“Bumi amerikan” në Ballkan, “gotë” e mbush te gjysma

Opinione

“Bumi amerikan” në Ballkan, “gotë” e mbush te gjysma

Nga: Xhevat Mustafa Më: 1 shtator 2023 Në ora: 10:48
Xhevat Mustafa

Një vit më parë, nga mes gushti deri në tetor 2022, u publikua dhe debatua një projektligj i ri nga Kongresi Amerikan, me fuqi vepruese përtej SHBA-ve, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, pra edhe Shqipërinë. Mes të tjerave në këtë projektligj, që mund të vlerësohet si i pari posaçërisht kushtuar Ballkanit, parashikoheshin: - Rritje e ndjeshme e investime direkte amerikane në Ballkanin Perëndimor - Fund i pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta politike dhe qeverisëse, - Koordinim me partnerët evropian; BE dhe Mbretëria e Bashkuar në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në pjesën për Shqipërinë disa filoamerikanë të flaktë dhe analistë politikë, që u besojnë shumë fishekzjarreve fjalareske, bile edhe kur nuk ndizen fare, kishin kuptuar dhe gjetur në këtë projektligj, ligj, “plan madhor”..., edhe disa detyra, detyrime apo projekte që mund të sillnin “bum ekonomik”, befasi dhe rrotacion politik e qeverisës në Shqipëri. Mes të tjerave, sipas njërit prej “analistëve politikë më entuziastë”, që pretendonte se “kishte të dhëna nga një burim i brendshëm i mirinformuar”, ishin në tekst, nëntekst, pastekst..., edhe këto “urdhëra” për klasën politike dhe qeverisëse në Shqipëri. - Qeveri teknike brenda vitit 2022, me mandat deri në zgjedhjet e parakohshme( me sa duket “shtyrë”, pas fluturimit të 1 viti, me shumë gjasa, nga vetë Rama” pas 15 shtatorit 2023, 2024...); - Reforma zgjedhore; reforma territoriale; lufta kundër krimit të organizuar; përparimi i përshpejtuar në negociatat me Bashkimin Evropian.

Qysh sa u bë publik ky ligj dhe në vijim, deri më sot, në shkrime të botuar në gazeta dhe në facebook, subjektivisht jam shprehur skeptik. Ky mosbesim mbështetej dhe mbështetet në vëmendjen e vazhdueshme ndaj veprimeve dhe mosveprimeve, ndaj vendimeve dhe deklarimeve të tyre në SHBA dhe përtej. nga arsyet e mosbesimit tim mbështetej dhe mbështetet tek kujtesa dhe përvoja historike. Edhe sikur të mos e marrim për të mirëqenë e të sigurt ndikimin e faktorit apo rolit Soros tek vetë presidenti Joe Biden dhe gjithë presidenca e tij si ekip, përsëri do ta kenë shumë të vështirë, bile të pamundur të zbatojnë një skenar, plan, ligj të tillë, që i kundërvihet platformës gati 3 dekadëshe Soros për Botën, Evropën, Ballkanin në tërësi e për Shqipërinë në veçanti! Kulmi u arrit me zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020, në të cilat pati parregullsi jo të pakta e jo pa ndikim në rezultatin përfundimtar, duke i bërë këto zgjedhje gati si palozgjedhjet tek ne. Jo vetëm sipas meje, atë ditë Trumpin nuk e mundi Biden, por Xhorxh Soros dhe “ushtria e tij dhe ajo globaliste në front apo e padukshme”. Arsyeja e tretë e skepticizmit tim shprehet në faktin e hershëm e të ribërë publik nga gazeta italiane “Republica” dhe nga publicisti dhe studiuesi i mirënjohur Enver Bytyçi më 18 gusht 2023.

Fjala është për intensifikimin dhe konkretizimin e strategjisë kundërvënëse frontale ruse ndaj SHBA, NATO-s, BE-së, jo vetëm si hakmarrje ndaj mbështetjes që po i japin Ukrainës prej rreth 1 viti e gjysmë, por shumë më herët, disa vite më parë...Këto muajt e fundit qeveritarë, shtetarë, politikanë të lartë nga vende kryesore të BE-së, të njohura për filorusisëm disa shekullor, hapur apo pas “kurrizit” të Biden-Blinken, fshehur pas dëshirës apo sebebit të rikonstruktimit të Bashkimit Envropian, kanë hedhur idenë dhe po lëvrijnë, edhe nëpër plazhe të Shqipërisë e në Samitin e Bledit në Sloveni, më 28-30 gusht 2023, për të futur në rendin e ditës dhe konkretizuar projektin e Emmanuel Macron për krijimin e një zone apo konfederate rajonale, me atribute politike e të asocuar ekonomikisht me BE-në, në të cilën do të bënin pjesë Shqipëria, Serbia, krejt Ballkani Perendimor. Është për të vënë në dukje se ky projekt është shumë i pëlqyer edhe në Moskë, individualisht edhe nga Vladimir Putin. Nuk është krejt rastësi që këto ditë, saktësisht më 15 gusht 2023 edhe ish presidenti i Francës, Nikolla Sarkosy, publikoi një deklaratë, në të cilën shprehet, më shumë në rusisht se sa frëngjisht: “Europa ka nevojë për Rusinë! Me Putin kërkohet kompromis, fuçia e barutit mund të shpërthejë në çdo moment ...”(Gazeta “Panorama”, 16.08.2023). Rreth dt.15 gusht, Stian Jenssen, drejtor i kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se “Ukrainës mund t’i duhet të lëshojë territor për një marrëveshje paqeje më Rusinë...”, deklaratë e tërhequr prej tij pas “pendimit” edhe nga kritikat publike të SHEFIT... Qëndrimet mëdyshëse apo lojërat me dy porta nga segmente dhe individë me fuqi të mëdha politike dhe vendimore në Uashington dhe Bruksel i lakuriqëson edhe më shumë procesi i bisedimeve, mospajtimeve dhe konflikteve mes Serbisë dhe Kosovës, sidomos lidhur me figurën dhe rolin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që gëzon dashuri e mbështetje edhe nga Vladimir Putin dhe Xhorxh Soros.

Ndërsa në Moskë i quajnë dhe trajtojnë serbët si vëllezër dhe Vuçiçin si vëllain më të madh mes tyre, në Bruksel dhe Uashington, sidomos zyrtarët nën ndikimin Soros, kanë iluzionin dhe shpresën e kotë se mund ta shkëpusin nga zemrat ruse e ta bëjnë partner dhe aleat të besueshëm, deri në antirus dhe antiputinist?! “Nanurisen nga kjo ëndërr” edhe pse prej 24 vitesh është bërë e kuptueshme se Beogradi qeveritar dhe presidencial investon pa u kursyer për të sabotuar konsolidimin e shtetit të pavarur të Kosovës; procesin e njohjeve të reja të tij; integrimin e serbëve të Kosovës në strukturat qeveritare dhe shtetërore të Kosovës; integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe dhe për trazira dhe protesta të dhunshme në komunat e veriut të Kosovës, me synim kryesor asociacionin e tyre me kompetenca të gjëra vetëqeverisëse apo autonomiste! Edhe pas këtyre fakteve të shumta dhe të dukshme, përsëri në Bruksel dhe në Uashington ndjehet e fortë, e frikshme, e rrezikshme vuçiç-afeksioni apo vuçiço-maminia?!

Në kërkim të arsyeve është e vështirë të gjendet një përgjigje bindëse për pyetjen se përse zyrtarë dhe politikanë të lartë në Uashington dhe Bruksel bëjnë presione dhe kërkesa e ndërmarrin masa ndëshkuese vetëm ndaj qeverisë dhe shtetit të Kosovës dhe “harrojnë” me javë e muaj të bëjnë të njëjtat gjëra, qoftë edhe sa për propagandë dhe demagogji, ndaj qeverisë dhe shtetit të Serbisë!? Këtë filoserbizëm apo filovuçinizëm të disa diplomatëve dhe zyrtarëve të DASH e vë në dukje me shqetësim edhe letra drejtuar ambasadorit të SHBA në Serbi, Kristofer Hill nga Kryetari malazez i Komitetit të Helsinikit për të Drejtat e Njeriut, ish ministër i punëve të jashtme dhe ambasadori i parë i Malit të Zi në Uashington, Miodrag Vllahoviq, botuar në gazetën e Podgoricës “Pobjeda” më 26 gusht. Sipas Vlahoviçit, “Intervista Juaj e fundit(24 gushtit 2023) për “Zërin e Amerikës” është e mbushur me teza të gabuara, interpretime të pasakta dhe jo korrekte. Këto edhe njëherë vërtetojnë politikën tuaj të lëshimeve dhe ledhatimeve ndaj Aleksandar Vuçiqit, respektivisht ndaj politikës zyrtare të Serbisë dhe seriozisht vënë në pikëpyetje motivet dhe qëllimet që qëndrojnë pas një pozicionimi të tillë dhe paraqitjes tuaj publike...

Politika që Ju po promovoni po sjell pasoja shumë të rënda. Ajo po destabilizon Ballkanin Perëndimor...Ajo po kërcënon që ta komprometojë plotësisht angazhimin pozitiv dhe efikas, disa dekadash të Shteteve të Bashkuara në hapësirat tona...”. Edhe më hapur dhe më ashpër ndaj politikës së butë apo favorizuese të DASH ndaj Serbisë dhe personalisht ndaj Aleksandar Vuçiçit shprehet profesori i Universitetit “John Hopkins” dhe analisti politik amerikan Daniel Server. Duke komentuar intervistën e ambasadorit Hill, në “Zërin e Amerikës”, në të cilën i kishte dalë në mbrojtje ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, sidomos për deklaratën e tij se “njohja e Kosovës do t’i godasë në kokë Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut – siç po ndodh në Ukrainë me të gjithë ata që promovuan Kosovën si shtet të pavarur”, eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, deklaroi në portalin malazez “Pobjeda” më 30 gusht 2023 se “mosreagimi i SHBA-së ndaj deklaratave të Vuçeviçit, dëshmon qasjen e butë të Amerikës ndaj Serbisë.

Uashingtoni po hesht për shumë gjëra sa i përket Serbisë, përfshirë korrupsionin në nivele të larta, kërcënimet serbe për përdorim të forcës, sulmet e financuara nga Beogradi ndaj trupave të NATO-s, refuzimin e Vuçiçit për t’u angazhuar në zbatimin e marrëveshjes së arritur së fundmi në dialogun Kosovë – Serbi...”. Sipas tij, arsyeja për këtë “përkëdhelje” të Vuçiçit dhe të Serbisë janë Escobar-i dhe Hill-i. Serwer beson se letra që u nënshkrua nga 60 deputetë evropianë të nivelit të lartë, si dhe nga kongresmenë dhe senatorë amerikanë, duke i bërë thirrje BE-së, SHBA-së e Britanisë së Madhe për ndryshim të politikës së butë ndaj Serbisë, nuk është presion mjaftueshëm i madh.

“Zyrtarët që janë pjesë e legjislativit duan ndryshim dramatik në qasjen aktuale ndaj Serbisë, por nuk ka asnjë indikacion se do të realizohet kjo nga autoritetet ekzekutive në SHBA e BE”, tha Serwer. Gjithashtu, shpreh hapur njëanshmëri dhe favorizim të Vuçiçit dhe të Brnabiçit në Beograd si dhe të njerëzve të tyre trazira e dhunë-provokues në komunat e veriut në Kosovë edhe kërkesa dhe presioni ndaj qeverisë së Albin Kurtit nga DASH dhe BE, individualisht nga Escobar, Honevier, Borrelli, Lajçak..., për lënien e strukturave paralele të Serbisë në godinën në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut. Justifikimi apo sebebi është ai “i mykuri”: “kjo i shërben shtensionimit të situatës...”, “dhuratë” që po ata vetë lënë të kuptohet se e kërkojnë dhe e presin vetëm nga Prishtina qeveritare dhe shtetërore....

E ripërsëritën edhe në Samitin e Bledit më 29-30 gusht këtë kërkesë, edhe pse e kanë plotësisht të qartë dhe e dinë mirë se Vjosa Osmani dhe Albin Kurti dhe bashkë me ata e gjithë Kosova, janë sinqerisht dhe 100% të angazhuar dhe të përkushtuar për shtensionimin e plotë e të përhershëm të gjendjes në atë zonë kritike apo “mollë sherri”, vetëm për shkak të Beogradit dhe njerëzve të tij me mision dhunë-provokues brenda saj!? Lidhur me objektivin, renditur i pari në këtë projektligj-ligj të ri të Kongresit Amerikan për të rritur volumin e investimeve nga SHBA në Ballkanin Perëndimor dhe për të kuptuar se sa larg është SHBA nga Rusia dhe Kina në këtë drejtim, ndihmojnë edhe këto shifra, të shkëpura nga një analizë e thellë dhe e pasur me fakte botuar në “The National Interest” dhe ribotuar në Balkanweb më 30 shtator 2022 e Dr. Valbona Zenelit dhe e Joseph Vann, profesorë të Studimeve të Sigurisë Kombëtare në Qendrën Evropiane George C. Marshall për Studimet e Sigurisë në Vienë...

Edhe sipas këtyre autorëve të mirinformuar, “aktualisht ekzistojnë 122 projekte kineze me një vlerë të përllogaritur prej rreth 31 miliardë dollarë, ku më shumë se 70 për qind është në formën e huadhënies koncesionale, sipas të dhënave të fundit të BIRN. Kjo përbën pothuajse 40 për qind të stokut total të Investimeve të Huaja Direkte (IHD), i cili është 85 miliardë dollarë në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, e cila nuk njihet nga Kina...”. Sipas burimeve serbe dhe ndërkombëtare investimet ruse vetëm në Serbi janë rreth 4-5 miliardë dollarë. Duke folur me gjuhën e shifrave volumi i ndihmave dhe investimeve nga SHBA në Ballkanin Perëndimor është shumë larg edhe me atë të BE-së. Më 25 shkurt 2022 Komisioni Evropian bëri të ditur një paketë të konsiderueshme investimesh prej 3.2 miliardë eurosh për të mbështetur 21 projekte të transportit, digjitalizimit, klimës dhe ndërlidhjes së energjisë në Ballkanin Perëndimor.

Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe afrimin me BE-në, do të mobilizojë 20 miliardë euro investime shtesë, përfshirë edhe 9 miliardë euro grante të BE-së nga IPA III. Në të kundërt me këtë realitet e me këto shifra, tregtia midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor është minimale. Në vitin 2021, shkëmbimet tregtare ishin rreth 1.5 miliardë dollarë, sipas të dhënave të UNComtrade, në një kohë që nivelet e tregtisë midis SHBA dhe BE-së arritën në 760 miliardë dollarë. Stoku total i investimeve të huaja direkte amerikane në rajon është vetëm 900 milionë dollarë. Ndërsa ne si shqiptarë presim bum të investimeve amerikane, për të shpëtuar sa më shpejt nga kjo varfëri socialisto-afrikane, shifrat, edhe pas 1 viti, nuk janë ato që dëshirojmë. Gjithë-gjithë investimet amerikane në vendin tonë në fushën e ekonomisë dhe të reformave, sidomos asaj në drejtësi, natyrisht pa harruar ndihmën e madhe mbi 30 vjeçare në fushën e mbrojtjes e të ushtrisë, janë rreth 270 milionë dollarë. Megjithatë, si filoamerikan i sinqert, i flaktë e i moçëm, uroj që të ndalet kjo “rrëshqitje majtas” e SHBA dhe BE-së, që AMERIKA të mbetet AMERIKË, duke e zbatuar sa më shpejt këtë ligj apo “plan madhor”, së pari në Shqipëri dhe Kosovë, pikë për pikë, deri sa të mbushet “gota” tek gjysma, bile duke e parë nga lart e nga larg, për të pasur iluzionin se e ka kaluar fare pak gjysmën!! Gjithashtu, uroj me gjithë zemër që të ndodhë "mrekullia" apo vështirë e besueshmja që ky ligj të zbatohet AMERIKANÇE e jo sorosiançe apo edramjançe në Shqipëri!

Domethënë: nëse do të sjellë një herë e përgjithmonë DEMOKRACINË dhe DREJTËSINË AMERIKANE! Edhe më SHQIP dhe më konkretisht: nëse Presidenti Biden dhe DASH, nëpërmjet ambasadorit të ri në Tiranë dhe misionarëve diplomatikë të herë pas hershëm “ e shtyjnë” fort dhe vazhdimisht SPAK-un të vazhdojë me figura të tjera të larta prangosja e vërtetë e jo sa për show, me “burg minimal turistik dhe “amnistues”, pa sekuestrim të gjitha pasurive të “krahëve të shumtë”, si të një oktapodi, të Edi Ramës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat