Më mirë vazhdimi i konfliktit, sesa nënshtrim ndaj Serbisë së Macronit!

Opinione

Më mirë vazhdimi i konfliktit, sesa nënshtrim ndaj Serbisë së Macronit!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 30 gusht 2023 Në ora: 17:56
Emmanuel Macron dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së të hënës së shkuar bërë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, sa i përket masave kundër Kosovës, nëse nuk ka përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Macron për elokuencë përmendi Serbinë dhe Kosovën, edhe kur theksoi se mund të rishikohet vendimi për liberalizimin e vizave. Por presidentja Osmani nuk e lexoi si baraspeshë një lidhje të tillë. Eshtë e ditur se Serbisë nuk mund t’i pezullohet lëvizja e lirë në vendet Shengen, sepse ajo e ka përfituar këtë të drejtë para 14 vitesh dhe nuk ka ndodhur që pas më shumë se një dekade të merret një vendim i tillë.

Por disa medie në Kosovë kanë nxituar të ribotojnë fjalën e Macron, me qëllim që t’i thonë publikut, se “Presidentja Osmani reagoi pa arsye, pasi presidenti francez kërcënoi me pezullimin e vizave edhe Serbinë”! Pra, se në fjalën e tij kishte një ekuilibër! Edhe kësaj radhe mediet në fjalë, gjithnjë shqipshkruese e shqipfolëse, bënë lojën e aktorëve e faktorëve anti-shqiptarë. Sepse nuk do as mend e as kalem të kuptosh se kujt i adresohej kërcënimi francez për pezullim vizash! Adresa e tillë ishte vetëm Kosova! Por duhet ta duash atdheun si Vjosa Osmani, që ta lexosh e kuptosh realitetin përmes rrjeshtave që artikulojnë Macron, Vuçiç, Rama apo dikush tjetër! Mesa duket, kur bëhen deklarime si ajo e Macron, me të cilën tentohet të dënohen qytetarët, pse ata janë të lirë të zgjedhin qeveritarët që duan, është i parapërgatitur edhe kundërreagimi.

Nuk prisja që presidentja e Republikës së Kosovës apo ndonjë drejtues tjetër i lartë të kishte këtë reagim ndaj deklaratës së presidentit francez. Jemi mësuar që liderëve të këtij formati të mos u reagohet, së paku zyrtarisht. Por reagimi dhe madje përgjigja me kërcënim e zonjës Osmani përbën një risi! Ajo i tha homologut të saj francez, si dhe liderëve europianë, se “Nëse qytetarët e Kosovës nuk lëvizin lirisht e pa viza në janar të vitit të ardhshëm, atëherë dialogu me Serbinë merr fund një herë e përgjithmonë”! Po të ishin paraardhësit e Vjosës do t’i përuleshin padishahut francez dhe do të thonin “Na fal zotëri, ne jemi gati që Serbisë t’i japim gjithçka, edhe territor, mjafton që të na liberalizoni vizat”! Me këtë premtim ata e nënshkruan demarkacionin me Malin e Zi dhe asosacionin me Serbine në vitin 2015!

Por Vjosa Osmani e Albin Kurti nuk ishin e nuk janë pjesë e estabilishmentit pro-francez e për rrjedhojë pro-serb e pro-rus të Kosovës e të Shqipërisë. Pikërisht me këtë arsye duhet shpjeguar edhe një lloj konflikti midis palëve. Por kjo është temë tjetër. Kosova është me fat që u rrëzua kasta e vjetër dhe ka tashmë një lidership të përgjegjshëm që mendon për interesat e vendit dhe jo për interesin momental të pushtetit të tij. Kosova është e sigurt, sa kohë që politikanët e saj përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe mbrojnë interesat e vendit!

Por Macron duket se nuk është dakord dhe nuk e parapëlqen këtë lidership në Kosovë. Presidenti francez madje është kundër ekzistencës së liderëve të sotëm. Deklarata e tij është në fakt thirrje për qytetarët e Kosovës që të heqin dorë nga mbështetja për këtë lidership. D.m.th nënteksti i deklaratës së tij është se “nëse ky lidership që ju qytetarët e Kosovës e mbështetni nuk realizon ato që them unë (Macroni), atëherë dënimi do të jetë për ju! Do tua pezulloj vendimin për liberalizimin e vizave”! Kjo do të thotë se presidenti i një vendi që shet parime të demokracisë sillet si sulltan ose mbret i absolutizmit në raport me popujt dhe kombet e tjera.

Shkaku? Interesat gjeostrategjike të Francës! Apetitet e saj që përmes Serbisë ta mbajë nën kthetra Ballkanin! Këtu e kanë burimin të gjitha iniciativat e këtyre dhjetë viteve për zhbërjen e Kosovës si shtet. Ne na kujtohet kur Rama dhe Hashimi e ndiqnin Macronin nga pas deri në Armeni për ta bindur që të ndahet Kosova. Franca është e njohur edhe për pishmanllëqe. Por nuk dëshiron të thotë se bëri gabim që e njohu shtetin e Kosovës. Ndaj dhe përdor metodat mafioze shtetërore për ta zhbërë atë që ka vendosur vetë, sipas parimit “Edhe mishi të piqet, edhe helli mos digjet”!

Deklarata e Emmanuel Macron ishte skandaloze, e paprecedent. Ishte kërcënim për lirinë e dy milion banorëve të Kosovës, për të cilët tashmë është vendosur lëvizja e lirë në Europë. Të kërcënosh me heqjen e lirisë kolektive një komb dhe të pretendosh se mbron demokracinë dhe lirinë, është gënjeshtra më e madhe e padëgjuar ndonjëherë. Të tentosh të penalizosh zgjedhësit e një vendi (shteti) pse përfaqësuesit që ata zgjedhin nuk i binden Macronit, është absolutizëm, totalitarizëm! Nuk e di se si mund ta drejtojë një vend si Franca një president i orientuar nga autoritarizmi absolut! Deklarata e Emmanuel Macron shkon në favor të plotë të Serbisë agresore e të përkëdhelur nga presidenti i Republikës së Francës, thjeshtë për interesa të ngushta. Ndaj dhe deklarata e tij ushqen padrejtësinë. Padrejtësia është gjithmonë burim konfliktesh. Mesa duket Macronit i pëlqen konflikti. Dhe presidentja e Kosovës, zonja Osmani, ia përkujtoi se qëndrimet e tij politike vetëm se bllokojnë dialogun dhe sjellin përshkallëzim të konfliktit!

Më mirë vazhdim i konfliktit Kosovë-Serbi, sesa nënshtrim ndaj Serbisë së Macronit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat