Kriza e thellë që do ta falimentojë Ferizajin!

Opinione

Kriza e thellë që do ta falimentojë Ferizajin!

Nga: Dimal Basha Më: 28 gusht 2023 Në ora: 10:04
Dimal Basha

Si asnjë qytet tjetër, Ferizaji është kriminalizu me beton dhe rrjedhimisht kjo ka me dërgu në dy probleme madhore. E para, do të shkaktojë getoizimin dhe rrrjedhimisht degradimin e qytetit, dhe poashtu falimentimin e qytetarëve dhe bizneseve!

Degradimi dhe getoizimi!

Pjesa më e madhe e ndërtesave janë pa asnjë kriter. Pra të ndërtuara njëra mbi tjetrën, nuk kanë hapësira të gjelbra, nuk kanë parkingje, nuk kanë cilësi, dhe rrjedhimisht një pjesë e madhe e tyre janë shitur me çmime shumë të lira.

Çmimet e lira kanë kriju një problem tjetër, sepse pjesa më e madhe e blerësve janë familje të varfëra që janë zhvendosur në Ferizaj për një vend pune, mirëpo të cilat ndërtesa nuk kanë mirëmbajtje, dhe rrjedhimisht degradimi i këtyre ndërtesave po bëhet me shpejtësi të dritës. Kur ndodh mungesa e mirëmbajtjes, fillon degradimi dhe rrjedhimisht bien çmimet edhe më tej, dhe si pasojë aty ikin edhe ato pak familje që kanë mundësi me pagu mirëmbajetjen, kurse të njejtat iu shiten familjeve edhe më të varfëra, që ndikon në ulje të mëtejshme të mirëmbajtjes dhe rrjedhimisht të degradimit të mëtutjeshëm… dhe kjo miq, na çon vetëm në një përfundim, këto ndërtesa/lagje shndërrohen në geto, pra hapësira të territ ku graviton krimi dhe droga. Kjo gjendje kriminale pastaj bëhet problem i shtetit, dhe këtë skenar e keni sot në shumë shtete të zhvilluara, ku edhe po paguajnë kosto shoqërore dhe financiare.

Në krejt botën normale, qendra e qytetit kushton shtrenjtë sepse është luks! Për shembull, në New York, apartamentet në Manhattan kushtojnë shumë shtrenjtë dhe është e pamundur një familje me të ardhura nën mesatare me jetu aty, dhe rrjedhimisht familjet që shkojnë për punë zakonisht gravitojnë në periferi, në qytete si Bronxi për shkak të çmimeve më të lira. Në Ferizaj, në qendër të qytetit gjen apartamente më çmim më të lirë se në periferi. Pra, kemi situate paradoksale, ku më lirë blen apartament në qendër të qytetit në Ferizaj se në periferi, dhe kjo ka ndodh me një arsye të vetme, sepse komuna ka dhënë leje ndërtimi pas asnjë kriter,  dhe sot janë ndërtu ndërtesa pa asnjë kriter minimal për jetesë, dhe rrjedhimisht këto ndërtesa degradojnë dhe bëhen të pajetueshme, dhe kjo pastaj e dikton edhe uljen e çmimit të tregut, dhe paralelisht e shkatërron qytetin.

Një problem tjetër që po e bëjnë këto ndërtesa është degradimi i lagjeve përreth. Për shembull, ki ndërtesë që ndërtohet në lagje me shtëpi të shtrenjta. Kjo ndërtesë nuk ka parking, nuk ka hapësirë të gjelbër dhe pa kushte tjera elementare… dhe kjo shkakton që pastaj shitet shumë lire! Atjo lagje pastaj ngarkohet me shumë kerre që e ngulfatin rrugën, krijon shumë zhurmë, krijon shumë banorë, dhe shumë fëmijë që në mungesë të hapësirave të gjelbra mbesin duke luajtur nëpër rrugë dhe si pasojë shumë probleme… dhe kjo rrjedhimisht ia humb lagjes qindra miliona euro në vlerë. E keni shembull rrugën Gëzim Sahiti, ku një shtëpi ka kushtu deri 200 mijë euro, kurse tash midis lagjes po ndërtohet një ndërtim kriminal pa asnjë kriter, dhe rrjedhimisht shtëpitë përreth e humbin gjysmën e vlerës sepse askush nuk blen shtëpi që mbi kokë i rri një ndërtesë që i krijon problem me zhurmë, probleme me tollovi, problem me parking, problem me ujë dhe nuk ki as qetësi as rehati. Njejtë i keni ndërtesat te rrugën “Beteja e Kosharës” ku ki ndërtesë në hapësirë që nuk e zen asnjë shtëpi normale që janë shitë me çmime të ulta, dhe cilësia është llom. Tash si pronar edhe nëse kërkon me shit me ik prej aty nuk mundesh sepse nuk ka njeri të çmendur që blen shtëpi që ka ndërtesën mbi kry e ku rruga nuk kalohet në këmbë nga kerret. Edhe nëse e shet, nuk arrin as gjysën e vlerës së tregut që e ka pasë. Pra nëse në lagje kanë qenë 20 shtëpi me vlerë mesatare 200 mijë euro, aty vlera ka qenë 4 milion euro, kurse me një ndërtesë të vetme në mes së paku gjysmohet vlera dhe lagjja humb 2 milion euro (nëse e blen dikush), pa përfshi këtu cilësinë e jetës që degradohet, pra rehatinë e qetësinë e secilit banor! Dhe kjo prapë ka një fajtor të vetëm, Komuna e Agim Aliut, e cila jep leje kundërligjshëm, pa asnjë kriter, dhe pa asnjë konsideratë për qytetin dhe banorët!

Shkurt, ndërtesat kriminale do të shndërrohen në strofulla krimi dhe droge, dhe rrjedhimish këto geto do t’i dëmtojnë lagjet përreth dhe herdokurë do të bëhen barrë e madhe për qytetin që ka me u detyru me pagu miliona me i rrënu ato!

Falimentimi i qytetarëve dhe bizneseve

Një problem tjetër që unë besoj ka me ndodhë në këtë katrahurë është falimentimi i shumë bizneseve, por edhe qytetarëve! Për kokë banori, në Ferizaj është ndërtu më shumë se në secilin qytet tjetër, dhe kjo për shumë arsye, duke fillu nga blerja e apartamenteve nga mërgimtarët, pastaj një pjesë e qytetarëve që kanë punu në Irak e Afganistan kanë ble apartamente si investim, dhe pjesë tjetër e familjeve që kanë ardhë nga rrethina (Vitia, Kaçaniku, Hani i Elezit, Brodi, Shtërpca e shumë vende tjera), si pasojë e zhvillimit ekonomik në qytet. Për shembull një familje 5 anëtarëshe që kam taku, nga Kaçaniku, kishin ardhë dhe në fillim me qira, por pastaj kishin ble një apartament 3 dhomësh në qendër me vetëm 30 mijë euro!

Tani problemi në falimentim do të ndodhë sepse unë besoj thellë që është ngi tregu! Me fjalë tjera, shumica e mërgatës vetëm kanë ble. Unë njoh familjarë që jetojnë jashtë dhe pothuajse 90% e tyre kanë ble. Tjetra, pjesa më e madhe e atyre familjeve që janë shpërngulë nga rrethina në qytet tanimë gjithashtu kanë ble, ose edhe janë me qira sepse me 300 euro merr me qira një apartament që ndoshta kushton 30 mijë euro. Kurse investitorët nga Iraku e Afganistani as nuk duhet të kalkulohen sepse ata nuk i kanë ble për banim, por shumica e tyre si investim, dhe pra shumica e këtyre apartamenteve që i posedojnë janë realisht të zbrazura!

Pra këtu kemi një përfundim, Ferizaji ka shumë ndërtesa, kurse shumica e tyre janë të zbrazëta sepse shumica e tyre kanë ble. Sot Komuna vazhdon me lëshu leje ndërtimi, dhe ndërtesat po vazhdojnë m'u ndërtu gjithandej, dhe unë besoj thellë se kemi ardh në një situatë ku kemi më shumë ofertë e pak kërkesë, ose thënë ndryshe, mijëra apartamente e pak blerës, dhe kjo sepse shumica kanë ble! Këtë verë kuptova që shitja e apartamenteve ka rënie të dukshme dhe sot në Ferizaj kemi shumë ndërtesa me qindra apartamente të zbrazëta sepse thjeshtë NUK KA MË BLERËS.

Ku na çon kjo?

Përgjigjen e gjeni te libri i Michael Lewis “Boomerang", ku ai shkurtimisht tregon se në Irlandë është ndërtuar më shumë se sa ka blerës dhe shumica e tyre kanë mbetur gërmadha dhe rrjedhimisht ka shkaktuar krizë shoqërore e financiare! Ai shpjegon ndërtimin e tepruar në Irlandë pas një bumi ekonommik ku migrojnë shumë të huaj. Të huajt nuk e shohin Irlandën si destinim të përhershëm dhe pas një kohe dhe disa krizave, të huajt lëvizin, kurse në anën tjetër ndërtohet me të madhe, dhe qeveria lëshon leje ndërtimi për 180 mijë apartamente, për të kuptuar në fund se vetëm 80 mijë janë shitur kurse 100 mijë iu mbesin të zbrazëta, dhe rrjedhimisht gjithçka kollapson dhe ndërtesat mbesin gërmadha. Nëse e keni përcjellë tregun e shtëpive (house market) në Kinë, edhe ata po ballafaqohen me të njëjtin problem, ku një investitor/ndërtues i madh tanimë ka kolapsuar, kurse një tjetër ndërtues tjetër gjigant gjithashtu duket të jetë afër falimentimit. Dështimi i këtyre investitorëve/ndërtuesëve është dështim zingjiror, sepse merr me vete viktima të shumta, duke filluar nga bankat që kanë huazuar miliarda dollarë por që nuk arrijnë t’i kthejnë, qytetarët që kanë paguar por nuk i marrin banesat e tyre, deri te kontraktorët që iu kanë ofruar mallëra e shërbime por që nuk paguhen.

Unë besoj thellë se Ferizaj është në situatën e njëjtë, ku kemi shumë më shumë banesa se blerës. Komuna vazhdon të japë leje ndërtimi, ndërtuesit ndërtojnë, kurse qytetarët blejnë shumë pak sepse shumica e tyre tanimë kanë blerë. Në një moment nuk do të ketë blerës, dhe investitorët detyrohen me falimentu ose me ikë, dhe kjo sjell kolaps zingjiror sepse ndërtuesit zakonisht invetsimet i bëjnë me para të blerësve, dhe kur nuk arrijnë të shesin më, ndërtimi iu mbetet në gjysmë, dhe rrjedhimisht kjo pastaj i falimenton pra ata qytetarët që kanë paguar (ose e kanë lëshuar tokën për ndërtim), i falimneton kontraktorët që kanë ofru mallëra (ashensorë, dritare, parket, ndriçim, beton, blloka….), dhe potencialisht bankat të cilat kanë huazuar mjete tek investitorët! Pra dështimi është zingjiror, sepse kur shkon në humnerë investitori/ndërtuesi, ai pastaj merr me vete kontraktorët, por edhe qytetarët!

Shkurt, unë besoj se Ferizaj do ta pësojë më së keqi, dhe kjo kryesisht ka një fajtor të vetëm, që është Komuna në krye me Agim Aliun, dhe dështimet do të jenë të dyfishta. E para, Ferizaj ka ndërtim të tepruar, pra ka shumë banesa por nuk ka blerës, dhe kjo çon në falimentim e investitorëve, pastaj ky bëhet problem zingjiror dhe merr me vete bizneset dhe qytetarët. Komuna mban faj sepse Komuna kurrë nuk ka bërë asnjë vlerësim nëse qyteti ka ende nevojë për ndërtime, e për më tepër vazhdon me lëshu ende leje pa asnjë kriter të vetëm. Për me kuptu sa injorantë janë, e kuptoni te deklarata e nënkryetarit Lulzim Aliu i cili pat deklaruar se po e zhvillojmë qytetin për 900 mijë banorë! Dhe, e dyta, kjo qeveri komunale do të krijojë geto lagje gjithandej qytetit, dhe kjo sepse kanë dhënë leje pa asnjë kriter dhe është ndërtuar pa cilësi, dhe rrjedhimisht këto ndërtime kriminale shndërrohen në geto hapësira, që pastaj degradojnë vlerën e lagjeve përreth dhe rrjedhimish degradojnë qytetin!

E krejt kjo e dërgon komplet Ferizajin në një krizë të thellë, sepse degradimi i qytetit në kombinim me falimentimin e investitorëve, qytetarëve dhe kontraktorëve do të shkaktojë një krizë të madhe që nuk do të ketë Kryetar as Qeveri që do ta zgjidh! Kjo nuk do të ndodhë nesër, por jemi asaj udhe dhe për këtë krim urbanistik dhe dëmin që do ta pësojnë të gjithë nesër, është vetëm një adresë, kryetari i sotshëm AGIM ALIU me kllapën e tij!

P.S. Vlerësimi im është vetëm për Ferizajin sepse nuk besoj se gjendja është e njejtë në të gjitha qytetet tjera!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat