Ndryshimet kushtetuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Opinione

Ndryshimet kushtetuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Nga: Skender Musliu Më: 11 gusht 2023 Në ora: 14:16
Skender Musliu

Shkak për ndryshimet kushtetuese në RMV-në, është « propozimi françez », i cili parashikon inkorporimin e pakicës bullgare në Preambullën e Kushtetutës, me qëllim që të tejkalohen dallimet mes dy shteteve lidhur me identitetin e maqedonëve, gjuhën dhe dallimet historike. Mirëpo këto ndryshime kushtetuese po i kundërshton VMRO-DPMNE-ja, me pretekstin se po bullgarizohet Maqedonia, që në fakt ka krijuar një krizë në proçesin e integrimeve në BE, sepse pa votat e kësaj partie nuk mund të sigurohen 2/3 e domosdoshme. Kushti kryesor i VMRO-DPMNE-s për debllokimin e situatës, janë vetëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare, mirëpo BE-ja deklarohet se RMV-ja ka nevojë për ndryshime kushtetuese e jo për zgjedhje të parakohshme.

Mirëpo a është arsya e vërtetë se, inkorporimi i pakicës bullgare në Kushtetetën e RMV-së, da t’a bullgarizonte Maqedoninë ?! Personalisht mendoj se jo, sepse përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, nuk ka kurfar ndikimi juridik në funksionimin e shtetit. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se, RMV-ja statusin e shtetit kandidat për në BE e ka fituar në vitin 2005, kurse negociatat nuk i filloi asnjëherë, së pari për shkak të kontestit me Greqinë dhe tani me Bullgarinë. Gjykoj se VMRO-DPMNE-ja, e cila qëndroi në pushtet përmes kauzës së rrejshme nacionaliste antishqiptare, e përkrahur si patericë nga BDI-ja, asnjëherë nuk ka qenë e interesuar t’a zgjidh problemin e emrit me Greqinë dhe tani me Bullgarinë, por as anëtarësimin e saj në NATO, e gjithë kjo, për shkak të politikave të saja pro serbo-ruse. Mbase emërtimi i tanishëm i Maqedonisë me « RMV », ishte propozuar që në fillim të bisedimeve me Greqinë kur kryeministër ishte Nikolla Gruevski, por ai kategorikisht e kishte refuzuar. Sikurse BDI-ja të mos kishte koalicionuar me VMRO-DPMNE-në, situata politike dhe proçeset integruese të RMV–së në BE, do të ishin shumë më të avancuara, mbase në vitin 2005 Kroacia dhe Sllovenia kishin marrë statusin e kandidatit sikurse edhe Maqedonia, kurse ato tani janë pjesë integrale e BE-së. Por edhe së fundi, sikur BDI-ja t’a kishte kundërshtuar nismën e « Mini Shengenit » e pastaj të « Ballkanit të hapur », asnjëherë nuk do të ishte jetësuar kjo nismë, e cila ka qenë në kundërshtim me interesat e Kosovës, që me ngulm e patë refuzuar kryeministri Kurti. Në të gjitha këto zhvillime, si dhe shumë të tjera, BDI-ja ka luajtur rol destruktiv, që ka ndikuar në ngecjen e proçese të rëndësishme.

Duke patur parasysh faktin se Kushtetuta, si dokument më i lartë juridik, nuk ndryshohet shpesh, andaj tani është rasti i volitshëm të rishikohen dhe rektifikohen disa padrejtësi ndaj shqiptarëve, respektivisht të gjitha partitë politike shqiptare, në pozitë dhe opozitë, t’i bashkohen nismës së Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët, por edhe Besës, që konsiston me zëvendësimin e « gjuhës që e flasin mbi 20% e popullatës », me « gjuhën shqipe që e flasin shqiptarët ». Ashtu sikurse me iniciativën dhe insistimin e Afrim Gashit dhe Zijadin Selës që u ndryshuan dy ligje të rëndësishme për shqiptarët, Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, i cili edhe pse nuk e zyrtarizoi gjuhën shqipe, ai substancialisht e avancoi nivelin e përdorimit, dhe lehtësimet që u krijuan me Ligjin për nënshtetësinë, që shumë shqiptarëve, pas disa dekadave, iu mundësua t’a fitojnë këtë të drejtë duke i thjeshtësuar kushtet për marrjen e saj.

Edhe kësaj rradhe, lidershipi i partive politike shqiptare duhet të mobilizohet dhe t’ia imponojë partive maqedone, por edhe BDI-së, përfshirjen e kërkesave shqiptare në ndryshimet e Kushtetutës. Këto kërkesa është dashur të zgjidhen shumë më herët, mirëpo BDI-ja asnjëherë nuk pati kurajon dhe guximin, edhe pse derisa ajo ishte në pushtet për dy dekada me VMRO-DPMNE, në kohën e Nikolla Gruevskit, i kishte 2/3 e votave të domosdoshme për ndryshimet kushtetuese, mirëpo BDI-ja ishte dhe ngelë parti e kapur dhe peng e partive maqedone duke u shndërruar në gjah për shantazhe.

Edhe përkundër faktit se kryetari i RMV-së, Stevo Pendarovski, është deklaruar pro ndryshimeve kushtetuese lidhur me nocionit e « 20% », fatkeqësish, zyrtarë të lartë të BDI-së, të shkëputur nga realiteti dhe lakmisë për pushtet, deklarojnë se partitë politike shqiptare nuk duhet t’i keqpërdorin ndryshimet kushtetuese për inkorporimin e pakicës bullgare në Kushtetutë, rrjedhimisht ato nuk duhet t’i propozojnë ndryshimet për gjuhën që e flasin mbi 20 % e popullatës.

Edhe pse BDI-ja u formua si parti e dalë nga lufta e vitit 2001, me premtime se do t’i zgjidh çështjet vitale të shqiptarëve si kërkesa legjitime, sikurse zgjidhjen e statusit politik, juridik dhe kushtetues të shqiptarëve , ajo asnjëherë nuk e artikuloi vullnetin dhe kërkesat e shqiptarëve, nga fakti se BDI-ja u bë partner kryesor i partive maqedone për zbatimin e projekteve dhe politikave të tyre, duke qenë spektator i shumë proçeseve të montuara politike kundër shqiptarëve. Duke i instrumentalizuar dhe manipuluar kërkesat për të drejta më substanciale të shqiptarëve, BDI-ja gjithmonë ka qenë në shërbim të politikave të pushtetit maqedon, me të cilat po bashkjeton për dy dekada.

Këtyre situatave në vazhdimësi i ka kontribuar përçarja e partive politike shqiptare, që u bë si fenomen edhe kohëve të fundit, sikurse fragmentimi i partive, lufta për bajraktarizëm, që do të rezultojë ndoshta me formimin edhe te tri partive të reja politike shqiptare, e gjithë kjo qenësisht do t’a dobësonte rolin dhe poitencialin e shqiptarëve në vendimmarrje.

Viteve të fundit, me veprimet dhe vendimet e tyre, si parti politike shqiptare më konsistente dhe konstruktive po tregohet Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, por edhe Besa, të cilat duhet të insistojnë, sikurse herave të kaluara, në ndryshimet kushtetuese.

Edhe pse përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare thonë se këto ndryshime kushtetuese do të jenë si obligim i fundit që duhet të përmbushë Maqedonia e Veriut drejt anëtarësimit në BE, personalisht mendoj se, problemet më substanciale do të paraqiten kur të vie koha e hapjes së Kapitujve, prandaj politikat e RMV-ës duhet të jenë më pragmatike dhe më fleksibile.

Mbledhja plenare e Kuvendit të RMV-ës për ndryshimet kushtetuese është caktuar për 18 gusht dhe mund të zgjasin më së shumti dhjetë ditë pune, kurse votimi mund të shtyhet derisa të sigurohen 2/3 e votatve të nevojshme !?

Me qëllim të debllokimit të kësaj situate, kohëve të fundit në RMV ka patur shumë vizita të diplomatëve të huaj, dhe duke patur parasysh, inatet politike dhe ngërçin e krijuar, mendoj se vetëm presioni i faktorit ndërkombëtar mund t’a debllokojë këtë situatë, në të kundërtën zgjedhjet e parakohshme bëhen të pashmangshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat