NATO pa Turqinë nuk mund të ketë sukses!

Opinione

NATO pa Turqinë nuk mund të ketë sukses!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 13 korrik 2023 Në ora: 08:20
Recep Tayyip Erdogan

Presidenti turk, Rexhep Tayp Erdogan, bëri ditët e fundit një lëvizje surprizë, kur në Vilnius të Lituanisë, gjatë samitit të 31 vendeve të NATO-s, pranoi papritur zgjerimin e aleancës me pranimin e Suedisë. Edhe pse në këtë vend ndodhën protesta me akte anti-islame, edhe pse ai e pati kushtëzuar pranimin e Suedisë me nisjen e procesit të pranimit të Turqisë në BE, sërishmi Erdogan dëshmoi lojalitet dhe garantoi votën e vendit të tij pro anëtarësimit të Suedisë në Aleancën Atlantike.

Pak ditë më parë presidenti i Turqisë, Erdogan, priti në Stamboll presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe i premtoi atij përkrahjen e pakushtëzuar që Ukraina të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Ndërkohë ky vend në rastin e konfliktit në veri të Kosovës dërgoi kontingjentin më të madh të forcave në kuadër të KFOR për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në këtë vend. Por jo vetëm kaq! Erdogan pas rizgjedhjes së tij në postin e kryetarit të shtetit turk në maj të këtij viti, zbuti gjithashtu tensionet me Athinën saiI përket pretendimeve të palëve për ishujt në Mesdheun Lindor.

Çfarë po ndodh me Turqinë, e cila prej vitesh na është shfaqur më shumë si aleate e Rusisë, sesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës?! Në fakt ndryshimi i trajektores diplomatike të Ankarasë nisi me disa akte anti-Erdogan të disa segmenteve perëndimore dhe më së pari me anulimin e shitjes së avionëve F16 nga ana e SHBA-ve, si presion për kurisn e Erdogan në politikën e jashtme. Më pas marrëdhëniet midis Turqisë dhe Perëndimit, sidomos SHBA-ve dhe Francës, u tensionuan për shkak të raketave S400 që Ankaraja bleu në Rusi dhe rritjes së tensioneve me Greqinë.

Por Turqia është vend i madh. Tashmë është një fuqi rajonale e pakontestueshme, me rol të veçantë në Kaukaz, Ballkan, Afrikën Veriore dhe në vendet arabe. Është kryqëzimi e njëkohësisht nyja lidhëse e tri kontinenteve, favor që nuk e ka dhe nuk mund ta ketë asnjë vend tjetër në botë. Edhe pse një vend me këto kapacitete dhe me potenciale akoma më të mëdha, Turqia e Erdogan në gati dy dekadat e fundit dëshmoi se i përket NATO-s dhe dëshiron forcimin e saj. Pranimi i Finlandës dhe Suedisë, si dhe premtimi për pranimin e Ukrainës ishte një lëvizje strategjike besnikërie dhe aftësish të vendit më të fuqishëm ushtarak pas SHBA-ve në Aleancën Atlantike.

Rrallë herë ka ndodhur që shteti turk të marrë karakteristikat e një vendi me rol kyç në zhvillimet globale. Por në rastin e agresionit rus kundër Ukrainës ishte Ankaraja ajo që ndërmjetësoi për zbutjen e efekteve të krizës së kësaj lufte në Europë e në botë. Presidenti Erdogan ndërmjetësoi marrëveshjen për drithërat dhe ruajti kanalet e komunikimit me të dy palët, me qëllim mbajtjen nën kontroll të konfliktit të armatosur. Rrallë herë ndodh që një vend i pozicionuar nga pikëpamja e anëtarësimit kundër një agresori, si Rusia, njëkohësisht të ruajë ekuilibrat politikë e diplomatikë në kuotat më të suksesshme në funksion të paqes, siç ndodhi me rolin e Turqisë në Ukrainë.

Të gjitha lëvizjet e Rexhep Tayp Erdogan gjatë dy viteve të fundit rezultojnë të suksesshme dhe të dobishme jo vetëm për aleancën politiko-ushtarake të NATO-s, por edhe për të garantuar paqe dhe siguri europiane e globale. Në këtë kuptim Turqia e sotme e Rexhep Tayp Erdogan na shfaqet jo thjesht si aleat i Aleancës Atlantike dhe BE-së, por akoma më shumë se kaq: - Një kontributor ekselent për sigurinë e tyre. Është krejt e qartë se pa Turqinë nuk ka dhe nuk mund të ketë garanci të plota për stabilitetin euro-aziatik, e madje edhe atë afrikan.

Ky lloj funksioni në pozicionin politik dhe diplomatik të Ankarasë e bën atë të admirueshëm dhe të kërkuar në fushën e lojës kontinentale dhe globale politike. Erdogan diti ta luajë këtë lojë edhe në kushtet e provokimit me vrasjen e ambasadorit rus në ceremoni zyrtare, edhe në kushtet e përpjekjeve për grusht-shteti, pra në rrethana të vështira për presidentin e vendit, Erdogan. Prandaj dhe kërkesa e Erdogan për përshpejtimin e pranimit të vendit të tij në Bashkimin Europian është legjitime. Është legjitime, së pari, sepse Turqia është vend evropian. Dhe së dyti, sepse BE në vitin 2005 hapi negociatat për pranimin e Turqisë. Hapja e këtyre negociatave u bë me bujë të madhe. Madje me shfaqjen e Erdogan përkrah kancelarit Schroeder dhe presidentit Sarkosy.

Ndërkaq më vonë iu kërkua një Partnershaft, por jo edhe pranimi në BE. Gjermania dhe Franca iu frikësuan anëtarësimit të Turqisë në Union. Dhe kjo për arsye se ato I druheshin krijimit të një poli turko-britanik brenda këtij unioni. Tani që Britania ka dalë nga BE ndoshta është më e volitshme që Ankarasë t’i bëhet sërishmi ftesa e pakthyeshme më për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kurse në Uashington po shihet mundësia e furnizimit të Turqisë me avionët luftarakë F16, tashmë të porositur kundrejt shumës 20 miliard dollarë nga ana e Turqisë.

Të shohim sa do të afrohet Turqia me BE-në dhe SHBA-të, por samiti në Vilnius dëshmoi se NATO pa Turqinë nuk mund të ketë sukses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat