Donika foli, opozita u tërbua, BE u turpërua

Opinione

Donika foli, opozita u tërbua, BE u turpërua

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 12 korrik 2023 Në ora: 11:46
Donika Gërvalla

Si askush tjetër më parë, një ministër i jashtëm atakohet nga opozita pothuajse çdo ditë. Ministria e jashtme është ndër organet më të larta dhe më të rëndësishme të një shteti, është pasqyra e shtetit.

Në këtë kuptim edhe duhet pasur parasysh që në krye të saj të jenë njerëz me dinjitet, me peshë politike dhe njohje të gjerë, mbi të gjitha të jenë njerëz të mirë. Dhe askush tjetër si ministrja Donika Gërvalla s’mund të ishte më guximtare për të thënë të vërtetën. Bija e heroit Jusuf Gërvalla nuk hezitoi së fundi të bënte deklarata të forta edhe ndaj BE-së.

Gjatë një fjalimi në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, ministrja Gërvalla tha se çështja thelbësore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është nëse BE-ja mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë.

“Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në bllok dhe pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, BE-ja është një ‘tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë”, tha zonja Gërvalla.

Përgjatë fjalimit të saj ajo shtoi se Evropa nuk ka asnjë histori suksesi në përpjekjet për të parandaluar luftërat. Kjo është e vërtetë, në sytë e BE janë bërë luftërat më të mëdha që nga lufta e dytë Botërore. Nën mbikëqyrjen e BE kanë nisur bisedimet Kosovë- Serbi që 12 vjet pa asnjë rezultat, ky është vetëm dështimi i radhës në mesin e shumë të tjerave. Përfaqësues të opozitës në Kosovë kritikuan fjalimin e ministres Gërvalla duke e cilësuar “të papërgjegjshme” deklaratën e saj për BE-në.

Opozita ka kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për dëmtim të marrëdhënieve me aleatët, duke paralajmëruar veprime për të kundërshtuar qasjen e qeverisë ndaj krizës në veri të vendit. Kjo opozitë e mbrapshtë ka sjell vetëm dëme vendit, pa qenë në gjendje të mbrojë të vërteten dhe as Kosovën. Donika Gërvalla në çdo aspekt është më atdhetare, se e gjithë opozita.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat