërhyrjet dhe reagimet e Presidentit Uilson, nga një memorandum në tjetrin, sollën një frymë të re në rregullimin e problemeve që u shtruan në Konferencën e Paqes, prandaj në këtë mënyrë u krijua një raport i ri forcash në nivelin e Fuqive të Mëdha, dhe kështu u godit diplomacia e fshehtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat