Metamorfoza e politikës

Opinione

Metamorfoza e politikës

Nga: Kolindo Vjerdha Më: 11 gusht 2023 Në ora: 14:13
Kolindo Vjerdha

Në këto 32 vite politika dhe politikanët në Shqipëri kanë rritur njëri-tjetrin, duke eskaluar nga të paditurit konfuz në të diturit e dëmshëm. Një rritje kjo eksponenciale me nivelin e të bërit politikë dhe mbi të gjitha me dijet se çfarë përfaqësonte realisht demokracia, të cilën për fatin e keq të shqiptarëve nuk e provuan në asnjë ditë të vetme.

Po nënvizojmë një proces nëpër të cilin kemi kaluar edhe si shoqëri për të mbërritur këtu ku jemi sot, ku mjafton retrospektiva për të kuptuar sa prapa kemi ngelur.

Në 32 vite kemi ricikluar po të njëjtat figura, kemi ricikluar po të njëjtat ide dhe kemi lejuar të bien e të ringrihen po të njëjtat ideologji, "qeverisje e hekurt, popull i heshtur".

E gjithë kjo ka amplifikuar një staniacion mendimi, një staniacion konceptimi ndryshe të qeverisë dhe qeverisjes duke na ofruar një metodologji të njëjtë sjelljeje të pushtetit. Këtu nis metamorfoza e parë 32-vjeçare ku janë pikërisht këto politikanë që erdhën me teorinë "politika me në qendër parimet" dhe e kthyen në "politika me në qendër pazaret". Kjo ishte krisja e parë e qëllimshme e një sistemi që u rrit i cunguar që në gjenezë.

Metamorfoza u kthye në sistem, më pas fitoi shëmbëlltyrën parti dhe në fund u përvetësua edhe nga politika dhe politikanët në përgjithësi.

Kjo e gjitha prodhoi "Merkatën" e madhe të politikës, ku në fillim u blenë e u shitën deputetë, më pas u blenë e u shitën parti e në fund u blenë e u shitën funksionarë, të gjitha këto të kamufluara nën stimujt e stisur të prosperitetit, zhvillimit dhe përparimit të vendit, kur në realitet luheshin mbi baza interesash personale.

Sot të gjithë këto kanë emër, kanë poste, mbajnë edhe nivele përfaqësimi të popullit, por asnjëri nuk ka mbajtur përgjegjësi për të kaluarën, të gjithë fokusohen te e tashmja. E nisëm me metamorfozën e komunistëve të demokratizuar dhe po e vazhdojmë me metamorfozën e interesaxhinjve që kanë shkatërruar sistemin e vlerave dhe parimeve duke vrarë shpresën se ato që do vijnë janë ndryshe. Është ngulitur në arsyen e shqiptarit paragjykimi që edhe ky i ri që do vijë njëlloj do të jetë, njëlloj do të korruptohet, njëlloj do të shkatërrojë pronën publike, njëlloj do të pasurohet. Për hir të këtyre paragjykimeve mbajmë ato që në 32 vite të vetmet gjëra që s'kanë lëshuar kurrë janë karriget dhe pushteti. Mbajmë "të provuarit" nga frika dhe paragjykimi për "të paprovuarit". Kjo është edhe metamorfoza e tretë ajo e ndryshimit gjykimit të alternativës politike.

Padyshim që në sistemet demokratike ka hapësirë për të gjithë njëlloj dhe realitetet ndryshohen me votë, por ka edhe të tjerë realitete që nuk i ndryshon vota, por reflektimi. Duhet të reflektojmë për të ndryshuar që mos ta lëmë Shqipërinë të ecë kuturu e ndikuar nga pazare personale të disa individëve që bashkëdrejtojnë staniacionin 32-vjeçar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat