Qëndrimi politik i Shqipërisë, në dëm të Kosovës

Opinione

Qëndrimi politik i Shqipërisë, në dëm të Kosovës

Nga: Esat Mehmeti, redaktor i programit në Radio Ulqini Më: 17 gusht 2023 Në ora: 09:24
Autori Esat Mehmeti

Kosova kohëve të fundit po kalon një ndër sfidat më të mëdha të saj që nga shpallja e Pavarësisë e këndej. Që nga tensionimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, por edhe më parë, Shqipëria zyrtare, kryesisht kryeministrit i saj, Edi Rama, po mbanë qëndrim kritik në raport me veprimet e institucioneve të Kosovës.

Mospajtimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, sidomos me përgjigjen që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka në raport me kërkesat ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, ka çuar në ftohjen e mardhenieve mes tyre dhe anulimin e një mbledhjeje të përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri, mbledhje e paraparë të mbahej, në qershor të këtij viti, në një qytet të Kosovës.

Mbajtja e mbledhjeve të përbashkëta ishte një veprim i mirë për afrimin e të dyja shteteve, ku në mesin e marrëveshjeve ka qenë e paraparë edhe një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit mes këtyre dy shteteve në fushën e sigurisë. Por, papritmas, një natë para se do të duhej të mbahej mbledhja e dy qeverive, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit të ndryshohet formati i saj, por Kurti nuk e ka pranuar këtë. Atëherë, Rama pa u hamendur e anuloi mbledhjen e caktuar !. Anulimi i mbledhjes së përbashkët i dy qeverive shihet si pikë e ulët në raportet ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri. Këtu, qëndrimi i Ramës shihet shumë qartë si distancimi i Shqipërisë nga politika e Kurtit.

Mësohet se komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës tërheqjen e policisë speciale nga veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, si dhe të kryetarëve shqiptarë të komunave atje. Fatkeqsisht, këto kërkesa i ka përkrahur pa rezervë edhe Rama, i cili ka kërkuar reflektim nga Kurti, por kryeministri Kurti nuk u është përgjigjur pozitivisht atyre dhe, për pasojë, Kosova është bërë cak i masave ndëshkuese nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Mirëpo, edhe përkundër qëndrimit të Edi Ramës dhe anulimit të mbledhjes se dy qeverive, Kurti ka thënë se; “raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ndryshojnë ”.

Qëndrimi i Edi Ramës, i neveritshëm dhe tepër i dëmshëm

Veprimet e Ramës, pozicioni që mban aktualisht Qeveria e Shqipërisë në raport me Kosovën janë të panevojshme dhe tepër të dëmshëm. Mendoj se Rama dhe qeveria e Shqipërisë, situatën në Kosovë e sheh vetëm nga interesat e ngushta politike dhe se nuk i shkon në mend t’i mbrojnë interesat kombëtare të shqiptarëve atje dhe kudo janë. Rama dhe Qeveria e tij po u shërbejnë interesave të tyre të ngushta politike dhe jo interesave kombëtare, për mbrojtjen e shqiptarëve jashta shtetit amë, të cilët kanë edhe detyrim kushtetues.

Shtetet e Bashkuara kanë përjashtuar tashmë Kosovën nga një stërvitje e madhe ushtarake, ndërsa BE-ja ka njoftuar për anulimin e disa takimeve dhe vizitave të zyrtarëve kosovarë, si dhe ka tërhequr vëmendjen edhe për pasoja financiare.

Reagimi dhe qendrimi i Shqipërisë i kryesuar nga, Edi Rama për ngjarjet e fundit në Kosovë lën shumë për të dyshuar. Mënyra e të reaguarit ndaj protestave të dhunshme të serbëve dhe sulmeve të tyre ndaj KFOR-it dhe policisë së Kosovës, duke bërë fajtor për këtë edhe kryeministrin e Kosovës, ishte e pafalshme !

Por, jo vetëm kaq, më e keqja ishte:

Rama ka kërkuar edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke e cilësuar atë si obligim ndërkombëtar të Kosovës.

Për këtë të fundit, Rama, ditë më parë ka dorëzuar një draft-statut te presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Ky veprim i neveritëshëm është kritikuar në Prishtinë dhe qarqe të tjera. Mendoj se ky është turpi i radhës që i bëhet pas shpine Kosovës, në veçanti pas asaj me “Ballkanin e Hapur”, tani të ngordhur !. Një “kryeminstër” i shqiptarëve nuk duhet të bëj veprime të tilla në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Mendoj se veprimi i tij, i pa konsultuar me kryeministrin, qeverinë, presidenten apo udhëheqësit e tjerë politik të shtetit të Kosovës është i pamenduar mirë dhe i gabuar !. Me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë e ka çuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij deri te mendimi aq kritik për veprimet e institucioneve të Kosovës ?! Mendoj se nuk do shumë koment !.

Do të doja të citoj, një mikun tim të nderuar; ( Xh. Z., i cili në një letër të tij të hapur, të publikuar ditë më parë, mes të tjerave shkruan:

“-Një ‘kryeministër i shqiptarëve’ nuk avokon për një pakicë etnike jo shqiptare në shtetin e dytë shqiptar. Paramendoni sikur kryeministri i Kosovës të angazhohej për statusin e minoritetit grek në Shqipëri (?!);

-Një ‘kryeministër i shqiptarëve’ nuk pretendon të luajnë rolin e ndërmjetësit në mes Serbisë dhe Kosovës (kjo është detyrë e ndërkombëtarëve), por ju duhet haptas të merrni anën e gjysmës së kombit tuaj, pra anën e Kosovës. Shqipëria ka përgjegjësi edhe të sigurisë si vend anëtar i NATO-s, sepse kështu e thotë edhe kushtetuta e Shqipërisë”.

Me qëllim, apo pa vetëdije, kur përkrahet një tendencë e djallëzuar e Serbisë dhe krerëve të saj politikë, siç është ‘Asociacioni’ i cili për qëllim përfundimtar ka ndarjen e Veriut nga Kosova, atëherë me këtë përkrahet një aspiratë e tyre që ata e quajnë ‘Bota Serbe’. Rama me këto qëndrime po rrëzon gjithçka.

Shqipëria sot drejtohet nga një kryeministër që nuk e ka përkrahjen e shumicës shqiptare dhe flet si avokati i Vuçiqit. Po kryeministri shqiptar a e di që shteti serb është formuar me një krim antishqiptar ?.

Sot dihet botërisht se Kosova është shtet i pavarur dhe nënshtrimi i politikës serbe për njohjen e Kosovës është e vetmja garanci që ky shtet i jep politikës amerikane dhe botës demokratike në përgjithësi, se Serbia si shtet po heq dorë nga karakteri i vet kriminal antishqiptar.

Fatmirësisht për faktin, ruajtësi i sovranitetit të Kosovës është Amerika dhe Bashkimi Europian dhe jo Rama. Asgjë nuk mund të vijë nga vullneti i Ramës.

Andaj, duhet të theksojmë se politika e Prishtinës zyrtare sot nuk ka përse të shqetësohet për territoret, ato janë territoret e vendosura vite më parë, me gjakun e të rënëve për liri dhe lufta ndërkombëtare e Nato-s për ato territore është bërë.

Fatmirësisht, asnjë forcë nuk e ndalon sot pavarësinë territoriale të Kosovës. Serbia sot është përballë këtij fakti historik: ose të lëshojë pavarësinë e Kosovës, ose të shpërbëhet.

Qeveria e Shqipërisë dhe opozita në Kosovë duhet të jetë në krah me Kosovën dhe popullin e saj, e jo krejtësisht e çekuilibruar.

Qeveria e Shqipërisë duhet ta nxisë Qeverinë e Kosovës që ta menaxhojë gjendjen me qetësi dhe tolerancë, e jo t’i qesë nënkëmbëzën !.

Qeveria e Shqipërisë duhet ta bëjë të qartë që në çdo rrethanë është me Kosovën, sepse kështu jemi më të fortë .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat