Albin Kurti nuk mund t’i thoshte Jo Athinës për shkak të Rama-Bejleri intrigës!

Opinione

Albin Kurti nuk mund t’i thoshte Jo Athinës për shkak të Rama-Bejleri intrigës!

Xhevat Mustafa Nga Xhevat Mustafa Më 22 gusht 2023 Në ora: 09:44
Samiti në Athinë

Të gjitha shkallët e gjykatave të Shqipërisë po tregojnë unitet mendimi e vendimi apo edhe urdhërzbatimi për "çështjen Fredi Bejleri"! Me shumë gjasa ato janë kapur më fort te e kaluara e tij problematike dhe me veprimtari të hapur antishqiptare. Natyrisht edhe për disa fakte të freskët, të lidhur si me ambiciet dhe skenaret e pronave dhe projektet e ndërtimeve të reja madhore në Himarë, ashtu edhe për implikimin në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Përtej dëshirave për t’u bërë Bejleri leksion apo “burim” për pastrimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri, ka më tepër mundësi që ai të shndërrohet ngjashëm sikur të përpiqesh të nxjerrësh dhjamë nga pleshti apo mushkonja! Ky fakt të shtyn të mendosh se përveç llogarisë dhe interesit për një kandidaturë me shanse maksimale për fitore, liderët e opozitës Berisha dhe Meta, mund ta kenë përzgjedhur Fredi Bejlerin me plot njolla dhe faje edhe me qëllimin për t'i organizuar Edi Ramës në Himarë një intrigë me rrjedhoja përtej krahinore apo për t'i hapur një telash të madh në raportet me Greqinë, me të cilën ka plot fije lidhëse dhe “dashurie”, si për antikitetin e saj homerik, ashtu edhe për kënaqësi, kujtime,ide, projekte, interesa... të shekullit 21!?

Gjithsesi, pavarësisht lojës së tri palëve në skenë e pas kulisave, personalisht, kam opinionin se "kurbanizimi apo kokëturqizimi juridik dhe politik" i Fredi Bejlerit është menduar, përgatitur dhe po shfrytëzohet shumë më tepër për interesa të tjera jo vështirë të kuptueshme se sa për të konfirmuar shqiptarinë gjeografike, arkeologjike, etnografike, historike, shkencore, faktike, juridike të Himarës dhe "patriotizmin e flaktë" të Edi Ramës! Këtë e kanë kuptuar me kohë edhe peshqit apo "banorët e tjerë trupeshq" nën sipërfaqe, në thellësi të JONIT...! Për këtë dha "informacion të bollshëm" edhe mos pjesëmarrja e Shqipërisë në Samitin e Athinës të 21 gushtit 2022 me rastin e 20 vjetorit të Deklaratës së Samitit të Selanikut as me presidentin, me "axhendë shumë të ngjeshur"! Me një dozë humori, aq "të ngjeshur" sa, burime të mirinformuara, "thonë" se nuk ka kohë as për të... qeshur...!

Merret me mend se presidenti Begaj me shumë gjasa nuk shkoi për inat të mos ftesës nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis për homologun e tij shqiptar Edi Rama, në "shenjë ndëshkimi" për "shkeljen e të drejtave të njeriut" në çeshtjen Fredi Bejleri!? Jo vetëm kaq, por si hatërmbetur të mëdhenj për Edi Ramën, disa analistë politikë "të pavarur" në Tiranë dhe Prishtinë, kritikuan edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se përse e pranoi ftesën e Mitsotakis- it dhe shkoi në Samitin e Athinës!? "Harruan" se Albin Kurti është kryeministër i Kosovës dhe e ka për detyrë parësore, ligjore e vetiake të shikojë dhe vlerësojë mbi të gjitha interesat e saj politike, ekonomike, qeveritare dhe shtetërore! Për më shumë, "harrojnë" se Edi Rama i ka anashkaluar atë dhe presidenten Vjosa Osmani si ndëshkim për mos bindje e mos nënshtrim për "Ballkanin e hapur" e për problemet e krizave dhe marrëveshjeve me Serbinë! Sipas këtyre filoramave dhe antikurtit kryeministri i Kosovës do të duhej të mbante anën e Edi Ramës e të mos e pranonte ftesën greke! Duhej ta bënte këtë “sakrificë” apo sakrifikim të interesave të Kosovës, edhe pse në këtë rast as vetë Edi Rama dhe presidenti Begaj nuk kanë mbajtur fort e plotësisht qartë anën e Shqipërisë, duke e bojkotuar këtë samit, të lidhur me BE- në!

Thjeshtë si mundësi teorike e formale, le të mendojmë se kryeministri Albin Kurti do ta bënte këtë gabim, domethënë të mos ishte i pranishëm në Samitin e Athinës e ta kthente mprapsht ftesën e kryeministrit grek Mitsotakis, duke menduar edhe atë që nuk fshihet dhe përjashtohet me gjethe fiku apo palmash Selaniku, se ftesa e munguar qëllimisht për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ka brenda apo pas saj edhe një “hile odisejane”. Do të ishin po këta analistë politikë që do t’i vërsuleshin Albin Kurtit se bëri një gabim të rëndë e dëmtoi ndjeshëm interesat e shtetit të Kosovës, duke mbajtur anën e Edi Ramës në intrigën apo sherrin e tij me Athinën për shkak të Fredi Bejlerit, që edhe pse është me origjinë dhe gjak shqiptar, ka bërë më shumë për Greqinë, atdheun apo pasaportën e tij të dytë.

Po kështu, do t’i kujtonin Albin Kurtit se iu kundërvu qeverisë greke, me votë e veto në BE dhe në NATO, rreth 1 muaj pas paketës me sanksione dhe ndëshkime ndaj Kosovës nga BE dhe NATO për “zvarritjen e procesit të shtensioninimit të gjendjes së përgjithshme në katër komunat e veriut si dhe të raporteve dhe të bisedimeve me qeverinë e Serbisë, personalisht me presidentin Aleksandar Vuçiç”. Nuk është e vështirë për të kuptuar se pas këtyre ndëshkimeve apo duke “kërkuar” në lëmshin e tyre mund të dalë edhe një e vërtetë e pritshme, pra jo befasuese. Shprehur fare SHQIP dhe në gjuhët me të cilat flitet në sallat, zyrat, kafenetë, restorantet, wc-të..., e BE-së në Bruksel se jo vetëm Borrelli, Lajçaku, Escobari...kanë afeksion apo “dobësi personale” e përtej personale, deri në ekipore e institucionale dhe shumë të hershme ndaj Vuçiçit dhe Serbisë së tij!? Kjo është shprehur edhe me një fakt të freskët. Fjala është për “harresën” nga BE dhe DASH të parimit dhe detyrimit për të qenë të paanshëm, ose ndryshe, për të mos qenë të njëanshëm, si në rastin konkret, kur shpejtuan të ndëshkonin qeverinë e Kosovës dhe Kosovën, domethënë viktimat dhe “harruan” të bënin të njëjtin veprim edhe me shkaktarët, përgjegjësit, fajtorët rreth 24 vjeçarë të trazirave dhe protestave të dhunshme në komunat e veriut të Kosovës, me shumicë të popullsisë serbe.

Pra, pranimi i ftesës së Mitsotakis-it nga Albin Kurti dhe pjesëmarrja e tij në Samitin e Athinës të 21 gushtit 2023 me rastin e 20 vjetorit të Deklaratës së Samitit të Selanikut, është menduar dhe u shfrytëzua prej kryeministrit të Kosovës si një shans i mirë edhe për shtensionimin e raporteve me ato vende të BE-së të pranishme me qeveritarët dhe pushtetarët më të lartë në këtë samit. Kjo lejon optimizëm se ata mund të ndikojnë pozitivisht për përshpejtimin e shtensionimit me gjithë BE-në. Atëherë, logjikshëm mund të mendohen dhe shprehen hapur pyetjet: çfarë është më shumë dhe në të vërtetë Fredi Bejleri dhe “çështja Bejleri”, përtej akuzave, fakteve, vendimeve gjyqësore, deklaratave mediatike e zyrtare, përfoljeve, përtej protestave në Himarë, Athinë, Tiranë...? "Kalë Troje", "Kokë turku", “Komplotist Enveri”, "Kurban Surreli” apo “Test Brukseli..."? Në këto kushte, pra, në një lëmsh si ky interesash, intrigash, paskulisash, pasinqeritetesh..., me mpleksje në Athinë, Tiranë, Himarë, në mbitokën apo në thellësi të Detit Jon përballë saj, përse duhet të mbajnë qartësisht dhe shqiptarisht anë Albin Kurti, qeveria dhe Kosova e tij, kur i kanë me bollëk e të vazhdueshme në vetvete hallet, presionet, ndëshkimet, rrjedhojat negative...?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat