Në Evropën e bashkuar dhe demokratike, popullizmi dhe krijimi i liderëve nacionalë është antivlerë!

Opinione

Në Evropën e bashkuar dhe demokratike, popullizmi dhe krijimi i liderëve nacionalë është antivlerë!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 13 gusht 2023 Në ora: 20:26
Rexhep Elezaj

Dihet nga historia, se ideologjia moniste-komuniste, përveç diktaturës së proletariatit, ngritjes së masave popullore socialiste si dhe “barazisë” së klasave, në epiqendër të saj kishte krijimin e kultit ndaj figurave politike të kohës, të quajtur ideologë dhe liderë të doktrinës Marksist-leniniste. Pra, këta trajtoheshin si udhëheqës nacional dhe shpirtëror të një kombi, siç ndodhi në Rusi në shekullin 19 dhe 20-të, duke filluar me ideologun e saj V. I. Leninin, nga i cili do lindë Leninizmi, pastaj Stalinin, Hrushqovin e deri tek V. Putini, i cili si nus-produkt i ideologjisë komuniste, në esencë anti-humane dhe antidemokratike, ka që një vit e gjysmë që mizorisht po e vret një popull “vëlla” sllav, vetëm se ai nuk iu përkul diktaturës së tij fashiste-komuniste dhe rusomadhe, siç është populli i pafajshëm dhe properëndimor i Ukrainës..!?

Komunizmi, si parti sunduese dhe ideologji moniste-diktatoriale, kudo që ka shkel në botë, kishte krijuar udhëheqës dhe diktatorë të cilët gjatë gjithë kohës së sundimit të tyre, siç ishin diktatori Çaushesku në Rumani, Tito në ish Jugosllavi, Todor Zhivkov në Bullgari, Enver Hoxha në Shqipëri, Fidel Katro në Kubë, Qu en Laji në Kinë, dhe shumë të tjerë, kishin ndërtuar kultin e njerëzve legjendarë si dhe figura të pavdekshme popullore dhe ideologjike.

Derisa në anën perëndimore të Evropës, po ndërtohej me hov dhe pa ndonjë ideologji të theksuar partiake sistemi pluralist dhe parlamentar, i cili fokus kryesor kishte ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe të punëtorëve, dhe ku kapitalizmi po ndërtohej mbi bazat e meritave dhe suksesit në punë, si dhe të barazisë në shfrytëzimin e të mirave kapitale dhe natyrore, dhe ku gradualisht po eliminohej nazizmi, racizmi, fashizmi si dhe diskriminimi i klasës punëtore, etj. Pra, në asnjë shtet në Evropën perëndimore liderët e tyre, qoftë edhe siç ishte kryetari historik i Francës, De Goli, madje as në Gjermaninë e ndëshkuar nga fuqitë e mëdha botërore për shkak të krimeve të nazizmit, nuk u ngritën në liderë nacionalë, as Konrad Adenaueri, themelues dhe lider historik i CDU-së si dhe kancelar i Gjermanisë Federale pas LDB-re, por as Helmut Kohli, 16 vjet Kancelar (1982 - 1998) për meritat e tij historike për bashkimin e dy Gjermanive, por as kryeministrja historike e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher (1979 – 1990) etj etj., nuk u shpallën heronj të pavdekshëm nacional në vendet e tyre, e as nuk u mitizuan si liderë shpirtëror, veçse nga popujt e tyre morën meritat e zakonshme pa bujë dhe ceremoni të jashtëzakonshme shtetërore.

Çka është popullizmi ?

“Që një aktor politik ose një lëvizje të jetë popullsitë, duhet të pretendojë se vetëm një pjesë e popullit është populli – dhe se vetëm popullisti identifikon dhe përfaqëson realisht këtë popull të vërtetë..” (Jan-Werner Muller).

Popullizmi është ideologjia e masës absolute dhe totale, e cila kërcënon ta zëvendësojë demokracinë përmes krizave të saj, të cilat i shfrytëzon me dinakëri lideri popullist, ku dëmet e tij janë shumë të mëdha, duke marrë edhe jetë të njerëzve.

Filozofi Pol Tager, thotë “se popullizmin e shfrytëzojnë partitë politike të majta dhe të djathta, ngase ai është një "shpirt i zbrazët" që ndërtohet mbi kritikën vulgare ndaj kundërshtarit, dhe se kritika e tillë vulgare dhe e pa fakte racionale, sjellë degradimin shoqëror”..!

Popullistët besojnë se çdo gjë mund të rregullohet nga veprimi popullor, përkundër demokracisë, ku vendimet merren nga njerëz legjitim dhe të zgjedhur me votë, ku ndiqen procedura të ligjshme në marrjen e vendimeve, ndërsa popullizmi ka karakter revolucionar që paraqet njëfarë forme të “konsensusit” gjithë-popullor për çështje të caktuara. Ndërsa, popullizmi nga sociologët përkufizohet si politikë, të cilës legjitimitetin ia japin vendimet e marra jo-legalisht, sepse ato vendime nuk i nënshtrohen vlerësimit kritik të opinionit publik, si dhe as institucioneve legjitime.

Rasti më eklatant i popullizmit ishte Partia socialiste e Serbisë, e cila e grabiti pushtetin pa i respektuar procedurat demokratike, duke krijuar ideologjinë manipuluese (Millosheviqi përmes popullizmit solli në Kosovë, në vitin 1989, mbi një milion serbë në emër të "mbrojtjes së tokës së shenjt"), ku qytetarët bëhen në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme objekt i këtij manipulimi. Edhe në Francë, Austri etj. kishte në vitet e kaluara parti populliste, kryesisht të ekstremit të djathtë, të cilat platformën e tyre e ndërtonin në krijimin e urrejtjes ndaj të huajve, pra ndaj emigranteve në ato vende. E vërteta nuk është e rëndësishme për popullistët, prandaj njerëzit u besojnë dhe përmes grevave, protestave dhe manifestimeve të ndryshme krijojnë atmosferë kolektive populliste, pre e të cilave bien edhe njerëzit që e dinë se e vërteta nuk është e tëra ashtu siç thuhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat