“Shteti i Edi Ramës”, kopje e atij të “të atit dhe t’ëmës”!

Opinione

“Shteti i Edi Ramës”, kopje e atij të “të atit dhe t’ëmës”!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 14 gusht 2023 Në ora: 08:40
Xhevat Mustafa

Të mos keqkuptohemi: nuk e kam fjalën për dy prindërit gjenetikë dhe ligjorë të Edi Ramës, domethënë për Kristaqin dhe Anetën! Në të vërtetë e kam llafin për Enverin si "baba shpirtëror" dhe Nexhmijen si "nënë zemre" të këtij gjasëm, monstër, kopje, palo...shteti! Nuk mund të harrohet se qysh në ditët e para kur Edi Rama rrëmbeu fronin e...kryeministrit, nënkuptueshëm si të mbretit, me të cilin nuk është krejt pa lidhje, një nga premtimet apo përrallat e tij më qesharake ishte ajo se "do të bëjmë shtet"! Më vonë e ndërroi kohën e foljes në "po bëjmë shtet", "kemi bërë shtet"...!

Por, faktet e shumtë në këto afro 10 vjet i janë kundërvënë dhe e kanë vënë në siklet, duke e nxjerrë tëpkë si Enveri në fushën apo artin e premtimit e të mashtrimit! Mjafton të kujtojmë disa skandale për të kuptuar se çfarë lloj e soj shteti po bën piktori Edi Rama me shoqe e shokë! Me një dozë humori: meqenëse e kopjon nga brekushet dhe "opingat", mund ta kishte zili edhe Haxhi Qamili. Megjithatë le të kujtojmë disa nga emrat dhe ngjarjet, që identifikojnë apo karakterizojnë "shtetin Edi Rama"! Lista është e gjatë, prandaj po rendis vetëm disa! Saimir Tahiri dhe kryevepra e tij "kanabizimi apo lazaratizimi i gjithë Shqipërisë"; "inceneratorët, bosët dhe "dëshmorët" rilindas të kësaj "miniere të plehtë e të florinjtë"; "dysheku mbush me euro i Alda Klosit; "trimëritë e çetës së Rrahman Rrajes"; orgjia në zyrë e Safet Gjicit; "arratisja e ish krahut të djathtë të Edi Ramës në qeveri, ish zv.kryeministrit Arben Ahmeti; "blerja e Charles McGonigalit" për nongratizimin e Sali Berishës me familje; kullëzimi e betonizimi i Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Sarandës, Lezhës, sidomos zonave turistike..., nga "industria e pastrimit të parave të pista"...Mund të vazhdohet me varfërimin masiv të popullit, sidomos në periferi të qyteteve të mëdha e në qytete të vegjël; në krahina fshatare të thella e të largëta, kryesisht nga shumëfishimi i çmimeve; me rritjen lemeritëse të nivelit të korrupsionit, emigracionit, kriminalitetit...!

Se çfarë lloi shteti kanë bërë në këta mbi 78 vjet Enveri, Ramizi, Fatosi,Edi(për 65 vjet) dhe Saliu( për 13 vjet) ndihmojnë për t'u bindur edhe mungesa e furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm as për 8 orë e jo më për 24 orë si dhe ndërprerjet e shpeshta të tyre, edhe në kulmin e sezonit turistik e në plazhe. Më qartë e shikon dhe përjeton fytyrën monstruoze dhe shpirtin e zi të këtij "shteti" në spitalet publike, shtetërore dhe ato private, ku, në shumicën e rasteve, nuk futesh dhe nuk të prekin me dorë jo pak nga personeli mjeksor, pa ua mbush duart dhe xhepat me qindra mijëra lekë apo me qindra euro, dollarë, paund, franga zvicerane...

Nuk mund të harrohen edhe skandalet në gjasme zgjedhjet e lira e të ndershme gjatë këtyre 8 viteve...Të paharrueshme janë edhe veprimet dhe deklarimet skandaloze të Edi Ramës në takimet pompoze në kuadër të maskaradës filoserbe dhe antishqiptare "Ballkani i hapur"...!E megjithatë Edi Rama vazhdon të përrallisë e mburret se "po bën dhe ka bërë shtet"! E besojnë dhe duartrokasin ata dhe ato që i kanë akoma pëllëmbët me kallo nga duatrokitjet për Enverin, Ramizin, Fatosin dhe Saliun(kur iu ngjitën si rrodhe dhe i serviloseshin për "kocka"!?) Për të kundërshtuar mburrjen dhe përrallën e Edi Ramës dhe për të ndihmuar t'u dalë rakia apo droga atyre që e besojnë si fëmijë, mjafton edhe kjo pyetje e zgjeruar, me përgjigje të nënkuptueshme brenda!

Si mund të bëjnë Edi Rama me këta shoqe e shokë si vetja SHTET LIGJOR dhe SOCIAL FUNKSIONAL; DEMOKRACI DHE DREJTËSI TË VËRTETË, MIRËQENIE TË LARTË..., në një vend ku më të plotpushtetshmit, më të pasurit e më të paprekshmit janë trashëgimtarët e Enverit dhe të bllokmenëve të tjerë; kur në zyrat e tij mbretërojnë, firmosin, vulosin, orgjirosin..., dëftesa, diploma, vota, posteblerësit; burgaxhinjtë, drogaxhinjtë, ish kapterët dhe ish bodigardët në ushtri dhe polici; ish sigurimsat dhe ish spiunët e pandëshkuar edhe për shumë krime e kufoma; patronazhistët me shumë maska dhe emra, por me një shpirt, ves, zanat, që për pasurim e epshe kafshërore jo vetëm seksuale...bëjnë çdo poshtërsi, pa ndjerë një fijëz pendesë dhe keqardhje???!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat